Analiza

Putinizimi i Serbisë

Si vendi më i madh ortodoks dhe sllav në Europën Qendrore akoma jo anëtare e Bashkimit Europian, Serbia është një objektiv i lehtë për soft poker-in e Rusisë. Kremlini po llogarit tani “putinizimin” e këtij shteti ballkano-perëndimor për t’ju treguar qytetarëve rusë së politika e tij ndaj Perëndimit ka mbështetje të fortë në disa pjesë të Europës

Jelena Miliç

putinizimi i Serbise0101

Në fund të korrikut 2014, Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç informoi shoqërinë dhe anëtarët e parlamentit serb se vendi ndodhej në një situatë realisht të vështirë. Ai theksoi se i takon parlamentit që të vendosë nëse të ndjekë ose jo Bashkimin Europian dhe të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë. Vuçiç përmendi me këtë rast se Serbia nuk mund t’i mbijetonte një raundi tjetër rritjeje të çmimit të gazit dhe, pavarësisht se anëtarësimi në Bashkimin Europian është objektiv i politikës së jashtme të Serbisë, ajo duhet që të ndjekë para së gjithash interesin kombëtar të saj. Cila interesave po ju referohej? Nuk e dimë me siguri. Megjithatë, ajo çka dimë të sigurtë është se demokratizimi nuk është përmendur kurrë si një prej tyre. Pse duhet rritja e çmimit të gazit në Serbi të shikohet si një rezultat i mbështetjes së saj për sanksionet e Bashkimit Europian? Serbia e paguan tashmë Gazpromin më shumë se çdo vend tjetër europian si Gjermania, Franca, Hollanda, Finlanda, Italia dhe Danimarka. Atëhere pse elita politike serbe është aq e preokupuar rreth një shantazhi të mundshëm energjitik rus?

Nga miti tek realiteti

Mbështetja në rritje për Rusinë midis shoqërisë serbe është rezultat i dy proceseve. Njëri prej tyre është adaptimi i historisë së marrëdhënieve ruso – serbe dhe sesi lidhet kjo me objektivat e elitës politike. Narrative zyrtare historike në mënyrë të vetëdijshme anashkalon periudhat shumë të rëndësishme në historinë serbe si puna e periudhës midis luftërave, pothuajse të gjithë e periudhës së Jugosllavisë nga ndarja Tito – Stalin deri në eskalimin e krizës në Kosovë e bombardimit të NATO-s dhe periudhën e qeverisë së parë demokratike të Serbisë të Kryeministrit të ndjerë Zoran Xhinxhiç. Të gjitha këto periudha kanë një gjë të përbashkët: momente marrëdhëniesh të varfra ruso – serbe që nga periudha 2000-2003 nuk mund të ndiqnin dinamikat e marrëdhënieve të Serbisë me Perëndimin. Elita e ka injoruar gjithashtu faktin se gjithnjë e më pak serbë flasin rusisht dhe se kultura ruse është shumë më pak tërheqëse për serbët sesa ajo perëndimore. Njohja e rusishtes thjesht u flak tej nga njohja e anglishtes. Serbët që vendosin ta lënë vendin e tyre në kërkim perspektivash ekonomike më të mira nuk e zgjedhin Rusinë si destinacion. Opinioni publik po bëhet gjithnjë e më i ngopur me gjysmë të vërtetat lidhur me tregtinë ruso – serbe dhe rëndësinë e madhe e ndihmës ruse. Një shembull tipik është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Federatën Ruse në gusht të 2000, e cila është shpalosur më së shumti nga zyrtarët serbe si një gjest ekskluziv i miqësisë ruse ndaj Serbisë. Ndërkohë, të gjitha mallrat e prodhuara në Serbi kur u nënshkrua marrëveshja u përjashtuan prej saj.

