Analiza

Ramadi/Palmir: A janë efikase luftimet kundër Shtetit Islamik?

Screen Shot 2015-05-23 at 09.44.20

Nga Karim Pakzad

Instituti i Marrëdhënive Ndërkombëtare Strategjike, Francë

Ramadi, kryeqyteti i rajonit më të madh të Irakut (al-Anbar), të dielën më 17 maj 2015 ra në duart e organizatës së Shtetit Islamik. Pothuaj një vit pas rënies së Mosulit, si e shpjegoni këtë shkatarrim të ri të ushtrisë irakene?

Mund të ketë një ngjashmëri midis shkatërrimit, në qeshor të vitit 2014 të Mosulit me atë të Ramadit. Por kjo ngjashmëri është vetëm aparencë. Ofensiva surprizë e organizatës së Shtetit Islamik kundër Mosulit zbuloi gjëndjen e ushtrisë irakene, një ushtri e shpërbërë që nga ditët e para të pushtimit amerikan. Pas tërheqjes amerikane në fund të vitit 2011, Bagdadi ka dashur të krijonte një ushtri të denjë për emrin e saj, por kjo dëshirë u ndesh me ndarjen e komunitetit brenda rradhëve të saj.

Ushtria irakene vuan nga shumë të meta: mungesë armatimesh, mungesë formimi adekuat, dobësi e dukshme e komandës. Nga ana tjetër, oficerë të ushtrisë së Sadam Huseinit janë integruar pjesërisht në komandën ushtarake të Shtetit Islamik.

Iraku nuk ka një ushtri të fuqishme, edhe pse amerikanët e kanë rritur numrin e instruktorëve të tyre në vend dhe se Bagdadi ka blerë armë si nga Shtetet e Bashkuara, ashtu dhe nga Rusia. Vendi nuk ka gjithashtu ende aviacion të fortë.

Çlirimi i qytetit të Tikritit, para disa muajve, është një mashtrim. Ishin “njësitë e mobilizimit popullor” (milicë shiite), që luajtën rolin kryesor në këtë fitore mbi Shtetin islamik. Rënia e Ramadit, ndryshe nga Mosuli, nuk është një surprizë. Ky qytet, si e gjithë provinca al-Anbar, ka qenë qysh në fillim të pushtimit amerikan bastion i xhihadistëve. Organizatat mëmë të Shtetit islamik kanë lindur në këtë qytet. Amerikanë nuk kishin përjashtuar disa ditë përpara para rënies së kryeqytetit të al-Anbar, provincë sunite, se rënia e Ramadit do të kishte një rëndësi simbolike për Shtetin Islamik, por jo një rëndësi strategjike.

Nga ana tjetër, ushtria siriane në të njëjtën ditë, arriti të sprapste Shtetin islamik nga qyteti i lashtë i Palmirit në sajë të një ofensive të fuqishme. Cili ishte objektivi i Shtetit islamik duke sulmuar këtë qytet, për ata pa një interes të vërtetë ushtarak?

Ushtria siriane në fakt e sprapsi Shtetin islamik nga Palmiri, gjatë një përplasje të parë, por luftimet vazhdojnë. Të dielën Shteti islamik hodhi një shi raketash mbi Palmir. Fakti që organizata xhihadiste është në gjëndje të ndërmarrë sulme në shumë fronte, me një armatim të sofistikuar, ngren pyetjen për origjinën e këtyre arsenaleve. Krahas kësaj, një nga arsyet e ikjes në rrëmujë të ushtrisë irakene në Ramadi pikërisht ka qenë mungesa e municioneve dhe e njerëzve përballë xhihadistëve të pajisur shumë mirë.

Një komponent tjetër i rëndësishëm i strategjisë së Shtetit islamik është pikërisht komunikimi. Në këtë fushë, ata kanë treguar një profesionalizëm të habitshëm dhe shumë efikasitet. Objektivi është i dyfishtë: aksione spektakolare si prerja e kokëve e të burgosurve apo shkatërrimi i mbetjeve të qytetërimeve të lashta, që i përkasin trashëgimisë botërore.

Këto aksione i sigurojnë atij mbulimin nga mediat në Perëndim dhe gjetkë. Ky është një mjet për të tërhequr dhe mobilizuar partizanët e tij, të cilët tashmë nuk kufizohen më në Irak dhe në Siri. Nga Afrika, sidomos Libia e cila mund të jetë vendi i parë i Shtetit islamik, deri në Pakistan dhe në Afganistan, grupi xhihadist ka arritur me sukses të shtrijë influencën e tij.

 

Ku është aksioni i koalicionit ndërkombëtar kundër shtetit islamik? Duke parë përparimet e fundit në terren të Shtetit islamik, a mund të konsiderohet ky koalicion, dhe kryesisht bombardimet ajrore, si efikase?

Rënia e një qyteti me 400 000 banorë, 110 kilometra larg Bagdadit, është një dështim i dhimbshëm për strategjinë e koalicionit ndërkombëtar, e zbatuar sëbashku me qeverinë irakene. Kjo strategji qëndronte në një angazhim ushtarak kundër Shtetit islamik, kryesisht në rrugë ajrore.

Komponenti i dytë i kësaj strategjie parashikonte një forcim të kapaciteteve mbrojtëse irakene. Më në fund, komponenti më i rëndësishëm dhe më efikas i kësaj strategjie ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht: bëhej fjalë për rolin e Iranit, përmes pranisë së këshilltarëve ushtarakë iranianë në terren, apo nga ndihmat e dhëna luftëtarëve kurdë dhe milicëve shiitë.

Angazhimi iranian, gjatë çlirimit të qytetit Tikritit, ka shqetësuar thellësisht Arabinë Saudite, zyrtarisht anëtare e koalicionit, por gjithashtu rivale e Iranit. Nën presion, Kryeministri iraken Haïder al-Abadia, ka kufizuar rolin e milicëve shiitë. Megjithatë ai është i detyruar t’i bëjë përsëri thirrje këtyre luftëtarëve të trajnuar më mirë dhe sidomos të motivuar për të luftuar Shtetin islamik, i cili e bën luftën kundra shiitëve objektivin e tij të parë.

s.m./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button