Analiza

Putini mbi akull

Stephen Holmes & Ivan Krastev

Veprimet e Rusisë në Donbas mund të jenë më simbolikë dhe oportunistë, se sa strategjikë. Por kjo nuk i bën më pak të rrezikshëm. Putini e ka humbur tashmë iniciativën që rroku në Krime, duke e shndërruar betejën e përgjakshme për Donbasin në një ngërç të pazgjidhshëm. Me çmimet e naftës që bien, Putini mund të ndihet tashmë i detyruar që të bëjë nëj tjetër lëvizje të dëshpëruar dhe shkatërrimtare, me shpresën për të bindur botën se është ai në kontroll të situatës

Putin snow

Temperaturat globale po rriten, por konfliktet e ngrirë të ish Bashkimit Sovjetik nuk po shfaqin shenja shkrirjeje. Përkundrazi, akulli po zgjerohet.
Mbështetja e Rusisë për zgjedhjet e mbajtura nga separatistët në Donetsk dhe Luhansk – qytete kyçë në rajonin e Donbasit – tregon se Kremlini ka vendosur të krijojë një tjetër “mini Luftë të Ftohtë” gjysmë-permanente, këtë herë në zonat e kontrolluara nga rebelët, të fqinjit më të rëndësishëm të Rusisë. Por “ngrirja” dhe përjashtimi nga rajoni i qeverisë legjitime të Ukrainës është ndoshta shumë më destabilizuese se sa mbështetja e Kremlinit për territore të tjerë ish sovjetikë: Transnistria e Moldavisë dhe rajonet gjeorgjianë të Abkhazisë dhe Oshetisë së Jugut.
Duke e turbulluar kufirin e saj me Ukrainën, Rusia po krijon një marrëdhënie të re me një entitet anormal, të panjohshëm ndërkombëtarisht, i cili kulturalisht dhe historikisht i përket jo “Novorossiyas” imagjinare të shpallur nga separatistët, por Bashkimit Sovjetik “të pavdekur”. Pyetja është, përse presidenti rus, Vladimir Putin dhe enturazhi i tij e shohin një konflikt të ngrirë në Donbas, i krijuar për të prodhuar një marrëveshje politike ose paqe jetëgjatë, si një rezultat pozitiv për vendin e tyre.
Brenda kufijve të tyre aktualë, Donetsku dhe Luhanski kanë një rëndësi strategjike të papërfillshme për Rusinë. Po kështu, një Donbas i pavarur, do të sillte kosto të mëdha për Rusinë, e cila supozohet që do të detyrohej të rindërtonte dhe mbante në këmbë një ekonomi ku do të mungonin të gjithë investimet e tjerë të huaj.
Ndryshe nga Transnistria apo Abkhazia, Donbasi është një rajon i industrisë së rëndë dhe i varur prej subvencioneve; infrastruktura e tij është e shkatërruar; dhe bizneset aty janë kryesisht në pronësi të oligarkëve, të cilët janë larguar për në Kiev, Londër, Paris dhe jo në Moskë, për t’i shpëtuar konfliktit. Shtoji kësaj edhe statusin ligjor të parregullt të këtyre “republikave popullore” të vetëshpallura, (i cili ua bën të pamundur prodhuesve industrialë të Donbasit të bëjnë tregti me botën, dhe perspektiva ekonomike (dhe sociale) e rajonit duket e pashpresë.
Qytetarët e rajoneve të tjerë prorusë u janë nënshtruar prej kohësh sistemeve të tyre të varfër “feudalo demokratikë”, në të cilët udhëheqësit vendas zhvillojnë zgjedhje të manipuluara dhe e ngrejnë pushtetin e tyre mbi korrupsionin dhe patronazhin e stilit mafioz. Pas muajsh premtime boshe nga udhëheqësit separatistë, qytetarët e Donetskut dhe Luhanskit nuk ka gjasa që të pranojnë në heshtje transformimin e Donbasit në një tjetër njësi të izoluar ndërkombëtarisht, që i shkon më shumë për shtat rrjeteve kriminalë me qendër në Rusi.
