Analiza

Qeveria që meriton Eurozona

Screen Shot 2015-08-05 at 22.28.50

Yannos Papantoniou

A do ta shkatërrojnë telashet e Greqisë unionin monetar të Europës, apo do të zbulojnë se si duhet shpëtuar? Marrëveshja e fundit e shumëdiskutuar e shpëtimit – që disa e kanë krahasuar me Traktatin e Versajës të vitit 1919, me Greqinë në rolin e Gjermanisë – ofron kthesën më të fundit në sagën ekzistenciale të Eurozonës. Marrëveshja ka shkaktuar një përçarje tek Syriza, partia majtiste që qeveris Greqinë; ka krijuar një të çarë mes kancelares gjermane, Angela Merkel dhe ministrit të saj të Financave, Schaeuble; si dhe ka nxitur një përpjekje të Francës për t’u rikonfirmuar në brendësi të boshtit franko-gjerman, i cili ka qenë gjithmonë “motorri” i Bashkimit Europian.

Ndërkohë, shumë prej ekonomistëve keinesianë të Amerikës, si laureatët e Nobelit, Paul Krugman dhe Joseph Stiglitz, kanë mbështetur qëndrimin e Greqisë kundër masave të shtrëngimit. Të tjerë ekonomistë, kryesisht në Europë, argumentojnë se Gjermania duhet të marrë një rol politik, që do i shkonte për shtat fuqisë së saj ekonomike, dhe duhet të pranojë marrëveshjet e ndarjes së sovranitetit, për të garantuar kohezionin dhe qëndrueshmërinë e unionit monetar. Poshtërimi i një vendi të vogël dhe shndërrimi i tij në një protektorat virtual nuk do i shërbente interesave afatgjatë të Europës.

Dhe në fakt, pikërisht ato janë në lojë. Greqia e firmosi marrëveshjen, pasi u përball me një ftesë eksplicite nga ana e Schäubles, për të lënë eurozonën – supozohej përkohësisht – dhe përshtatur një monedhë të re. Qëndrimi i Gjermanisë shënoi të parën sfidë të hapur nga një fuqi kryesore europiane, ndaj nocionit se unioni monetar është i pakthyeshëm. Siç e vunë re shumë shpejt francezët, të cilët janë instiktivisht mbështetës të një argumenti kundër masave të shtrëngimit dhe të vetëdijshëm për rolin e tyre gjithnjë e më shumë prej “të vogli” në partneritetin franko-gjerman, qëndrimi i Gjermanisë sinjalizonte edhe një zhvendosje potenciale nga një “Gjermani europiane”, në një “Europë gjermane”.

Nuk ndihmoi aspak fakti që negociatat mes Greqisë dhe kredidhënësve të saj prodhuan një mosbesim në rritje tek aftësia dhe qëllimet e Syrizas. Taktikat negociuese plot të meta, bashkë me skemat e fshehta për të përgatitur – si pjesë e Planit B – një dalje nga Euro, e dëmtuan shumë besueshmërinë e qeverisë, duke e shtyrë madje edhe Paul Krugmanin që të pranonte: “Unë mund ta kem mbivlerësuar aftësinë e qeverisë greke”.

Megjithatë, sado e ndërlikuar të jetë loja e gjetjes së fajtorit, disa mësime mund të nxirren për të orientuar politikat në të ardhmen. Kur sjellja fiskale e gabuar e Greqisë, një vend që përfaqëson jo më shumë se 2% të GDP-së së eurozonës, paraqet rreziqe seriozë për mbijetesën e unionit monetar, atëherë këtu ka një “sëmundje”. Por a janë “ilaçi” për këtë sëmundje, masat më të ashpra – si për shembull penalitete më të rëndë, apo edhe dëbim – për zbatimin e rregullave të eurozonës, apo mos duhet që rregullat të përshtaten sipas rrethanave të ndryshme të vendeve anëtarë?