Nuk ka ndryshuar shumë qysh atëhere. Gjithashtu, arsyet për bombardimin e NATO-s mbi Jugosllavi në 1999 në të vërtetë nuk i janë shpjeguar kurrë publikut serb. Në vend të kësaj, është përsëritur si refren se vendi i vetëm që e ndihmoi Serbinë në ato kohë të vështira qe Federata Ruse. Megjithatë, fakti që Rusia nuk ju kundërvu sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Serbisë (Jugosllavisë) në fillimin e Nëntëdhjetës mbetet gjerësisht i panjohur ose qëllimisht i fshirë. Një valë e madhe narrativash historike të fabrikuara filluan në 2007 kur Perëndimi po përgatitej që të njihte statusin e ri të Kosovës. Me shpejtësi e përmbyti publikun serb dhe është ende një narrativë dominuese. Qëndrimi i vendosur i Rusisë atëhere qe se Kosova është një pjesë përbërëse e territorit serb dhe se çdo shkëputje do të ishte e paligjshme. Politika kosovare e Beogradit bazohej në parimin e mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të saj kështu që gradualisht ai i intensifikoi marrëdhëniet e tij me Moskën. Rusia u bë një aleat kyç ndërkombëtar i Serbisë dhe të dyja vendet shpejt filluan që të bashkëpunojnë jo vetëm në skenën ndërkombëtare, por edhe në shumë fusha të tjera. Ky u bë glorifikimi i “miqësisë tradicionale ruso – serbe”, që aktualisht shoqërohet nga rrëfenja e një themeli ekonomik të fuqishëm.

Kjo politikë rezultoi të ishte e suksesshme, teksa një mazhorancë serbësh mbështetet mbi burimet tradicionale të informacionit që janë nën influencën mbizotëruese të elitës politike. Nuk është për t’u habitur se pse shumë marrëveshja shumë jo e favorshme e industrisë së naftë – gazit midis Serbisë dhe Rusisë, e nënshkruar në 2008, nuk hasi në ndonjë reagim nga shoqëria serbe. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, varësia serbe nga Rusia u bë reale dhe fitoi një komponent ekonomik domethënës. Deri më atëhere, natyra e saj se në pjesën më të madhe mitike. Rusia perceptohet sot nga shumica e serbëve si aleati më i ngushtë i tyre. Qytetarët serbë kanë një prej opinioneve më të favorshme për Rusinë nga të gjitha shtetet. Ndërsa më shumë se 50 përqind e serbëve kanë një opinion pozitiv (25 përqind e përshkruajnë atë si “shumë pozitiv”) për Rusinë, 82 përqind e qytetarëve serbë e shikojnë NATO-n në mënyrë negative. Shtetet e Bashkuara kanë një imazh vetëm shumë pak më të mirë. Bashkimi Europian gëzon më shumë kredit, por 43 përqind e serbëve akoma e perceptojnë negativisht. Konkluzionet e sondazheve janë më të trishtuara teksa shumica e madhe e ndihmës për Serbinë vjen nga vendet e NATO-s dhe të Bashkimit Europian. Qeveria aktuale nuk e lançoi këtë narrativë proruse, por e ka ushqyer atë. Është gabim të mendohet se arsyeja kryesore për adhurimin e ndjenjës proruse në shoqëri është ngushtësisht e lidhur me varësinë në rritje ekonomike dhe energjetike të Serbisë nga Rusia. Në fakt, ajo ka të bëjë me ngurrimin për ta demokratizuar më tej Serbinë.

Integrimi europian me mënyrën serbe

Procesi i dytë që po i sjell serbët më afër me Rusinë është rritja e kultit të personalitetit dhe homogjenizimi i shoqërisë nëpërmjet shikimit të botës së jashtme nëpërmje lenteve të teorive konspirative. Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin ia detyrojnë autoritetin e padiskutueshëm të tyre institucioneve të dobta, një gjyqësor dhe media të varur politikisht, pozicionit të privilegjuar të kishës ortodokse lindore krahasuar me besimet e tjera fetare, një sistemi financiar jo transparent dhe nënshtrimit partizan të parlamentit, institucioneve të sigurisë kombëtare dhe oligarkëve. Në të dyja vendet, kulti i personalitetit është bërë një komponent i rëndësishëm i sistemit politik të shtetit. Në nivelin social, shteti promovon një identitet kolektiv, ndërsa individualizmi dhe liritë njerëzore ndeshen me përbuzje të hapur. Serbët i dhanë një mandat të fortë Aleksandër Vuçiçit, për të cilin ndarja e pushteteve nuk do të thotë shumë. Në Serbi, ashtu si në Rusi lidershipi autokratik pranohet gjerësisht dhe mirëpritet ngrohtësisht nga qytetarët. Për pasojë, “putinizimi” i Serbisë është në zhvillim, pavarësisht progresit formal të saj drejt Bashkimit Europian që në thelb të tij duhet të nënkuptojë procesin e kundërt.

