Analiza

Putini dhe Papa

Në këtë botë me gjithnjë e më pak rend, ka dy udhëheqës me ndikim të madh, të cilët kanë shumë rëndësi, por në drejtime të ndryshëm

Thomas L. Friedman

Putini dhe papaKur lexoj gazetat këto ditë, kuptoj se dy udhëheqësit botërorë që nxisin më shumë pasionet tek unë janë Papa Francesku dhe Vladimir Putini. Njëri është gjithçka që do të doje tek një udhëheqës, tjetri gjithçka që nuk do të doje. Njëri ka ndikim mbi 1.2 miliardë katolikë, tjetri mbi një hapësirë të shtrirë në nëntë zona orare. Njëri vazhdon të na befasojë me aftësinë e tij për ndjeshmëri, ndërsa tjetri po na habit me aftësinë për t’u shndërruar në një bandit të klasit të parë. Por asnjëri nuk mund të injorohet dhe të dy kanë një ndikim shumë të madh mbi botën sot.
Së pari, Papa. Në një kohë kur kaq shumë udhëheqës nëpër botë po përpiqen të stimulojnë fatet e tyre politikë duke shfrytëzuar pakënaqësitë dhe grindjet, kemi një Papë që i kërkon ndjekësve të tij të provojnë diçka të vështirë, diçka jashtë rehatisë së tyre, duke i shtyrë të bëhen më përfshirës dhe më pranues me homoseksualët dhe të divorcuarit.
Po, Francesku u kritikua prej peshkopëve konservatorë gjatë sinodës së fundit në Vatikan, kur u kërkoi atyre të pranojnë idenë që “homoseksualët kanë dhunti dhe cilësi që mund t’ia ofrojnë komunitetit të krishterë”, duke shtuar “a jemi ne në gjendje të mirëpresim këta njerëz, duke u garantuar atyre një hapësirë vëllazërore në komunitetet tanë?”
Por, siç shkruhej edhe në një editorial të The New York Times, “vetë fakti që Francesku urdhëroi liderët e Kishës që të përballen me këto sfida, shënon një pikë kthese të rëndësishme në historinë e Vatikanit”. Papa kërkoi që gjuha e refuzuar të publikohej që ta shohin të gjithë, ndërkohë që bëri thirrje për të bërë kujdes ndaj “mungesës armiqësore të fleksibilitetit – domethënë dëshirës për t’u mbyllur brenda fjalës së shkruar, duke mos e lejuar veten që të habitet prej Zotit”.
“Mungesë armiqësore fleksibiliteti?” Cilin lidership përshkruan kjo shprehje? Shikoni sjelljen e Putinit kohët e fundit: Ushtria e tij u përfshi në mënyrë indirekte në rrëzimin e një avioni civil malajzian mbi Ukrainë, dhe KGB-ja e tij jo vetëm është përpjekur për të shkëputur një copë nga Ukraina, por ajo ka futur “sqepin” edhe në Estoni, Gjeorgji dhe Moldavi, të gjitha nën pretekstin e mbrojtjes së “rusishtfolësve”.
Unë kam qenë kundër ekspansionit të NATO-s sepse besoja që ka disa shumë pak probleme globalë, që ne mund t’i zgjidhim pa ndihmën e Rusisë. Duke zgjeruar NATO-n në fund të Luftës së Ftohtë, kur Rusia ishte e dobët, ne ndihmuam të kultivojmë një politikë atje, e cila një ditë do të mirëpriste mesazhin e Putinit se Perëndimi po i kundërvihet Rusisë. Por, thënë kjo, mesazhi është një gënjeshtër. Perëndimi nuk ka qëllim të fusë Ukrainën në NATO. Dhe ju lutem, të ngrejë dorën kush mendon që Bashkimi Europian ka ndërmend të pushtojë Rusinë.
Megjithatë, Putini i shfrytëzon këto frikëra për dy arsye. Së pari, ai ka një keqardhje shumë të madhe, se Rusia nuk është më fuqia globale që ka qenë dikur. Por në vend që ta bëjë Rusinë sërish të madhe duke shfrytëzuar potencialin e popullit të saj shumë krijues – duke i fuqizuar me arsimin, sundimin e ligjit dhe politikën konsensuale për ta përmbushur këtë potencial – ai ka zgjedhur më mirë të shfrytëzojë burimet e gazit dhe naftës, si dhe t’ia marrë pushtetin popullit të tij.
Dhe në vend të krijojë një Rusi që të jetë shembull për fqinjët e saj, ai përdor forcën që nafta dhe gazi ende ia mundësojnë. Ndërkohë që shfryn kundër NATO-s, ai në të vërtetë ka frikë prej zgjerimit të Bashkimit Europian – se ukrainasit do të preferonin më mirë tregun dhe rregullat demokratikë të BE-së, se sa lidhjet e tyre historike me Rusinë, për arsye se ata e dinë që përmes BE-së mund të realizojnë tërësisht potencialin e tyre, gjë që do të ishte e pamundur me Rusinë.
Duke rrëmbyer Krimenë dhe ringjallur nacionalizmin, Putini nuk po mbronte Rusinë nga NATO. Ai po mbronte vetveten nga viruset e llogaridhënies dhe transparencës së BE-së, që nëse hedhin rrënjë në Ukrainë, mund të përhapen edhe drejt Moskës, duke dëmtuar kështu nga themelet kleptokracinë e tij.
Normalisht, as do të më bëhej vonë, por kur bota është e ndarë mes zonave të rendit dhe zonave të kaosit, dhe bota e rendit ka nevojë të bashkëpunojë për të frenuar dhe sprapsur atë të kaosit, fakti që Putini po shkakton kaos në kufijtë e Rusisë, dhe nuk po bashkëpunon për të nxitur rendin në Lindjen e Mesme, është një problem real.
Më shqetësues është fakti që, vendi që Putini rrezikon më shumë është vetë Rusia. Nëse gjërat shkojnë keq atje – dhe ekonomia e saj tashmë po i vuan sanksionet e Perëndimit – bota e kaosit do të zmadhohej shumë.
Prandaj lidershipi i Putinit ka shumë rëndësi, ashtu sikurse dhe ai i Papës. Unë jam fokusuar tek Putini sepse mendoj se ai po e bën botën një vend më të keq për arsye të këqia, në një kohë kur mund të bënte dallimin në Europë dhe në Lindjen e Mesme, me vetëm pak më shumë mirësi dhe bashkëpunim. Edhe Amerika ka shumë për të mësuar nga përulësia e Papës, por thoni ç’të doni, ne jemi ende të fokusuar në përpjekjet për të forcuar njerëzit e zakonshëm në botë, qoftë duke i mbrojtur nga xhihadistët në Irak, qoftë duke luftuar Ebolën në Afrikë. Mund të bëjmë më shumë. Putini duhet të bëjë shumë më tepër.
“Udhëheqësit më të mirë nuk vendosin objektiva të ndruajtur dhe egoistë që janë të kollajtë për t’u arritur, por vendosin objektiva të guximshëm dhe gjithëpërfshirës, që janë të vështirë për t’u arritur”, ka thënë Timothy Shriver, Kryetari i Special Olympics, i cili sapo ka shkruajtur një libër për lidershipin: “Plotësisht të gjallë: Të zbulosh gjërat që kanë më shumë rëndësi”. Të gjithë po përpiqemi t’i japim kuptim një botë pa një qendër, por këtë kuptim do ta gjejmë vetëm tek njerëzit që udhëheqin me një përulësi origjinale dhe bujari të pakufishme”. /NYT/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button