Analiza

Qyteti i xhihadistëve shqiptarë në Zvicër

Screen Shot 2015-06-04 at 2.34.23 PM

Si u shndërrua qyteti Winterthur afër Zürich-ut në qendër të radikalëve islamikë – me shqiptarë në rendin e parë. Njëri prej tyre, thai-boksieri Valdet Gashi, tani nga Siria kërcënon se një ditë feja islame do të trokas në kufirin zviceran dhe do të kërkojë që zviceranët ta pranojnë islamin. Nëse nuk e pranojnë, atëherë lufta bëhet e pashmangshme, thotë ai. Ndërkohë vëllai i tij i bën thirrje nga Gjermania: «Mos bë budallallëqe dhe kthehu në shtëpi».

Nga Enver Robelli

Mbi 100 mijë banorë numëron qyteti i Winterthurit, i cili gjendet pak kilometra larg metropilit zviceran, Zürichut. E kaluara e këtij qyteti mund të përshkruhet me tri fjalë: industri, industri, industri. Dhe shumë punëtorë që prodhonin makina të cilat eksportoheshin pothuaj në mbarë botën. Në kuadër të deindustrializimit dhe globalizimit mijëra vende pune janë zhdukur, Winterthur sot është një qytet më shumë i orientuar nga industria e shërbimeve. Rreth 25 për qind e banorëve të qytetit janë të huaj – gjermanë, spanjollë, italianë, arabë, shqiptarë, serbë dhe të tjerë. Autoritetet e qytetit janë treguar tolerante në respektimin e kulturave dhe feve të ndryshme. Në Winterthur janë hapur disa xhami, pothuaj secili komunitet ka faltoren e vet, të vdekurit mund të varrosen në varreza myslimane.

Mijëra shqiptarë jetojnë në Winterthur. Ata që besojnë në fenë islame kanë dy xhami për t’u lutur, njëra madje mbi kulm mban një lloj minareje prej teneqes, e konstruktuar vite më parë, kur në Zvicër nuk ishte e ndaluar ngritja e minareve. Në vitin 2009 qytetarët zviceranë kanë vendosur me referendum që në Kushtetutë të futet një nen, i cili ndalon ndërtimin e minareve. Komuniteti shqiptar në këtë qytet një kohë të gjatë ka qenë imun ndaj tendencave për radikalizim islamik. Sidomos gjenerata e parë e punëtorëve të ardhur në vitet 60-të dhe 70-të nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës e gjetiu ka qenë e orientuar në mbajtjen e familjeve në atdhe dhe në dhënien e kontributeve për fondet e ndryshme për, siç thuhej, «çlirimin e Kosovës».

Ndërkohë rrethanat kanë ndryshuar. Pjesëtarë të gjeneratës së dytë dhe të tretë të komunitetit shqiptar jo vetëm në Winterthur gjithnjë e më shumë bien pre e ideologjisë radikale islamike. Në dy dekadat e fundit shqiptarë nga Winterthuri kanë rënë në sy herë si thai-boksierë të shkathtë, herë si tipa të dhunshëm që nuk ngurrojnë të rrahin edhe policë. Njëri prej tyre i quajtur Bashkim Berisha, edhe ky thai-boksier, pasi ka sulmuar policët dhe ka vrarë një shqiptar, ka mbajtur burg shumëvjeçar në Zvicër dhe së fundi është dëbuar në Kosovë. Viteve të fundit në Winterthur vërehet një tendencë mes të rinjve që t’i kthehen fesë islame, por jo siç e praktikonin prindërit, pra një islam tolerant i shkollës hanefite. Përkundarzi: jo pak të rinj, kryesisht me biografi problematike, të papunë dhe me arsimim të dobët, përqafojnë ideologjinë radikale të islamit vahabist (apo selafist, siç kanë qejf ta quajnë veten këta ushtarë të vetëshpallur të Allahut). Nëse imamët shqiptarë në këtë qytet nuk i lejojnë të hyjnë në xhami të rinjtë e radikalizuar, ata gjejnë strehë të reja, për shembull në xhamitë e besimtarëve nga bota arabe.

Në gjashtë muajt e fundit nga Winterthuri kanë shkuar në Siri tre djem dhe një vajzë. Në dhjetor një prind shqiptar alarmoi opinionin se dy fëmijë të tij, 15 dhe 16 vjeçar, me gjasë kishin ikur në Siri, për t’iu bashkangjitur të ashtuquajturit «Shtet Islamik». Që nga atëherë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e fëmijëve. Mediet zvicerane kanë njoftuar se fëmijët kanë ndjekur mësim fetar në organizatën «el-Furkan», e cila ka një xhami në fshatin Embrach afër Winterthurit dhe Zürichuht. Kjo xhami është përmendur disa herë si pikëtakim i radikalëve islamikë me origjinë nga Ballkani. Në Gjermani «el-Furkan» është nën vëzhgim të shërbimit sekret për shkak të dyshimeve mbi aktivitete të paligjshme. Në xhaminë e Embrachut thuhet se predikon(te) imami Selman Ramadani, për të cilin dihet shumë pak në opinion. Organizata «el-Furkan» ka shtrirë aktivitetet e veta në Zvicër para më shumë se një viti, duke u përqendruar sidomos në joshjen e të rinjve shqiptarë dhe indoktrinimin e tyre përmes interpretimit radikal të fesë islame. Autoritetet lokale janë shprehur të shqetësuara për praninë e kësaj organizate në Embrach.