Është pjesërisht e vërtetë se Serbia nuk ka pasur kurrë një traditë demokratike të fuqishme. Kur Sllobodan Millosheviçi u mund në raundin e parë e zgjedhjeve presidenciale të 2000 dhe u tërhoq, demokracia e re serbe u përball me sfida serioze që ia bënë të vështirë të funksionojë siç duhet dhe të vihej plotësisht në rrugën evropiane. Vetëm për të përmendur disa prej tyre, Serbisë ju desh të bashkëpunojë me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, të përballonte shkëputjen e Malit të Zi dhe të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Qeveria e Zoran Xhinxhiçit u përpoq që të implementojë politikat kushtëzuese të Bashkimit Europian e Shteteve të Bashkuara dhe kjo qasje u ruajt deri në një farë mase edhe pas vrasjes së tij, por me shumë më pak presion. Qeveria e re nën Vojislav Koshtunicën i vazhdoi politikat e afrimit me Bashkimin Europian, edhe pse dështoi që praktikisht të plotësojë shumicën e kushteve të tij. maja e periudhës së sundimit nga Presidenti Boris Tadiç dhe Partisë Demokratike të tij, që pasoi Koshtunicën, qe kapja e kriminelëve të njohur të luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç. Por gjithçka erdhi me një çmim. Në të njëjtën kohë, situata e brendshme në Serbi u bë larg së qëni e kënaqshme: niveli i korrupsionit midis elitës sunduese u rrit dhe ritmi u demokratizimit u ngadalësua. Ky stil qeverisjeje karakterizon politikën serbe sot. Aleksandër Vuçiç nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila qe një gurthemeli në politikën e jashtme të Serbisë të shtrënguar nga Perëndimi, por kjo nuk e ndryshoi stilin e lidershipit të Vuçiçit ndaj të cilit Perëndimi akoma i mbyll sytë dhe mund të shikohet si një imazh në pasqyrë i Putinit. Të gjitha zërat kritikë kundër qeverisë aktualisht damkosen si antishtetërore dhe antireformë. Strategjia e qeverisë është konceptuar që ta kufizojë opozitën, shoqërinë civile dhe median e lirë. Shumica e serbëve qëndrojnë indiferentë kur vjen puna për lirinë e tyre. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se perceptimi i demokracisë nga ana e tyre në mënyrë predominuese bazohet në pozicionin ekonomik e social të tyre dhe vetëm 30 përqind prej tyre e perceptojnë demokracinë si sistemin qeverisës më të mirë.

Putinizimi i Serbisë

Politika e jashtme agresive e Kremlinit ka rezultuar në një konflikt kompleks gjithnjë e në rritje me Perëndimin. Ajo po mbështetet tani në “putinizimin” e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të mbajnë standarde institucionale dhe demokratike të ulëta edhe pse për një herë këto vende më së fundi ju bashkuan Bashkimit Europian. Pastaj, ato mund të shërbejnë si shembull se bashkimi me BE-në nuk sjell asnjë prej rezultateve të dëshiruara si demokratizimi apo një standard jetese më të mirë. Një tjetër arsye se pse Moska do ta mbajë stilin allaPutin të lidershipit në Ballkanin Perëndimor është që t’u tregojë qytetarëve të vet se politika antagoniste e saj ndaj Perëndimit ka mbështetje të fuqishme në disa pjesë të Europës.

