Magazine

Rëndësia e të veshurit me stil, në ditët e sotme

Dakord, karakteri është më i rëndësishmi. Por mos harroni rëndësinë e veshjes.

Në rregull, e dimë se karakteri është ai që ka rëndësi tek një person, por duhet t’i lëmë disi mënjanë idealizmat për të pranuar se edhe mbajtja e vetes ka rëndësi. Së pari, ajo tregon kulturë personale dhe së dyti, paraqitja e jashtme është kontakti i parë që ne kemi me të tjerët.

Mendoni dikë që shkon për një intervistë pune. Normalisht, punëdhënësi ndeshet së pari me veshjen dhe paraqitjen e personit përballë e më pas nis të njohë karakterin e tij. Një person i veshur mirë, i qeshur, të jep përshtypjen e dikujt që i kushton kohë vetes dhe kjo gjë flet shumë mirë për të. Nga ana tjetër, mendoni sikur ky person të jetë veshur keq dhe rrobat e tij të mbajnë erë të keqe. Që aty prishet menjëherë ajo përshtypja e rëndësishme e takimit të parë.

Në ditët e sotme jo të gjithë kanë mundësi të jenë “stylish”, pasi veshjet e mira kushtojnë. Mirëpo ky mendim është më tepër një klishe, se sa ekziston realisht kështu. Nëpër rrugët e kryeqytetit, si dhe në qytetet e tjerë të vendit tonë, mund të gjenden dyqane me veshje të lira dhe mjaft të mira. Pra, duhet thjesht të dish se çfarë kërkon të prezantosh me veten tënde dhe më pas bëhet shumë e thjeshtë të kërkosh veshjen e duhur dhe me çmim ekonomik.

Një herë dola për kafe me një mikeshën time dhe e pyes “Ku i gjen gjithë këto rroba të bukura? Sa shpenzon në muaj për ta mbajtur veten kaq mirë?”. Me shaka ma ktheu “Aman mos më thuaj edhe ti se beson sikur unë shpenzoj shumë për veshjet. Tek të përdorurat i ble, por kam durim dhe rri atje me orë të tëra derisa të gjej veshje të bukura. Ndonjëherë u lë porosi edhe atyre shitësve për çfarë kam nevojë dhe shkoj në ditët që ato marrin furnizimin”.

Eh sa raste të tjera më kanë ndodhur kështu. Madje një herë shkova edhe unë në këtë tregun e famshëm të qytetit tim dhe çfarë të shihje. Atje kisha edhe shumë nga të njohurit e mi, disa edhe me profesione të mira që shkonin dhe blinin veshje të përdorura. “Për aq kohë sa paguan për diçka, nuk është turp të blesh edhe tek të përdorurat” ky është parimi bazë i ditëve të sotme.

Jua solla këto shembuj shumë realë që të mos e diskutoni edhe ju temën që mbajtja e vetes kushton. Nuk kushton aq, nëse i njeh preferencat e vetes dhe ke durim të kërkosh veshje të mira dhe me çmim të lirë.

Të mbash veten është kulturë. Prezantimi i parë që ne kemi me të tjerët, është paraqitja dhe veshja jonë. Disa thonë se nuk e vënë re këtë gjë, por që me siguri opinionin e parë e bazojnë mbi këto dy cilësi. Nuk mund të mendosh njësoj për dikë të veshur keq dhe për dikë të veshur me stil. Normalisht që më vonë opinioni për dikë do të bazohet më shumë mbi personalitetin dhe karakterin e tij, mbi atë çfarë ai të ka falur në marrëdhënie me ty, por përshtypja e parë mbetet aparenca. Ndaj, le të përpiqemi të mbajmë veten mirë dhe të tregojmë se jemi të kulturuar. Kjo gjë do të na bëjë të ndihemi edhe vetë më mirë, pasi edhe komplimentet për veshjen mbeten komplimente dhe fjalët e mira kush nuk i pëlqen… / Endri Hoxhaj / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button