Psikologji

“Qëndro i fortë”. Fjalimi që shkroi Jake Bailey gjatë betejës së tij me kancerin. Do t’ju përlotë…

“Një javë përpara se të dorëzoja fjalimin që do të mbaja sonte, mjekët më thanë se vuaja nga kanceri dhe që, nëse nuk merrja trajtim për tri javët e ardhshme, unë do të vdisja. Ku u fola për dëshirën që kisha të mbaja këtë fjalim, ata me keqardhje më thanë se mundej edhe të mos ia dilja të jetoja kaq gjatë. Me siguri që ju nuk prisni t’ju flas për ndjesitë e mia në krevatin në spital. Për mua ka qenë një vit i vështirë, por dhe i mrekullueshëm, por unë nuk do t’ju flas në këtë fjalim për ngjarje të tilla të trishta.

Emri im i mesëm është Ross. Këtë emër ma vendosën përpara se të lindja, sepse xhaxhai im e ka emrin Ross. Ai është një kirurg që merret me transplant veshkash. Xhaxhai im njihet nga të gjithë për jetët që ka shpëtuar përmes transplantit. Ai ishte i vetmi që ndoqi universitetin në mesin e motrave dhe vëllezërve të tij. Tashmë ai ka mundësinë të shpëtojë jetë. Ai guxoi të bënte një ndryshim. Ne s’mund të shpëtojmë dot të gjithë jetë njerëzish, por ne mund të bëjmë një ndryshim në mënyrën tonë.

Doja të ndaja me ju disa fjalë që unë i kam mbajtur në një vend të veçantë në zemër. Fjalë që këtë vit kanë pasur më shumë vlerë se kurrë në jetën time. Nuk kanë vlerë kritikat dhe as ata që ngrejnë gishtin dhe tregojnë për nga njerëzit e fortë që kanë dështuar diku. Vlerë kanë ata që janë në arenë, fytyra e të cilëve është e mbuluar nga pluhuri, djersët dhe gjaku dhe sërish vazhdon të luftojë, sepse e njeh vlerën dhe ndjesinë që të jep triumfi pas mundimit të madh.

Nuk mund të jesh i mirë në gjithçka. Disa herë mund të mos jesh i mirë në asgjë. Ajo që unë zgjedh të kem, është fuqia e moralit. Për të kam shkruar përpara se të mësoja se vuaja nga kanceri, por tani kam mësuar një tjetër kuptim të saj. Fuqia e moralit është të marrësh një vendim të ndërgjegjshëm për të qenë një person që nuk heq dorë, kur e ka shumë të lehtë ta bëjë, sepse udhëtimi në jetë është i lodhshëm.

Jim Rohn dikur ka thënë: “Lëri të tjerët të kontrollojnë jetët e vogla, por jo tënden. Lëri të tjerët të flasin për gjëra të vogla, por jo për ty. Lëri të tjerët të përloten për dhimbje të vogla, por mos e lejo veten tënde”. Normalisht, të gjithë do të përballeni një ditë me dështimet. Ndonjëherë do t’ju duket vetja si të pamjaftueshëm në diçka, por duhet t’i mposhtësh këto ndjesi.

Ka diçka që duhet ta kuptoni të gjithë. Askush nuk ia del i gjallë në betejën me jetën, ndaj ji trim, ji i madh, ji shpirtmirë dhe ji mirënjohës për mundësitë që të janë dhënë. Këshilla ime për të gjithë ju dhe për veten time është të vazhdojmë të rritemi dhe të ndryshojmë për mirë. E ardhmja është në duart tona. Harroji ëndrrat afatgjata. Përkushtoju me pasion qëllimeve sa më të afërta dhe ambicieve të vogla  që i ke vendosur vetes. Puno me pasion dhe krenari me çdo gjë që të del përpara”. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button