Si vendi më i madh me shumicë dominuese ortodokse dhe sllave në Europën Qendrore që pritet të bëhet anëtar i Bashkimit Europian dhe që nuk do të bëhet anëtar i NATO-s, në një situatë ekonomike të vështirë me publikun e ekspozuar ndaj propagandës së fuqishme, Serbia është një objektiv i lehtë i soft power të Rusisë. Takimet e nivelit të lartë midis zyrtarëve serbë dhe rusë gjatë dy viteve të fundit është i shpeshtë në mënyrë të pazakontë. Kjo ndodh pavarësisht faktit se gjatë dy viteve të fundit Serbia ka bërë hapa formalë domethënës drejt integrimit në Bashkimin Europian. E njëjta logjikë aplikohet ndaj politikës së jashtme ruse prapa përpjekjeve për ta vonuar edhe më shumë integrimin me Perëndimin e shteteve të tjera në rajon si Bosnje dhe Hercegovina dhe Mali i Zi. Afrimi me Bashkimin Europian paraqitet nga Kremlini si demokratizimi i detyruar i rajonit dhe largimi nga “vëllazëria tradicionale sllavo – ortodokse”, që nuk është asgjë më shumë përveçse zonë e vetëshpallur e interesit rus.

Aneksimi i Krimesë, lufta në Ukrainën lindore dhe aktivitetet e separatistëve prorusë e zbuluan sesi demokratizimi i mëtejshëm mund të jetë i rrezikshëm për vendet që janë në orbitën e influencës ruse. Gjatë muajve të fundit, Rusia ka interferuar më aktivisht në politikat e brendshme serbe. Koordinimi i organizuar apo spontan i interesave serbe dhe ruse, publikisht dhe prapa dyerve të mbyllura (jo domosdoshmërisht në nivel shtetëror, por edhe privat) rezultuan në një lidhje speciale të grupeve dhe individëve të rëndësishëm dhe krijimin e të ashtuquajturës “orkestër të Putinit” në Serbi. Anëtarët e saj ndodhen në të gjitha institucionet strategjike: brenda kabinetit të Vuçiçit dhe të Presidentit Nikoliç, në biznes, në sektorin e energjisë dhe agjencitë e sigurisë. Gjithashtu ka anëtarë në OJQ, organizata kulturore, komunitetin akademik, sportiv dhe mediatik. Ka gjithnjë e më shumë dëshmi se disa anëtarë të “orkestrës së Putinit” financohen drejtpërsëdrejti nga Moska.

Objektivi kryesor i “orkestrës së Putinit” është që të minojë mbështetjen publike për integrimin europianë dhe të shtyjë afrimin e Serbisë me Perëndimin. Një tjetër aktor i rëndësishëm në panoramën politike serbe që ka një synim të ngjashëm është Kisha Ortodokse Serbe. Ajo po bëhet gjithnjë e më shumë konfidente me Kishës Ortodokse Ruse edhe pse më parë ndryshonte nga ekuivalenti rus i saj në fushën e lirive sociale. Leonid Reshetnikov, shefi i degës ruse të Russian Institute for Strategic Studies me influencë u dekorua kohët e fundit nga kleri ortodoks serb për kontributin e tij ndaj dialogut ruso – serb. Reshetnikov është përhapës i unitetit organik të kishës e shtetit dhe zëdhënës i një versioni të azhurnuar të idesë së Samuel Huntington se “qytetërimi ortodoks” është kundrapesha ndaj Perëndimit. Ai është një prej dirigjentëve më të shquar të kësaj orkestre. Fatkeqësisht, aktivitetet e orkestrës së Putinit në Seri kanë sjellë frute. Në fillimet e gushtit, Zyra e Integrimit Europian shpalli rezultatet e sondazhit të rregullt të saj lidhur me mbështetjen ndaj integrimit në Bashkimin Europian. Për herë të parë në vite, kjo mbështetje binte nën 50 përqind. Vetëm 46 përqind do të votonin “po” në një referendum për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian, që ishte një rënie prej 5 përqindësh qysh nga dhjetori 2013.

