Analiza

Putini dhe ligjet e Gravitetit. (Ose, përse Krimea s’ka lidhje me gjeopolitikën)

Thomas L. Friedman

Putini dhe ligjet e gravitetitNjë gjë që kam mësuar teksa mbuloja Lindjen e Mesme për shumë vite, është se vjen “mëngjesi i të nesërmes”, por vjen edhe “mëngjesi i të pasnesërmes”. Asnjëherë mos i ngatërroni këta të dy.

Mëngjesi i të nesërmes pas një ngjarjeje të madhe, është kur budallenjtë nxitojnë dhe deklarojnë se fitorja apo humbja e dikujt në një betejë të vetme “ka ndryshuar gjithcka, përgjithmonë”. Mëngjesin e të pasnesërmes, ligjet e gravitetit fillojnë të zbatohen vetë. Gjërat shpesh nuk duken aq mirë, apo aq keq sa mendonit. Dhe kjo më sjell tek aneksimi i Krimesë nga Vladimir Putini.

Mëngjesin e të nesërmes, ai ishte heroi i Rusisë. Disa komentatorë të pavlerë, edhe këtu (në SHBA), shprehën madje dëshirën, sikur të kishim dhe ne një udhëheqës të tillë “të vendosur”. Le të shohim si do të jetë Putini mëngjesin e të pasnesërmes, dmth pas gjashtë muajsh. Nuk dua të bëj parashikime, por një gjë do ta them. Putini është duke sfiduar njëkohësisht tre prej forcave më të fuqishme të planetit: Natyrën Njerëzore, Nënën Natyrë, dhe Ligjin e Moorit. Pac fat, Vladimir.

Marrja e Krimesë nga Putini, natyrisht që nxjerr në pah ndikimin e qëndrueshëm të gjeografisë në gjeopolitikë. Rusia është një shtet kontinental, që shtrihet përgjatë një mase të madhe toke, me shumë pak pengesa natyrore që ta mbrojnë. Cdo udhëheqës i Kremlinit – që nga carët, tek komisarët dhe tek hajdutët – ka qenë i obsesionuar pas mbrojtjes së periferisë së Rusisë, prej pushtuesve të supozuar. Rusia ka interesa legjitimë për sigurinë, por ky episod nuk ka të bëjë me ta.

Drama e fundit në Ukrainë nuk nisi me gjeografinë – pra me një fuqi të huaj që përpiqet të hyjë në Rusi, sado që Putini dëshiron të pretendojë që kështu ndodhi. Kjo histori nisi me njerëz brenda orbitës së Rusisë, që donin të dilnin jashtë. Një numër i madh ukrainasish donin që ta lidhnin të ardhmen e tyre ekonomike me Bashkimin Europian, dhe jo me Unionit Euraziatik të Putinit. Kjo histori, në thelb, u ndez dhe u vu në lëvizje prej natyrës njerëzore – kërkimi këmbëngulës i njerëzve për të kërkuar një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre – dhe jo nga gjeopolitika, apo as edhe nga nacionalizmi. Kjo nuk është një histori “pushtimi”. Kjo është një histori “Eksodi”.

Dhe nuk ka si të ketë dyshime. Një artikull i fundit në Bloomberg vërente që, në vitin 2012, GDP për frymë në Ukrainë ishte 6394 USD – pothuajse 25 % më pak se niveli që kishte afro cerek shekulli më parë. Por nëse e krahasoni Ukrainën me katër prej ish fqinjëve të saj sovjetikë, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë, “GDP mesatar për frymë në ata vende është afro 17 mijë USD”. A mund të fajësohen ukrainasit se donin të hynin në një tjetër klub?

Por Putini po shpreson gjithashtu që bota të mos bëjë asgjë për Nënën Natyrë dhe që kjo e fundit të ecë me hapa gjigandë. Afro 70 përqind e eksporteve të Rusisë janë gaz dhe naftë, dhe ata zënë pothuajse gjysmën e të gjithë të ardhurave shtetërore. (Kur ka qenë hera e fundit që keni blerë dicka me etiketën Made in Russia?) Putini praktikisht ka vënë në bast të tashmen dhe të ardhmen e vendit të tij mbi hirdokarburet, në një kohë kur krye-ekonomisti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ka deklaruar se “afro dy të tretat e të gjithë rezervave të vërtetuara të naftës, gazit dhe qymyrit do të duhet të lihen të pazhvilluara, nëse bota do të dojë të arrijë objektivat sa i përket ngrohjes globale, duke e limituar në dy gradë rritjen, që nga revolucioni industrial”. Kapërcimi i këtij kufiri të dy gradëshit do të rrisë dramatikisht gjasat për shkrirjen e Arktikut, rritje të rrezikshme të nivelit të deteve, do të sjellë më shumë superstuhira dhe ndryshime klime të paimagjinueshëm.

Ish ministri saudit i Naftës, sheiku Ahmed Zaki Yamani u tha dikur kolegëve të tij në OPEC, dicka që Putini duhet ta mbajë mend: “Epoka e Gurit nuk mori fund nga që na mbaruan gurët”. Mori fund sepse shpikëm mjetet e bronzit, që ishin më produktive. Edhe epoka e hidrokarbureve do të duhet të marrë fund me shumë naftë, qymyr dhe gaz që mbeten nën tokë, të zëvendësuar nga forma më të pastra të prodhimit të energjisë, ose përndrysha Nëna Natyrë do të na ndëshkojë. Putini po vë bast për të kundërtën.

Si thuhet Ligji i Moorit në rusisht? E kam fjalën për teoremën e Gordon Moore, një prej bashkëthemeluesve të Intelit, që thoshte se fuqia e microchip-eve do të dyfishohet pas cdo dy vitesh. Cdokush që merret me energjinë sot, mund të thotë se dicka e ngjashme me Ligjin e Moorit po ndodh me energjinë diellore, cmimi i të cilës po bie kaq shpejt, saqë gjithmonë e më shumë banesa, por edhe impiante po e gjejnë më të lirë për ta instaluar, se sa gazi natyror. Edhe energjia e erës po shkon në një trajektore të ngjashme, ashtu sikurse dhe eficenca e energjisë. Kina i ka hyrë një rruge, ku shpreson që deri në 2020, 15% të energjisë elektrike ta prodhojë prej burimeve të rinovueshëm, dhe nuk do të ndalet këtu. Nuk mund të ndalet, përndryshe populli i saj do të pushojë së marri frymë. Nëse Amerika dhe Europa do të bënin një shtytje sado të vogël tani drejt politikave të energjive të rinovueshme për të reduktuar më shumë të ardhurat e Putinit nga nafta, këta veprime do të sillnin dobi të madhe shumë më shpejt nga sa e mendojnë njerëzit.

Legjitimiteti i udhëheqësve të Kinës sot, varet pjesërisht nga aftësia e tyre për ta bërë më të gjelbër sistemi e energjisë në vend, me qëllim që populli i tyre të marrë frymë. Legjitimiteti i Putinit varet sa do mbajë Rusinë dhe Perëndimin të varur prej gazit dhe naftës ruse. Për kë doni të vini bast?

Kështu që, përpara se ta kurorëzojmë sërish Putinin si “Njeriu i Vitit i Revistës Time”, le të presim mëngjesin e të pasnesërmes. (New York Times)

Leave a Reply

Back to top button