Gideon Rachman
Sa e përkushtuar është NATO ndaj mbrojtjes së shteteve balltike? Kjo ishte pyetja që Vladimir Putin po shtronte në mënyrë të tërthortë, kur avionët luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë javën e kaluar.
Qëndrimi publik i NATO-s është i qartë: aleanca me 32 vende do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të saj. Ky zotim shfaqet në bazën ushtarake të Tapa-s në Estoni, pranë kufirit rus. Tapa – që në estonisht do të thotë “vras” – ka qenë dikur një bazë ajrore sovjetike. Sot është baza kryesore e ushtrisë estoneze dhe e një grupimi luftarak të NATO-s të udhëhequr nga Britania.
Trupa nga Royal Tank Regiment sapo kishin mbërritur kur e vizitova Tapa-n javën e kaluar. Së bashku me një kontingjent më të vogël francez, ata disponojnë një arsenal mbresëlënës armësh – përfshirë tanket Challenger 2, sistemin e artilerisë Archer dhe mjetet e blinduara Griffon.
Trupat britanikë, francezë dhe estonezë kanë një strukturë komanduese të integruar dhe do të hynin në betejë së bashku – nëse do ndodhte ndonjëherë një pushtim rus i Estonisë.
Ushtarët në Tapa janë të stërvitur të zmbrapsin një sulm rus në shkallë të plotë. Por planifikuesit perëndimorë mendojnë se është më e mundshme që Rusia fillimisht të vepronte gradualisht – duke ndërmarrë operacione të vogla e të paqarta për të testuar reagimet dhe unitetin e NATO-s.
Shkelja e hapësirës ajrore të Estonisë javën e kaluar hyn në këtë model, veçanërisht kur mendon që pasoi një inkursion të madh të dronëve rusë në Poloni javën e kaluar. Disa nga dronët u rrëzuan nga avionë të NATO-s dhe aleatët kanë vendosur më shumë avionë në kufirin lindor.
NATO do të diskutojë këtë javë se si t’i përgjigjet shkeljes në Estoni. Disa brenda aleancës argumentojnë se, në të ardhmen, NATO duhet të rrëzojë avionët rusë që shkelin hapësirën ajrore të saj. Por të tjerë, veçanërisht në SHBA, besojnë se ky do të ishte një përshkallëzim i rrezikshëm.
Rusia mund të rrisë gradualisht provokimet për të testuar këto ndarje të fshehta brenda NATO-s. Një skenar i shumëdiskutuar është një inkursion i trupave tokësore ruse në një nga shtetet balltike – ndoshta me pretekstin e mbrojtjes së rusëve etnikë.
Qëllimi përfundimtar i Kremlinit është të tregojë se garancia e sigurisë reciproke e Nenit 5 të NATO-s është e pavlefshme. Nëse rusët do të arrinin ta provonin këtë, atëherë ata mund të përpiqeshin të merrnin një e nga një shtetet më të vogla evropiane – pa pasur nevojë të përballeshin me fuqinë e përbashkuar të NATO-s.
Pikëpyetja kryesore për Moskën është reagimi i Uashingtonit. SHBA ofron rreth 40% të kapaciteteve ushtarake të NATO-s në Evropë dhe disa nga aftësitë më të përparuara të saj. Ka gjithashtu trupa amerikane në shtetet baltike. Një njësi artilerie Himars kreu së fundmi stërvitje në Tapa, dhe pritet të mbërrijë së shpejti edhe një kompani tankesh amerikane.
Por nëse rusët do të ndërmerrnin ndonjëherë një inkursion të madh në Estoni ose në një vend tjetër të NATO-s, lind pyetja e qartë: si do të reagonte Donald Trump? Siç e shprehu javën e kaluar ish-ministri i jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis: “Nëse ndodh një inkursion dhe një sulm… çfarë mund të presë Putini? Flotën e Gjashtë amerikane që hyn në Baltik apo një thirrje për t’u takuar në Alaskë?”
Nën sipërfaqe, ekziston tension i vërtetë mes administratës Trump dhe aleatëve balltikë. Në Uashington, kam dëgjuar ankesa për “estonianizimin” e politikës së jashtme evropiane – një referencë ndaj faktit se Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, është ish-kryeministre e Estonisë. Për disa në administratën Trump, baltikët shihen si tepër agresivë në qëndrimin e tyre ndaj Putinit. Në një takim të nivelit të lartë në Pentagon, zyrtarë baltikë u akuzuan se ishin “ideologjikë” në kundërshtimin e tyre ndaj Rusisë.
Dyshimi është i ndërsjellë. Në korridoret e ministrisë së jashtme estoneze javën e kaluar – jashtë zyrave të zyrtarëve më të lartë – pashë një riprodhim të madh të tabelës së votimit nga debati i OKB-së për Ukrainën në shkurtin e kaluar, në të cilin SHBA votoi së bashku me Rusinë. Mesazhi ishte i qartë: mos supozoni se Amerika e Trump-it është në anën tonë.
Vendet më të mëdha evropiane janë shumë më të qëndrueshme sesa administrata Trump në këmbënguljen e tyre për nevojën për të kundërshtuar agresionin rus. Por ato janë gjithashtu shumë nervoze për idenë e përballjes me Rusinë pa SHBA-në përkrah – mjafton të shihen debatet për mundësinë e një “force evropiane sigurie” në Ukrainë, pa një “garanci” amerikane prapa saj.
Por ndërkohë që NATO përballet me pasiguri, edhe rusët përballen me të njëjtën gjë. Trump është aq i paparashikueshëm saqë reagimet e tij në një krizë ndërkombëtare nuk mund të parashikohen. Shumë analistë të Trump menduan se ai nuk do ta autorizonte kurrë pjesëmarrjen amerikane në bombardimet mbi Iranin. E megjithatë, ai pikërisht këtë bëri.
Edhe nëse Amerika do të qëndronte mënjanë në një krizë në Balltik, britanikët, francezët, gjermanët dhe kanadezët kanë të gjithë trupa të vendosur atje, të betuar për të luftuar. Polonia dhe Finlanda – të dyja kombe të armatosura mirë – e dinë se siguria e tyre është ngushtësisht e lidhur me fatin e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Ata gjithashtu, me shumë gjasa, do t’i mbronin shtetet baltike.
Do të ishte një lojë e pamatur për Putinin të testonte vullnetin e vendeve të NATO-s për të mbrojtur kufirin lindor të aleancës. Fatkeqësisht, siç e zbuloi bota kur forcat ruse përparuan drejt Kievit në vitin 2022, Putini është më se i aftë të bëjë lojëra të pamatura. / FT – bota.al