Fuqizim lidhjesh reciproke

Përpjekjet e intensifikuara për të forcuar lidhjet reciproke midis Serbisë dhe Rusisë u iniciuan nga Kremlini sapo Këshilli i Bashkimit Europian shpalli në fundin e 2013 gadishmërinë e Serbisë për të nisur bisedimet e negocimit me Bashkimin Europian. Në fillim të 2013, Serbia mori nga Rusia një hua prej 800 milion dollarësh për modernizimin e sistemit hekurudhor të saj. Më vonë po atë vit ajo mori një hua shtesë 500 milionëshe për të mbyllur vrimat në buxhet dhe stimuluar rritjen ekonomike. Pika e kthesës qe një vizitë në Serbi nga ana Nikolai Patrushevit, i cili kishte qenë Sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë qysh nga 2008. Fatkeqësisht, mediat nuk i kushtuan vëmendje kësaj vizite të rëndësishme. Ajo rezultoi me krijimin e një numri organizatash dhe uebsajtesh në Serbi objektivi parësor i të cilave ishte që të përhapej propaganda proPutin në vend. Ato nuk kanë mbështetje të drejtpërdrejtë nga zyrtarë të lartë shtetërorë, por ekzistenca e tyre nuk do të ishte e mundur pa dorën e padukshme të qeverisë. Nyja kryesore e propagandës ruse duket të jetë Universiteti i Beogradit.

Në mes të nëntorit 2013, ministrat e Mbrojtjes serb dhe rus nënshkruan një marrëveshje ushtarake të rëndësishme. Gjatë udhëtimit të Sergey Shoygu në Beograd, Vuçiç deklaroi se “Serbia nuk do t’i bashkohet NATO-s, por nuk do t’i bashkohet as bllokut rus”, por qysh atëhere dinamikat e bashkëpunimit ushtarak me Rusinë janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Sektori ushtarak i Serbisë, thellësisht i kompromentuar nga krimet e luftës, trafiku i armëve dhe vrasjet politike, ka nevojë për reforma të mëdha nëqoftëse Serbia ka vullnetin që t’i bashkohet Bashkimit Europian. Procesi i integrimit me NATO-n do të ishte mjaft i dobishëm në këtë fushë, por Beogradi mbetet ushtarakisht neutral dhe, për pasojë, nuk ndjek disa prej reformave në sektorin e sigurisë të kërkuara nga anëtarësimi në NATO. Pozicioni “neutral” serb është prishur nga kontaktet e shumta ushtarake me partnerë të huaj, por gradualish i spostuar në mënyrë predominuese në një nivel bilateral me theksim disproporcional në marrëdhëniet me Rusinë qysh nga kriza ukrainase. Serbia qe shteti i vetëm europian që mori pjesë në shoun ushtarak “Vallja e Tankeve” në Moskë në gusht të 2014. Më herët këtë vit, Serbia bëri manovrat ushtarake më të mëdha të saj me praninë vetëm të oficerëve rusë. Tregtia ushtarake e Serbisë me Rusinë, siç shpallet nga zyrtarë serbë dhe rusë, do të rritet në të ardhmen e afërt, gjë e cila sigurisht që do të ketë një impakt negativ mbi dinamikat e integrimit në Bashkimin Europian, sidomos për shkak të grupit të ri të sanksioneve sektoriale të vendosura nga Bashkimit Europian kundër Rusisë.

Në sektorin e energjisë, pas marrëveshjessë zgjeruar të naftës dhe gazit nga viti 2008, Serbia dhe Rusia nënshkruan kohët e fundit tri marrëveshje lidhur me ndërtimin e linjës South Stream. Një mungesë e dukshme transparence e katyre marrëveshjeve, ashtu si edhe një fushatë informacioni e varfër, në mënyrë të veçantë rreth paralajmërimeve që po kanë ardhur nga Komisioni Europian dhe Sekretariati i Komunitetit Energjitik të Europës Juglindore i të cilit Serbia është anëtare, ngre alarmin rreth këtij projekti jashtëzakonisht të kushtueshëm. Në rastin që South Stream nuk do të ndërtohet, Serbia do ta gjente veten në një pozicion mjaft të vështirë, që nuk është rasti me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian të përfshira në projekt. Beogradi përgatitet që të mos marrë asnjë kompensim për kostot tashmë të lidhura me ndërtimin e South Stream. Veç kësaj, Serbisë i duhet të dëmshpërblejë kompanitë ruse që janë të përfshira në projektin që ndodhet në territorin serb nëqoftëse projekti vazhdon. Në mënyrë të pakthyeshme, Federata Ruse është bërë tashmë pronari më i madh i kompanisë më të madhe të naftës dhe gazit të Serbisë, Petroleum Industry of Serbia (Naftna Industrija Srbije). Pavarësisht lajmërimit të Bullgarisë lidhur me ndërprerjen e ndërtimit deri kur Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian vendos lidhur me South Stream, zyrtarët serbë kanë informuar kohët e fundit opinionin publik se ndërtimi i 30 kilometrave të para i gazsjellësit me kompanitë ruse do të kompletohet nga fundi i vitit. Lajmi i mirë është se gjurma e projektit është ndryshuar dhe tani shkon drejt Hungarisë, që aktualisht do të thotë se tubacioni do të lidhet me atë ekzistues nga Ukraina, jo me atë hipotetikun nga Bullgaria.