Deri tani, zbatimi pa kompromis ka dështuar, kjo për shkak edhe të të metave në themelet e Eurozonës. Së pari, bilancet fiskalë dhe të llogarive të jashtme duhet të mbahen nën kontroll, me qëlim që të garantojnë stabilitet financiar dhe ruajtur monedhën e përbashkët. Së dyti, eleminimi i çekuilibrave është përgjegjësi e qeverive të shteteve anëtarë, brenda kontekstit të një regjimi shpëtimi, i cili rregullohet prej autoriteteve mbikombëtarë – Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane – në bashkëpunim me Këshillin Europian, i cili nga ana e tij përfaqëson qeveritë e shteteve anëtare.

Saga e Greqisë tregon se ky sistem nuk mund të kontrollojë çekuilibrat destabilizues, aq shpejt sa për të shmangur krizat e rënda. Cekuilibrat nuk janë vetëm rezultat i politikave të papërgjegjshme. Ata mund të reflektojnë dobësi më të thella në strukturat ekonomike, si për shembull mungesa e konkurueshmërisë apo mangësitë institucionale. Nëse Gjermania këmbëngul në përgjegjësinë e shteteve, ajo mund të zbulojë se zbatimi i rregullave do të duhet të jetë edhe më i ashpër, duke çuar praktikisht në trazira të tilla sociale dhe politike, që do të shkaktonin shembjen e të gjithë ngrehinës së Euros.

Alternativa është që të mbështetet një “union transfertash” i cili garanton një ekuilibër më të mirë mes solidaritetit dhe përgjegjshmërisë. SHBA mishëron një zgjidhje të tillë, duke siguruar një model të integruar zhvillimi nëpër të gjithë vendin. Eurozona duhet të forcojë strukturat e saj fiskale aq sa duhet, për t’iu përgjigjur kushteve të përgjithshëm ekonomikë, ndërkohë që merr në konsideratë edhe rrethanat e ndryshme të secilit vend anëtar. Këto struktura më të forta, duhet të lejojnë transferta të kufizuara të burimeve mes vendeve të Eurozonës, ose për të vënë në zbatim politika kundërciklike, ose për të plotësuar shpenzimet për investime, sidomos në infrastrukturën ekonomike dhe sociale.

Por kjo duhet të përfshijë, pashmangshmërisht, krijimin e një buxheti të veçantë të Eurozonës, duke transferuar kompetencat nga autoritetet kombëtarë, në ata mbikombëtarë. Taksimi i përbashkët dhe Eurobonot duhet të jenë pjesë e strukturës së re fiskale, dhe Mekanizmi Europian i Stabilitetit duhet të përfshijë një fond të mjaftueshëm për të zgjidhur krizat e borxheve sovranë. Në të njëjtën kohë, unioni bankar, i krijuar nga BE pas krizës financiare globale të viteve 2007-2008, duhet të forcohet përmes zgjerimit të bazës së kapitalit të SRF (Single Resolution Fund) dhe krijimit të një skeme të përbashkët të garantimit të depozitave.

Të gjithë këto presupozojnë që kompetencat e institucioneve mbikombëtarë të BE, Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian, do të rriten dukshëm. Komisioni duhet të shndërrohet në një qeveri, dhe kreu i tij duhet të kryesojë Eurogrupin (që mbledh ministrat e financave të vendeve anëtarë të eurozonës). Një Ansamble speciale e Parlamentit Europian, e përbërë nga anëtarë të eurozonës, duhet të ketë kompetenca – sipas modelit të parlamenteve të shteteve – për të nxjerrë ligje dhe kontrolluar ekzekutivin.

Këta propozime do të provokojnë shumë kritika – dhe jo vetëm nga Euroskeptikët. Por një lëvizje drejt integrimit fiskal dhe politik është çmimi që Europa – duke nisur nga Eurozona – duhet të paguajë për të ruajtur unitetin e saj, si dhe pozicionin e saj global. Alternativa është zbatimi në mënyrë jokonsistente i rregullave aktuale, duke shkaktuar përçarje mes vendeve anëtarë dhe më tej, një fragmentim të mundshëm.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate http://www.project-syndicate.org/commentary/eurozone-common-currency-fiscal-political-integration-by-yannos-papantoniou-2015-08/english

PERKTHIMI:Bota.al

Leave a Reply

Back to top button