Analiza

Qytetërimi gojëmbyllur

Nga Loris Zanatta

Pamjet e Adelaides, ato të skuadrës saudite të futbollit që injoron minutën e heshtjes në kujtim të viktimave të atentateve në Londër, kanë bërë xhiron e botës. Lajmi është shoqëruar me komente të ndryshme: mbi gjeopolitikën në Lindjen e Mesme, mbi doktrinën islamike, mbi paqartësinë e aleatëve perëndimorë. Mua më intereson të reflektoj mbi justifikimin e përdorur prej sauditëve: ai ritual në kujtim të viktimave të pafajshme “nuk i përket kulturës sonë”, kanë thënë. Dhe kështu, ndërsa publiku dhe kombëtarja australiane mbanin heshtjen, lojtarët sauditë dhe teknikët e tyre vazhdonin stërvitjen. Kultura është një fjalë fisnike, një koncept sublim; aq sa Joseph Goebbelsi, një tipk jo dhe aq i rekomandueshëm, nuk donte as ta dëgjonte: “Kur dëgjoj të flitet për kulturë, vë dorën menjëherë tek pistoleta”, thoshte. Si mundet atëherë të justifikojë një sjellje kaq cinike, kaq të pakultivuar, si ajo e lojtarëve sauditë?

Pyetja është e detyrueshme në një epokë, kur është gjë shumë popullore të bësh bashkë kaq shumë fjalë fisnike: fjalë që fryjnë zemra, mbushin sheshe, prekin deri sa derdhen lot: popull, kulturë, identitet. Mbrojmë kulturën e popullit tonë, dëgjojmë të thirret kudo, identitetin e tij historik nga goditja e globalizimit, nga pretendimi iluminist për të homogjenizuar botën, duke vrarë kulturat e shumta të saj.

Tingëllojnë si parime të shenjtë dhe do të isha i tunduar t’i përvetësoja. Por duke qenë se më pëlqen të gërvisht nën sipërfaqe, pyes veten: çfarë nënkuptohet kur flitet për kulturë të një populli? Kur isha fëmijë, në Itali ekzistonte “krimi i nderit”: kodi penal parashikonte një dënim të reduktuar për bashkëshortin që kish vrarë gruan tradhëtare, sepse “marrëdhënia e saj e paligjshme mëkatare” kishte shkelur “nderin e tij dhe të familjes”. Ose “martesa riparuese”: mashkulli fajtor për përdhunim martohej me viktimën e çnderuar, e detyruar kështu të jetonte përjetë me përdhunuesin e saj. Ç’të thuash? Ishin mbetje të një kulture të lashtë patriarkale dhe katolike, ku familja ishte një hapësirë e shenjtë, në të cilën individi ushqehej me zakone të lashta.

Kultura të ngjashme mbeten të përhapura: madje janë shumicë, sidomos atje ku është më kokëfortë influenca e “racionalizmit iluminist”: ka kultura që urrejnë homoseksualizmin, që imponojnë gjymtime gjenitale, që nuk tolerojnë një vajzë në timon apo në biçikletë, e kështu me radhë. Ndërkohë që sauditët injoronin qetësinë e stadiumit të Adelaides, një gazetë spanjolle botonte historinë prekëse të një gruaje me origjinë nga Majat; një grua krenare për historinë dhe etninë e saj, por jo e gatshme që të toleronte një aspekt shumë të rëndësishëm të kulturës së saj: dhunën seksuale të etërve ndaj bijave, ku edhe ajo vetë kish qenë viktimë. Kështu që u rebelua, por me një çmim të rëndë: përjashtimin nga komuniteti, dënimi i vendosur ndaj kujt, me kurajën e vet, kërkon atë që mund ta quajmë një ndryshim kulturor.

Pikërisht këtë gjë na mëson historia meskine e futbollistëve sauditë: që kultura është fjalë e bukur, e cila duhet përdorur me kujdes, sepse mund të hapë portat e ferrit. Nuk duhet të jetë një këmishë force, një veshje që gjithësecili është i detyruar ta mbajë për gjithë jetën: nuk është një koncept metafizik, por një konstruksion historik; nuk është statike, por dinamike dhe e ndryshueshme; nuk mund të jetë një uniformë që komuniteti ia imponon individit, për të qenë pjesë e tij. Do të bënin mirë të mos e harronin, ata që tregojnë me gisht globalizimin, duke u shfaqur si mbrojtës të pluralizmit kulturor, që sipas tyre kërcënohet nga globalizimi. Duke vepruar kështu, shpesh harrojnë se shumë prej kulturave që bëjnë thirrje të mbrohen nuk janë pluraliste në brendësinë e tyre, dhe ato shtypin individët kurajozë, që sfidojnë unanimitetin e tyre. Një qasje pak më dialektike ndaj globalizimit do të ndihmonte për të korrur, mes tymit të demonizimit, edhe elementët emancipues.

Kështu mendova, kur në një fotografë mu duk sikur pashë një lojtar saudit që merrte pozicionin e atyre që respektonin minutën e heshtjes: ja njeriu, pavarësia e të cilit sfidon kulturën e grupit. Pastaj pashë gjithë filmimin: ishte një iluzion.

Në këtë konsiston ndarja e madhe mes botës perëndimore dhe asaj islamike. E vuri re, duke shkaktuar skandal, Benedikti XVI, në fjalimin e tij të famshëm: “Bota myslimane gjendet sot, me urgjencë të madhe, përballë një detyre shumë të ngjashme me atë që u përballën të krishterët duke filluar nga koha e iluminizmit”. Që atëherë, për këtë temë u kthye heshtja; ajo që sauditët nuk e respektuan. / IlFoglio – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button