Kontroll besnikërie

Hezitimi i Beogradit në konfliktin ukrainas e nënvizoi akoma më shumë varësinë e tij nga Rusia. Megjithëse e mbështeti integritetin territorial të Ukrainës, ai menjëherë lëshoi një deklaratë zyrtare ku nënvizohej miqësia e përjetshme me Rusinë. Një krahasim grotesk midis çështjes së aneksimit të Krimesë dhe Kosovës u përdor për herë të parë nga Vladimir Putin dhe më pas u përsërit nga shumë zyrtarë serbë, përfshi Ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç. Të dy qëllimisht nuk përmendën bisedimet e paqes që u zhvilluan për Kosovën përpara bombardimit të NATO-s, pozicionin jashtëzakonisht të ndryshëm të shqiptarëve kosovarë në Kosovë nga ai i rusëve në Krime, i ilustruar më së miri nga varrezat masive të civilëve, apo procesi i paqes nën kujdesin e bashkësisë ndërkombëtare pas bombardimit të NATO-s. Të gjithë këta faktorë i bëjnë të pamundura krahasimet midis Kosovës dhe Krimesë. Një pozicion lehtësisht më agresiv ndaj integritetit territorial të Ukrainës “edhe me Krimenë” u paraqit nga Aleksandër Vuçiç. Në fakt, mënyra me të cilën Krimeja u shkëput është mjaft e rrezikshme për Ballkanin Perëndimor për shkak se krijon hapësirë për shpërbërje të mëtejshme të Bosnje – Hercegovinës (Republika Srpska), Serbinë (Sanxhaku) and Maqedonisë (pjesës perëndimore të vendit), diçka që rrallë është përmendur në Serbi.

Stefan Fyle dhe Catherine Ashton bënë një vizitë në Serbi shpejt pasi qeveria e re u formua në maj të 2014. Në të njëjtën kohë, Beogradi shtroi qilimin e kuq për Sergey Naryshkin, President i Dumës, i cili erdhi aty për të kontrolluar besnikërinë e tij. Naryshkin, i cili është në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian dhe amerikane, i prit nga Presidenti Nikoliç, mbajti një fjalim në Asamblenë Kombëtare serbe dhe në Universitetin e Beogradit. Asnjë media nuk e përmendi që Naryshkin ishte shënjestruar nga sanksionet perëndimore. Në korrik të 2014, Kryeministri serb vizitoi Moskën. Ai u kthye me një numër të madh premtimesh lidhur me liberalizimin e mundshëm e tregut rus për industrinë e automobilave serbe. Megjithëse është mohuar zyrtarisht se bashkëdrejtimi i Serbisë në OSBE në 2014 dhe 2015 u diskutua gjatë bisedimeve me Putinin, është frikësuese që dy ish Ministra të Jashtëm serbe, të dy anëtarë të “orkestrës së Putinit”, Ivan Mrkiç dhe Vuk Jeremiç, do të jenë në krye të kësaj detyre. Prioriteti i Rusisë është që ta vendosë çështjen e Transnitrisë lart në axhendë dhe ta heqë krizën ukrainase prej saj. Pavarësisht ftohjes së marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit, Vladimir Putin pritet që të vizitojë Serbinë në tetor dhe të marrë pjesë në festimin e bujshëm e përvjetorit të 70-të e çlirimit të Beogradit. Nëqoftëse ftesa është dërguar nga pala serbe, ajo nuk flet mirë për vullnetin e Serbisë që të pajtohet me politikat e Bashkimit Europian. Nëqoftëse Putini ka ftuar veten, kjo është ndoshta një shenjë akoma edhe më e keqe për Serbinë.