Duke krijuar një konflikt të ngrirë në Donbas, Rusia i ka ngulur një gjemb Ukrainës dhe në terma kohëshkurtër, i ka ndërlikuar marrëdhëniet mes presidentit ukrainas, Petro Poroshenko dhe Kryeministrit të vendit, Arseniy Yatsenyuk. Por ai ka garantuar gjithashtu që, në terma kohëgjatë, shteti ukrainas do të konsolidohet përreth ndjenjave dhe politikave antiruse – që do të thotë se Rusia nuk do të jetë në gjendje të normalizojë marrëdhëniet me Ukrainën për disa dekada.
Gjithashtu, mbështetja e Putinit për separatistët e Donbasit është gozhda e fundit në arkivolin e projektit të tij të integrimit rajonal, një Union Ekonomik Euraziatik i udhëhequr nga Rusia. Ironikisht, ambiciet e Rusisë për këtë Union janë ato që nxitën reagimin e saj me forcë ndaj zhvendosjes së Ukrainës drejt perëndimit, teksa Putini pranonte që, pa Ukrainën, blloku nuk do të përmbyshte vizionin e tij si një rival i mundshëm ndaj Bashkimit Europian. Megjithatë, shkelja flagrante dhe e pafalshme që Rusia i ka bërë integritetit territorial të Ukrainës jo vetëm i ka dëmtuar marrëdhëniet me Kievin; ajo kërcënon gjithashtu edhe kandidatë të tjerë për anëtarësim në Unionin Ekonomik Euraziatik, sidomos Kazakistanin, shtetësinë e pavarur të të cilit Rusia e ka vënë tashmë haptaz në dyshim.
Cila është dobia gjeopolitike për Rusinë, në shndërrimin e një Donbasi të paqëndrueshëm në një “instalim” të përhershëm në skajin e vet jugor? Përse Kremlini duhet të tregojë “respekt” për zgjedhje që praktikisht asnjë shtet tjetër nuk i njeh?
Përgjigja mund të jetë thjeshtë që Kremlini që e ka vënë veten pas qoshes. Mediat shtetërore ruse, bashkë me nacionalistët në vend, kanë ushqyer një atmosferë publike të ndërkryer, e cila e privon nga fleksibiliteti politikën e Rusisë kundrejt Ukrainës. Në vend të një strategjie gjithëpërfshirëse, Kremlini po mbështetet në veprime ad hoc për të siguruar që publiku rus të mos e shohë sikur po tradhëton rebelët në Ukrainë. Nga ana e tyre, udhëheqësit rebelë ukrainas, që nuk duan të humbasin qendrat e fituara së fundmi, po lobojnë fort kundër çdo lloj afrimi mes qeverive ruse dhe ukrainase.
Në të njëjtën kohë, Putini dëshiron t’i tregojë Perëndimit se politikat e tij kundrejt Rusisë, duke përfshirë edhe sanksionet e ashpër ekonomikë, nuk do të funksionojnë. Krijimi i më shumë konflikteve të ngrirë, që Perëndimi i urren por është i pafuqishëm t’i zgjidhë, mund t’i duket si një mënyrë për ta arritur këtë.
Shkurt, veprimet e Rusisë në Donbas mund të jenë më simbolikë dhe oportunistë, se sa strategjikë. Por kjo nuk i bën më pak të rrezikshëm. Putini e ka humbur tashmë iniciativën që rroku në Krime, duke e shndërruar betejën e përgjakshme për Donbasin në një ngërç të pazgjidhshëm. Me çmimet e naftës që bien, Putini mund të ndihet tashmë i detyruar që të bëjë nëj tjetër lëvizje të dëshpëruar dhe shkatërrimtare, me shpresën për të bindur botën se është ai në kontroll të situatës. Megjithatë, përpjekjet për të identifikuar ndonjë vizion të madh strategjik prapa taktikave të tilla, do të vazhdojnë të jenë të kota.
Përballë trysnisë nga të gjithë anët, Putini po e humbet pikëmbështetjen gjeostrategjike. Arritjet e tij në politikën e jashtme gjatë vitit të fundit nuk duhet të mbivlerësohen. Duke aneksuar Krimenë, ai humbi Ukrainën. Dhe duke “ngrirë” Donbasin, ai pothuajse e ka groposur një herë e mirë ëndrrën e tij pothuajse-imperiale për ndërtimin e Unionit Ekonomik Euraziatik.
Project Syndicate
“Bota.al” është partner i Project Syndicate dhe ka të drejtën e botimit në gjuhën shqipe të këtij komenti

Leave a Reply

Back to top button