Analiza

Realizëm grek për Ukrainën

Nga Gabriele Crescente

Screen Shot 2015-02-11 at 12.15.05 PM

Nisma e fundit diplomatike e ndërmarrë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Fransua Holond, për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën Lindore, kishte shumë gjasa të përfundonte si gjithë të tjerat, dmth në një rrugë qorre, ndonëse të paktën nga pozicionet e të dy liderëve perëndimore, kishte disa sinjale inkurajuese.
Një ditë pas takimit të tyre me presidentin rus Vladimir Putin, Merkel dhe Holond folën në konferencën ndërkombëtare mbi sigurinë në Mynih të Gjermanisë. Holond tha se një zgjidhje federale, që i jep një shkallë të lartë autonomie rajoneve rusisht-folëse të pushtuara nga separatistët, është e pashmangshme “sepse ata po përballen me një luftë dhe është e vështirë të rikthehen për të jetuar së bashku”.
Merkel rikonfirmoi qëndrimin e saj, kundër furnizimit me armë të ushtrisë ukrainase, që aktualisht mbështet vetëm nga SHBA, pasi sipas saj “nuk mund të imagjinohet një situatë, ku një ndihmë e tillë t’i bëjë përshtypje Putinit, deri në atë pikë sa ta bindte se mund të mundet në aspektin ushtarak”.
Sinqeriteti i deklaratave nga ana e Merkelit, ishte veçanërisht i rëndësishëm. Kancelarja rikujtoi fëmijërinë e saj në Gjermaninë Lindore, kur qeveritë perëndimore u detyruan të heqin dorë nga aksionet për të ndihmuar qytetarët e bllokut komunist, pasi nuk kishte asnjë shans real për sukses. “Për këtë lloj realizmi, ne kemi nevojë edhe tani”- tha ajo. Edhe pse mund të tingëllojë disi cinik, pohimi i saj është e drejtë.
“Opsioni ushtarak”, i evokuar nga gjenerali amerikan, Filip Bredlav, që do të duhej të kufizohej tek furnizimi me armë dhe municione dhe që në asnjë rast nuk parashikon një ndërhyrje të drejtpërdrejtë, nuk ka asnjë shans për të ndikuar në mënyrë domethënëse në këtë konflikt, nëse jo në kuptimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të gjendjes.
Vetëm pak kilometra nga kufiri me Ukrainën, Rusia ka mijëra tanke, artileri dhe armë të tjera të rënda të gatshme për t’u mobilizuar në vetëm pak orë, në një kohë që  për të trajnuar ushtarët ukrainas të përdorin sistemet e armëve të reja, do të duhen disa javë.
Është e mundur që Evropa dhe SHBA-ja, të luajnë përkatësisht policin e mirë dhe atë të keq, por ka më shumë gjasa që Merkel dhe Holond të kuptojnë se një kompromis për zgjidhjen e krizës ukrainase, është i pashmangshëm, përpara se pasojat për ekonominë dhe stabilitetin evropian, të bëhen tërësisht të paqëndrueshme. Por për këtë, do të duhet një “dozë” më madhe  realizmi, në një tjetër fushë.
Ditët e fundit, Banka Qëndrore e Ukrainës ndaloi së marri masa për të mbështetur monedhën kombëtare, dhe kjo sepse rezervat e saj në valutë ranë në rreth 6 miliardë dolarë, një shumë kjo e mjaftueshme për të paguar për vetëm 5 javë importe. Rezultati është se hryvnja, ka humbur më shumë se 50 përqind të vlerës së saj, në harkun kohor të 48 orëve të fundit.
Pra gjendja financiare e Ukrainës, është me gjasë edhe më e dëshpëruar sesa ajo ushtarake. Për të shmangur kolapsin, Kievi ka nevojë urgjente për një plan të ri prej 20 miliardë eurosh, 4 herë më shumë sesa fondet e dhëna deri tani nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndërhyrja e FMN-së, e planifikuar për në 30 janar, ende nuk ka nddhur. Në çdo rast, në një periudhë afatgjatë do të duhet shumë më
tepër sesa thjesht zgjatja e afatit të pagesës së kësteve, për të ç’aktivizuar “bombën” ukrainase të borxhit. Në kushtet e pamundësisë, për një integrim të menjëhershëm të ekonomisë ukrainëse në sistemin evropian, për të ndaluar reçesionin do të nevojitet rinisja e shkëmbimeve tregtare me Rusinë (që paradoksalisht është ende partneri më i madh tregtar i Kievit, pavarësisht se dy vendet janë në luftë të hapur).
Pra një armëpushim i qëndrueshëm, së bashku me dhënien fund të sanksioneve ekonomike të perëndimit ndaj Moskës. Por mbi të gjitha, do të jetë e pashmangshme një ristrukturim i borxhit si dhe një reduktim i ndjeshëm i tij, me humbje të rënda për kreditorët. Një skenar ky, që tani për tani askush nuk duket i gatshëm ta pranoje. Eshtë një dinamikë e ngjashme me atë të Greqisë, dhe nuk është rastësi, që menaxhimi i të dyja rasteve i është besuar  konsulencës se te njëjtit institut.
Përkundrejt Athinës, Merkel deri tani nuk ka dhënë asnjë provë të atij realizmi qe ajo vetë e evokoi në Mynih.  Por perspektiva e një kolapsi të Ukrainës, që mund të krijojë një vrimë të zezë me 45 milionë njerëz në zemër të Evropës, duket se eshte një nxitje shumë më e fuqishme, sesa frika lidhur me pasojat e një dalje të mundshme të Greqisë nga eurozona./ “Internazionale”/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button