Analiza

Putini, Erdogani dhe Orbani: “Vëllezër” të një skuadre?

putin erdogan orbanAndrás Simonyi*
A janë presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti i sapozgjedhur turk, Erdogan dhe vëllai i tyre i vogël, Kryeministri Viktor Orban, një “Band of Brothers” (Vëllezër të një skuadre)?
Ata mund të deklarojnë me krenari se kanë krijuar sisteme hibridë, regjime joliberalë në vendet e tyre, me strukturat e demokracisë të tredhura (u kërkoj sinqerisht falje eunukëve të Perandorisë Otomane) gjatë viteve të fundit.
Historikisht, Rusia, Turqia dhe Hungaria janë lëkundur mes Perëndimit dhe Lindjes, mes Charlemagne dhe Genghis Khanit, si modele të tyre. Sot, duket se janë përsëri në fazën e Genghisit.
Ndërkohë që duhet të jemi të vetëdijshëm për dallimet e mëdha që ekzistojnë mes liderëve të tyre, ka edhe disa ngjashmëri mbresëlënëse Të tre janë politikanë të talentuar. Të tre kanë përftuar tashmë një shije për pushtetin kohëgjatë dhe kanë vendosur të qëndrojnë në pozicionin udhëheqës të vendeve të tyre, për një kohë shumë të gjatë. Ideologjia, procesi dhe politika, demokracia formale janë për ta mjete në shërbim të arritjes së këtij qëllimi.
Nuk ka dyshim, Putini, Erdogani dhe Orbani kanë të tre një aftësi për të kuptuar shpirtin (lexo: frikërat) e popujve të tyre. Ata u drejtohen ëndrrave të popujve të tyre, të lavdive dhe madhështisë së të kaluarës, ndërtojnë ideologjinë e tyre mbi “veçantinë” e kombit të tyre (më vjen keq Amerikë, në këtë lojë nuk je e vetme). Ata shfrytëzojnë gjithashtu nacionalizmin dhe ksenofobinë, dhe nuk arrijnë të kuptojnë që është pikërisht ndërthurja e kombësive të tëyre të ndryshme, që ka shërbyer si një burim madhor force në këta shtete.
Ambicia e tyre është që të jenë forca udhëheqëse dhe ndoshta shembulli në rajonet e tyre respektivë (besojeni apo jo, këtu përfshihet edhe Orbani), që ta shohin veten si një burim frymëzimi për të tjerët. Ata shfrytëzojnë gjithashtu ndjenjat e braktisjes nga Perëndimi tek popullsia e gjerë. (Këtu duhet ta pranojmë: Viktor Orbani është një lloj zogu ende në vezë, pasi është kryeministër i një vendi që është anëtar i Bashkimit Europian dhe që do të falimentonte totalisht pa 17 miliardë eurot e ndihmës që ka marrë gjatë 10 viteve të anëtarësimit).
Armiqësia e tyre ndaj Perëndimit është personale. NXitet prej frikës nga demokracia, me kontrollet dhe ekuilibrat e saj, si dhe me sistemet e zgjedhjeve që, pavarësisht gjithë të metave, gjithësesi e bëjnë të mundur ndryshimin politik.
Një pjesë e arsyeve për daljen në skenë të tyre i kemi shkaktuar vetë, dhe ato qëndrojnë në vetëkënaqësinë tonë. Ne i morëm për të mirëqenë përparimet fitimtarë, të pandalshëm dhe të vazhdueshëm të demokracisë në botë. Perëndimi nuk u tregua i ndjeshëm ndaj vuajtjeve dhe vështirësive në rrugën e tranzicionit të Europës Lindore, duke mos arritur të kuptojë rreziqet që paraqiste zhgënjimi. Europa nuk ka qenë bujare me Turqinë, anëtarësimi i të cilës në BE duhej të ishte ofruar shumë kohë më parë. Si pasojë, BE i braktisi elitat properëndimore atje.
Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm kur nxjerrim konkluzione. Erdogani mund të vijë në vete dhe mund të mos synojë një fitore 99 përqind të votave pas pesë vitesh. Fitorja e tij nuk është aspak dërrmuese. Rezultatet e zgjedhjeve, padyshim tregojnë shenja të një shoqërie të shëndoshë në Turqi. Edhe hungarezët po vihen në lëvizje dalëngadalë dhe në heshtje. Orbani ka një vetëkënaqësi të tepruar, një shenjë e sigurtë kjo e fillimit të fundit. Ndërsa Putini pati nevojë për pushtimin e një vendi të huaj, për të rritur popullaritetin e tij.
Duhet të jemi të qartë në mesazhin tonë: askush nuk duhet ta shohë pafuqinë e disa udhëheqësve në Perëndim, si rënien dhe fundin e demokracive perëndimore. Përgjigja ndaj keqfunksionimit, apo edhe krizës së rëndë të demokracive liberale nuk është “demokracia” joliberale, por një demokraci më e mirë dhe më e fortë. Përgjigja ndaj lidershipit të dobët në perëndim nuk duhet të jetë pranimi i modelit të një lidershipi më autokratik në shtete autoritarë, por një lidership i mirë, pragmatik dhe i ngritur mbi konsensusin. Përgjigja ndaj një shtypi të ikur tashmë, nënjë krizë vlerash, nuk është kontrolli shtetëror dhe censura e medias, por rivendosja e standarteve moralë të gazetarisë. Përgjigja ndaj pabarazisë dobësuese në shpërndarjen e pasurisë në shoqëritë tona nuk është krijimi i një klase të re baronësh dhe oligarkësh që zhvasin, por një mbikëqyrje më e fortë dhe transparencë më e madhe e transaksioneve ekonomikë dhe të biznesit. Përgjigjet e qëndrueshme ndaj sfidave të shekullit 21 qëndrojnë në institucionet e fortë demokratikë.
Eshtë në interesin tonë që të marrim eksperiencat e vendeve nordikë, si shembulli që dujhet ndjekur. Norvegjia, Danimarka, Suedia dhe Finlanda u janë përgjigjur të gjitha rreziqeve de sfidave të sotme me një thirrje për më shumë demokraci, jo më pak. Më shumë diversitet, jo më pak. Më shumë solidaritet, jo më pak. Ekonomi më të hapura dhe më konkuruese, dhe jo izolim e autarki.
Përhapja e modelit joliberal (kohët e fundit u vlerësua haptas prej Orbanit në një fjalim publik, si një alternativë reale ndaj “sistemit liberal perëndimor të dështuar”) duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për të gjithë ne, që të kuptojmë realitetet e kësaj bote, që sot është një kaos i vërtetë.
Dorëzimi nuk është opsion. Ky Grup Vëllezërish bën mirë të përgatitet për kohë të vështira. Demokracitë do të kundërsulmojnë. Me më shumë demokraci, jo më pak. /HuffPost/
* Drejtor i Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike, Universiteti John Hopkins
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

 

Leave a Reply

Back to top button