
Bondi Beach është një vend ikonë në Sydney, një nga plazhet më të famshme në botë, i njohur për atmosferën e relaksuar, rërën e artë, detin blu dhe surfimin. Pikërisht aty, turma po festonte Hanukën, festën hebraike, nata e parë e një kremtimi shumë të pritur, një mbrëmje argëtimi për familjet. Por gjithçka u shndërrua në atentatin më të rëndë masiv në vend në gati 30 vjet, një nga sulmet më të përgjakshme kundër hebrenjve jashtë Izraelit në dekadat e fundit.
Mes të paktën 16 personave të vrarë ndodhej edhe rabini i Sydney-t Eli Schlanger, 40 vjeç, një i dërguar i lëvizjes Chabad Lubavitch, i cili kishte 18 vjet që shërbente atje. Për të thonë se ishte “një njeri i ngrohtë, plot energji dhe shumë i vlerësuar”. Të plagosurit janë 29, por bilanci mbetet provizor. Mes viktimave ka edhe një fëmijë nga një shkollë hebraike lokale, një vajzë 12-vjeçare dhe një shtetas izraelit.
Schlanger, i lindur në Angli, kishte organizuar së fundmi një event për të përkujtuar të dërguarit e Chabad-it të vrarë, përfshirë ata të sulmit të vitit 2008 në Mumbai. Dy muaj më parë, bashkëshortja e tij kishte sjellë në jetë një djalë.
Alex Kleytman, i mbijetuar i Holokaustit me origjinë nga Ukraina, u identifikua si një tjetër viktimë e masakrës. Bashkëshortja e tij, Larisa, tregoi: “Kishte ardhur në Bondi Beach për të festuar Hanukën; për ne ka qenë gjithmonë një festë shumë e bukur, për shumë vite. Qëndronim në këmbë dhe papritur u dëgjua ‘bum, bum’ dhe të gjithë u shtrinë përdhe. Në atë moment ai ishte pas meje dhe vendosi të afrohej. Donte të ishte pranë meje”. Çifti ka dy fëmijë dhe 11 nipër e mbesa.
Ishin momente frike dhe paniku. Nico, amerikan që jeton prej gjashtë muajsh në Bondi, po shkonte të takonte miq për të bërë surf kur dëgjoi “një seri shpërthimesh” dhe pa njerëzit të vraponin në të gjitha drejtimet. Fillimisht mendoi se ishin fishekzjarrë. Ai nuk e pa personin e armatosur, por thotë se të shtënat “dukej sikur ishin shumë afër”. Reagimi i tij ishte i thjeshtë: “Thjesht të vrapoja”. Iu duk se krismat zgjatën “një përjetësi”.
Fin Green, anglez, mendoi gjithashtu se kishte dëgjuar fishekzjarrë. Ishte në apartamentin e tij dhe doli te dritarja. Tregon se pa një burrë mbi tavanin e një makine të bardhë duke qëlluar. Disa njerëz po shembeshin përtokë. Të tjerë filluan “të vraponin dhe të bërtisnin”, duke u drejtuar nga pallati i tij. Green mbylli perdet dhe u fsheh në dollap.
Elizabeth Mealey, ish-gazetare, po darkonte në restorantin Icebergs në Bondi Beach kur dëgjoi të shtënat. “Njerëzit filluan të vraponin drejt plazhit, ishte panik. Disa qëndronin të ngrirë, pa e kuptuar çfarë po ndodhte, ishte e tmerrshme”. “Na u duk sikur u desh shumë kohë para se të dëgjonim një sirenë. Ishte një kaos i plotë”.
Por në këtë histori të errët urrejtjeje dhe intolerance ka edhe një hero. Quhet Ahmed. Ai arriti të çarmatosë njërin nga atentatorët në Bondi Beach. Skena ishte kjo: ai i afrohet nga pas agresorit që po qëllonte, i hidhet sipër dhe i merr armët. Atentatori pengohet dhe bie. Ahmed i drejton armën, por nuk gjen forcën për të qëlluar.
Ahmed është 43 vjeç, ka dy fëmijë dhe drejton një dyqan frutash. Aktiviteti në Bondi Beach kishte tërhequr më shumë se një mijë persona dhe pritej të kulmonte me ndezjen e një menorah-je të madhe, llamba me shtatë krahë, një nga simbolet më të lashta të fesë hebraike. / bota.al





