Analiza

Putini, Bashkimi Evropian dhe gazësjellësi

Nicolas Mazzucchi
Studiues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

File photo of Russia's President Putin meeting with Gazprom's Chief Executive Miller at the Novo-Ogaryovo residence outside Moscow

Një bubullimë e vogël u dëgjua në botën e vogël të energjisë më 1 dhjetor 2014 me njoftimin e Vladimir Putinit – që më pas u konfirmua nga Aleksej Miller, Drejtor Ekzekutiv i Gazprom-it – për heqjen dorë nga projekti i gazësjellësit South Stream, i cili me tubacione moderne do të plotësonte sistemin e gazit rus  drejt Evropës me një degë jugore në Detin e Zi. Me një kapacitet prej 63 miljard m3 në vit, ai e kalonte projektin Nord Stream me rreth 10 miljard m3 duke i siguruar furnizimin e vendeve ballkanike dhe të Evropës së Jugut.
Sigurisht, kontratat e zakonshme afatgjata  ishin parashikuar për të  vendosur Rusinë si partnere të paevitueshme të Italisë me Bullgarinë. Konsorciumi i South Stream ishte modeluar sipas projektit të Nord Stream, me një pjesmarrje më të madhe të Gazprom-it dhe me shumë partneritete me kompani gjatë shtrirjes së tubacioneve si NIS, OMV, MOL, por gjithashtu me klientët finalë si EDF, ENI, Wintershall. Kjo strategji e implikimit të  kompanive evropiane do t’i lejonte Gazprom-it të ndryshonte imazhin e projektit të tij, i cili nga rus, do të bëhej ruso-evropian.
Megjithatë, a është ky tani apo përkohësisht i varrosur si rezultat i një serie ngjarjesh gjeopolitike dhe ekonomike që shfaqin edhe njëherë rolin madhor të gjeoekonomisë si një kuadër shpjegues të marrëdhënieve të reja ndërkombëtare në globalizimin?
Së pari, duhet të pranojmë se vetë Rusia nuk e ka mbajtur të fshehtë një nga arsyet kryesore të këtij dështimi: kundërshtimi i Komisionit Evropian, sidomos në mungesë të ofertave për kontratat në Bullgari, që bllokonin avancimin e punimeve qysh prej disa muajsh. Në fakt, autoritetet e Brukselit dukeshin mjaft të vendosura për të ngadalësuar projektin sa të ishte e mundur, aq më tepër pas tensioneve midis Rusisë dhe Evropës për ngjarjet në Ukrainë. Janë pikërisht ngjarjet e Ukrainës që janë të parat, si dhe vullneti i vendeve perëndimore për të dënuar Rusinë, që ndihmojnë për të kuptuar më mirë se heqja dorë nga South Stream duket edhe si një formë kundërvënieje ndaj sanksioneve ruse. Duke vendosur në mënyrë të njëanshme për të braktisur projektin, Vladimir Putini bëri zgjedhjen që të krijonte një mini-kaos në botën energjitike evropiane, për të bërë që të ndihet më mirë pesha e vendit të tij në këtë sektor.
Gjithësesi, këtë vendim nuk duhet ta reduktojmë vetëm me faktorë gjeopolitikë. Në fakt, rënia globale e çmimeve të naftës dhe gazit nuk është se nuk mendohet nga drejtuesit e Gazprom-it. Njoftimi nga ministri i zhvillimit ekonomik për humbjet vjetore të ekonomisë ruse zyrtarizoi impaktin e kësaj rënie të vazhdueshme për një ekonomi e cila është shumë e varur nga eksportet e lëndëve të para.
Duke lajmëruar fundin e projektit South Stream, Rusia krijon një tension në tregjet evropiane dhe ka besim për një ngritje të çmimit. Kjo është gjithashtu një mënyrë për të kufizuar në kohë volumet e gazit të disponueshëm në Evropë, meqënëse projekti konkurues i South Stream, TAP-i, do të zotërojë vetëm 1/8 e kapacitetit të South Stream-it.