Tani emisioni «Rundschau» i televizionit publik të Zvicrës ka zbuluar se tre djemtë që kanë shkuar tashmë në Siri më parë kanë ushtruar në një qendër fitnesi në Winterthur, e cila drejtohej nga 28-vjeçari Valdet Gashi, i cili rrjedh nga Singeni i Gjermanisë, një qytet afër kufirit me Zvicrën. Ndërkohë edhe vetë Gashi ka udhëtuar në Siri dhe iu ka bashkuar luftës së «Shtetit Islamik». Në një bisedë me televizionin zviceran ai nga Siria kërcënon se një ditë feja islame do të trokas në kufirin zviceran dhe do të kërkojë që zviceranët ta pranojnë islamin. Nëse nuk e pranojnë, atëherë lufta bëhet e pashmangshme, thotë Gashi. Shkuarjen e tij në Siri ai e arsyeton me retorikën tipike ultrareligjioze të vahabistëve: ai thotë se të gjithë myslimanët janë «ë një gjaku» dhe vlera e gjakut të tyre është po aq e madhe sa vlera e gjakut të tij.

Gashi kishte themeluar në Winterthur qendrën e fitnesit dhe sporteve luftarake «MMA Sunna», kur të rinjtë mund të ushtronin pa i shkelur rregullat e islamit. Për shembull aty nuk kishin vend gratë dhe nuk lejohej të dëgjohej muzika. Gashi, i cili është i martuar dhe ka dy vajza të vogla, kishte rënë në sy të opinionit në fillim të marsit, kur kishte postuar në Facebook një fotografi me flamurin e «Shtetit Islamik». Në bisedë me televizionin zviceran ai thotë se në Siri po ndihmon në ndërtimin e Kalifatit, duke patrulluar përgjatë lumit Eufrat në kërkim të «kontrabandistëve dhe spiunëve». Gashi tregon se kryesisht qëndron në qytetin Membij. Njëri nga djemtë që kishte ushtruar në qendrën e Valdet Gashit tashmë është vrarë në Siri. Edhe Gashi ëndërron që së shpejti t’i bashkohet shokut të tij. Babai i Valdet Gashit dhe vëllai i tij Valoni nuk e miratojnë shkuarjen e tij në Siri. Madje Valon Gashi ka këtë porosi për vëllain e tij: «Mos bë budallallëqe dhe kthehu në shtëpi».

Në mediat zvicerane supozohet se të rinjtë mund të jenë radikalizuar në xhamitë si «el-Furkan» në Embrach dhe «An’Nur» në Winterthur. Shumica e radikalëve, mes tyre edhe Valdet Gashi, kanë marrë pjesë apo janë simpatizantë të aksionit «Lies!» («Lexo!»), përmes të cilit aktivistë selafistë shpërndajnë falas Kuranë në qytete gjermane dhe zvicerane. Aksioni «Lies!» («Lexo!») është themeluar nga Ibrahim Abou-Nagie nga Kölni i Gjermanisë. Para dy vitesh atij i është ndaluar hyrja në Zvicër. Në Gjermani ai quhet «predikues i urrejtjes».

Në radikalizmin fetar të të rinjve shqiptarë në diasporë viteve të fundit kanë luajtur rol negativ edhe predikimet shpeshherë absurde dhe të rrezikshme të imamëve radikalë si Shefqet Krasniqi, Mazllam Mazllami dhe hoxhallarëve të njohur për qëndrime tejet problematike sa i përket feve dhe etnive të tjera. Disa prej këtyre imamëve para se të arrestoheshin dhe pastaj liroheshin vitin e kaluar në Kosovë kanë vizituar rregullisht komunitetin shqiptar në Zvicër. Vizitat e tyre janë organizuar prej shoqatave fetare që drejtohen nga njerëz lehtë të manipulueshëm dhe pothuaj të paintegruar në Zvicër. Përkundër njohurive se bëhet fjalë për imamë kundërthënës, ata nga ambasadat perëndimore në Prishtinë janë pajisur rregullisht me viza Schengen. Imami Shefqet Krasniqi është ftuar dhe ka marrë pjesë në takimet vjetore të të ashtuquajturit Këshill Qendror Islamik i Zvicrës, që drejtohet nga Nicholas Blancho, një konvertit agresiv zviceran, i cili po ashtu është nën vëzhgim të autoriteteve. Blancho është i martuar me një grua nga Jemeni dhe ka dy fëmijë. Sipas një raporti të gazetës «SonntagsZeitung» të Zürichut, Blancho ka braktisur familjen dhe bashkëjeton në Bernë me gruan e tij të dytë – një shqiptare të re me shtetësi zvicerane.

Leave a Reply

Back to top button