Kohë për reflektim

Mënyra me të cilën rrëzimi i avionit malajzian dhe një bllok i ri sanksionesh kundër Rusishë u interpretuan nga zyrtarët dhe media serbe sugjerojnë se Rusia e ka kapur për fyti elitën politike serbe. Një injektim afatshkurtër dhe goxha i dyshimtë i parasë ruse mund të jetë tejet tundues për politikanët serbë që po luftojnë me kushte ekonomike të këqija. Ai do t’i jepte efektet më shpejt dhe mund të ishte më fitimprurës për elitën sesa reformat afatgjata e kërkuara nga Bashkimi Europian. Pyetja sesi Perëndimi e percepton aktivitetin e “orkestrës së Putinit” mbetet e hapur. Megjithatë, çdo mjet për t’i kundërshtuar ata është i panjohur. Lajmi i mirë është se bashkësia ndërkombëtare kohët e fundit mori një qasje më realiste lidhur me atë që po ndodh në Serbi. Një ndër preokupimet më të mëdha të saj rezultoi të ishte shtypja e lirisë së medieve dhe zhdukja e e opinioneve kritike ndaj qeverisë. Veç kësaj, konferenca e donatorëve e quajtur “Të rindërtojmë sëbashku” e mbajtur në korrik për Serbinë dhe Bosnje – Hercegovinën lidhur me përmbytjet që goditën rajonin këtë vit treguan se Bashkimi Europian dhe Perëndimi në përgjithësi, ndryshe nga Rusia, është i përgatitur dhe i gatshëm që të ndihmojë.

Pavarësisht tw gjitha dobësive tw opozitës serbe dhe heshtjes sw shoqwrisw civile, topi wshtw nw fushën e tyre. Do të ishte në të mirë të Serbisë nëqoftëse ata kuptojnë se ka njerëz në Serbi si ata që qenë të pranishëm në EuroMaidanin e Kievit në shkurt të 2014. Ata duhet të ribashkohen sërish dhe t’i shpjegojnë shoqërisë pasojat katastrofike e rusifikimit të Serbisë. Nëqoftëse Serbia vazhdon që të ruajë një mbështetje relativisht të lartë për integrimin në Bashkimin Europian, atëhere ka shpresë së procesi i demokratizimit të mëtejshëm nuk do të rrezikohet. Një prej detyrave më të rëndësishme për sigurinë e Serbisë në vitet në vazhdim është një reflektim serioz ndaj diversifikimit të burimeve energjetike dhe efikasitetit energjitik. Është gjithashtu vendimtare për Vuçiçin që t’i zgjedhë bashkëpunëtorët më me kujdes dhe të përzërë nga rrehti i ngushtë i tij ata që i vënë interesat ekonomike me Rusinë përpara vendit të tyre. Fatkeqësisht, daullet e orkestrës së Putinit po gjëmojnë gjithnjë e më shumë, kësaj radhe duke i paraqitur kundërmasat ruse ndaj Perëndimit si një opsion zhvillimi për Serbinë, duke bërë thirrje hapur për veprime që do t’i maksimalizonin përfitimet për ta. Bashkimi Europian dhe forcat e vërteta proBE në Serbi duhet të paralajmërojnë menjëherë rreth kurtheve të kësaj rruge afatshkurtër dhe imorale.

Jelena Miliç është analiste politike dhe Drejtore e Center for Euro-Atlantic Studies me qendër në Beograd. Më parë ka punuar si analiste politike kërkuese për International Crisis Group dhe Helsinki Committee for Human Rights në Serbi.

Përgatiti për www.bota.al:

ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button