Kjo i lejon Rusisë, pa hapur shumë fusha të reja gazi, të riorientojë furnizimet e saj drejt partnerëve të rinj si Kina, apo duke forcuar ato ekzistuese me Turqinë. Me këtë të fundit, Moska ka njoftuar një rritje të volumeve të furnizimit me hidrokarbure dhe shkëmbimet në monedha kombëtare për të shmangur monopolin e dollarit amerikan, një startegji që e zbaton me Kinën.
Forcimi i marrëdhënies ruso-turke regjistrohet në një riorientim global të gjeoekonomisë kombëtare drejt Lindjes me një vullnet të Moskës për të mos qenë më e varur nga Evropa. Sigurisht bëhet fjalë për një strategji e cila do të sjellë frutet e saj vetëm pas disa vitesh. Çështja e logjistikës dhe infrastrukturave në këtë fushë është veçanërisht kritike, por autoritetet ruse kanë shfaqur tashmë një vullnet për këto çështje.
Kjo zgjedhje duhet integruar gjithashtu në kuadrin më të gjerë të uljes së kërkesës evropiane. Qysh prej shumë muajsh apo vitesh, sipas vendeve, konsumi i hidrokarbureve është në rënie dhe OCDE parashikon se kjo tendencë do të shpejtohet akoma në vitet e ardhshme, sipas ritmit të zhvillimit të energjive të rinovueshme si dhe zgjidhjet e efikasitetit energjitik duke përfshirë smart grids. Në këtë kuadër, vendet në zhvillim, si Turqia, Korea e Jugut apo India shfaqen si partnerët afatmesëm e afatgjatë më interesantë  kundrejt parshikimeve të kërkesës së tyre kombëtare.
Mbetet më në fund një hipotezë ajo e vullnetit rus për të influencuar qeveritë evropiane përmes ndërmarrjeve të tyre energjitike. Partneritetet e përfunduar me kompanitë e gazit dhe ato energjitike si ENI (Itali) apo EDF (Francë) kishin vendosur një lidhje të rëndësishme me Gazprom-in. Njoftimi i shpejtë i lënies së projektit me akuzën e drejtpërdrejtë të Vladimir Putinit për politikbërësit evropianë mund të krijojë mosmarrëveshje në Perëndim. Rusia mund të mbështetet në faktin që këto ndërmarrje, disa nga të cilat si ENI, EDF, MOL, etj zotërohen pak a shumë në mënyrë direkte nga shtetet e tyre, transformohen në organe lobingu duke i shërbyer interesave të saj, me qëllimin për të shmangur një anullim definitiv të një projekti, i cili për disa ka një karakter tepër  strategjik.
Nëqoftëse disa shohin me lehtësim tridentin e gazit rus që shembet me fundin e South Stream, çështjet gjithmonë mbeten të mvarura. Shumë vende, kryesisht ata të Ballkanit shpresonin kështu për këtë projekt për zhvillimin e tyre ekmonomik. Me të njëjtën mënyrë, nëqoftëse sistemi aktual me Nord Stream dhe rrjeti tokësor Ukrainë-Bjellorusi duket i mjaftueshëm për nevojat aktuale të Evropës, ai krijon një mungesë ekuilibri në furnizimet, në përfitim të disa vëndeve, duke filluar nga Gjermania.
Fundi i South Stream nuk do të thotë që ky gazsjellës automatikisht do të zëvendësohet nga projekte të tjera. Gazsjellësi Nabucco duket se është në gjendje vdekje klinike qysh prej shumë kohësh, ndërsa gazësjellësi TAP ka shumë pengesa për të kapërcyer para se ai të mund të ndërtohet, siç e dëshmojnë manifestimet që u zhvilluan në Jug të Italisë me inisiativën e Lëvizjes 5 Yjet të Beppe Grillo-s.

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button