Analiza

Rendi botëror: Refleksione për kombet dhe kursin e historisë

Nga Henry Kissinger

HenryNë vitin 1961, kur isha një pedagog ende i ri në moshë, i telefonova Presidentit Harry S. Truman, kur ndodhesha në Kansas City për të mbajtur një fjalë. Pyetjes se cila ishte gjëja që e kishte bërë më shumë krenar gjatë presidencës së tij, Trumani iu përgjigj: “Që i mposhtëm totalisht armiqtë tanë dhe më pas i afruam në komunitetin e kombeve. Më pëlqen të mendoj se vetëm Amerika do të mundej ta bënte një gjë të tillë”. I vetëdijshëm për fuqinë e madhe të Amerikës, Trumani krenohej mbi të gjitha me vlerat e saj njerëzore dhe demokratike. Ai dëshironte të mbahej mend, jo aq shumë për fitoret e Amerikës, se sa për aftësinë e saj për të bërë të tjerët për vete.
Të gjithë pasardhësit e Trumanit kanë ndjekur njërin prej versioneve të kësaj narrative dhe janë krenuar me tipare të ngjashëm të përvojës amerikane. Dhe përgjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe, komuniteti i kombeve që ata synonin të mbështesnin ka reflektuar një konsensus amerikan – një rend bashkëpunues e në zgjerim të pandalshëm të shteteve, që zbatojnë rregulla dhe norma të përbashkëta, që përqafojnë sisteme ekonomikë liberalë, që heqin dorë nga pushtimet territorialë, respektojnë sovranitetin kombëtar, dhe adoptojnë sisteme qeverisjeje me pjesëmarrje, dhe demokratikë. Presidentët amerikanë të të dy krahëve kanë vazhduar t’u bëjnë thirrje qeverive të tjera, shpesh herë me shumë forcë dhe elokuencë, që të mbështesin ruajtjen dhe forcimin e të drejtave të njeriut. Në shumë raste, mbrojtja e këtyre vlerave nga SHBA dhe aleatët e vet ka sjellë ndryshime të rëndësishme në gjendjen e njerëzimit.
Megjithatë, sot, ky sistem i “bazuar mbi vlerat” përballet me sfida. Thirrjet e vazhdueshme drejtuar shteteve të tjerë që “të bëjnë pjesën e tyre”, të luajnë sipas “rregullave të shekullit 21”, ose të jenë “aktorë të përgjegjshëm” në një sistem të përbashkët, reflekton faktin që nuk ekziston një përcaktim i pranuar nga të gjithë, për sistemin e të kuptuarit se cili do të ishte “kontributi i duhur”. Jashtë botës perëndimore, rajonet që kanë luajtur një rol minimal në formulimin fillestar të këtyre rregullave vënë në dyshim vlefshmërinë e tyre në formën e tanishme, dhe e kanë bërë të qartë se do të punonin për t’i modifikuar ato. Kështu, ndërkohë që “komuniteti ndërkombëtar” kërkohet më me këmbëngulje sot, se sa në çdo epokë tjetër, ai nuk paraqet një seri të qartë apo të dakordësuar objektivash, metodash apo limitesh.
Epoka jonë është në një kërkim këmbëngulës, ndonjëherë pothuajse të dëshpëruar, të një koncepti të rendit botëror. Kaosi kanoset krah për krah me një ndërvarësi të paprecedentë: në përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, shpërbërjen e shteteve, impaktin e shkatërrimeve mjedisorë, vazhdimin e praktikave gjenocidiste, dhe përhapjen e teknologjive që kërcënojnë ta shtyjnë konfliktin përtej kontrollit apo të kuptuarit të njeriut. Metodat e reja të aksesit dhe komunikimit të informacionit i bashkojnë rajonet si kurrë më parë dhe i projektojnë ngjarjet në nivel global – por në një mënyrë që pengon reflektimin, duke u kërkuar udhëheqësve që të rregjistrojnë reagime të çastit, në një formë të shprehëshme vetëm në sloganë. A jemi përballë një epoke kur forcat përtej kontrollit të çfarëdolloj rendi, përcaktojnë të ardhmen?
LLOJET E RENDIT BOTEROR
Asnjë “rend global”, me të vërtetë i tillë, nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Ai që quajmë rend në kohën tonë është skicuar në Europën Perëndimore pothuajse katër shekuj më parë, në një konferencë paqeje në rajonin gjerman të Vestfalisë, që u zhvillua pa përfshirjen, madje edhe pa dijeninë e shumicës së kontinenteve apo qytetërimeve të tjerë. Një shekull konfliktesh sektarë dhe trazirash politike në Europën Qendrore kish arritur kulmin në Luftën Tridhjetë Vjeçare të 1618-1648-ës – një konflikt i madh ku erdhën e u përzien mosmarrëveshjet politike dhe fetare, palët ndërluftuese përdorën “luftën totale” ndaj qendrave të populluara, dhe ku pothuajse një e katërta e Europës Qendrore gjeti vdekjen prej luftës, sëmundjeve apo urisë. Pjesëmarrësit e rraskapitur u takuan për të përcaktuar një seri marrëveshjesh që do të ndalnin gjakderdhjen. Uniteti fetar kishte pësuar frakturë prej mbijetesës dhe përhapjes së Protestantizmit; diversiteti politik ishte i natyrshëm në numrin e njësive politike autonome që kishin luftuar për një barazim. Kështu, në Europë kishim përafërsisht gjendjen e botës së sotme: një shumëllojshmëri njësish politike, asnjëra aq e fuqishme sa të mposhtë gjithë të tjerat, shumë prej tyre mbështetëse të filozofive dhe praktikave të brendshme që binin ndesh mes tyre, në kërkim të rregullave neutralë për të rregulluar sjelljen e tyre dhe zbutur konfliktin.
Paqja e Vestfalisë reflektonte një ujdi praktike me realitetin, jo një vështrim moral unik. Ajo mbështetej mbi një sistem shtetesh të pavarur që frenoheshin të ndërhynin në punët e brendshme të njëri-tjetrit, dhe që kontrollonin ambiciet e njëri-tjetrit përmes një ekuilibri të përgjithshëm të fuqive. Asnjë pretendim për të vërtetën apo sundimin universal nuk kishte mbizotëruar në grindjet e Europës. Në vend të tij, secilit shtet i ishte caktuar autoritet sovran mbi territorin e tij. Secili do të pranonte si realitete, strukturat e brendshme dhe vokacionet fetarë të shteteve të tjerë dhe nuk do të sfidonte ekzistencën e tyre. Me një ekuilibër të fuqive që tashmë perceptohej si i natyrshëm dhe i dëshirueshëm, ambiciet e sundimtarëve do të vendoseshin në kundërpeshë me njëri-tjetrin, dhe të paktën teorikisht do të zvogëlonin shtrirjen e konflikteve. Ndarja dhe shumëllojshmëria, një aksident i historisë së Europës, u shndërrua në shenjën dalluese të një sistemi të ri të rendit ndërkombëtar, me pikëpamjen e vet të dallueshme filozofike.
Në këtë kuptim, përpjekja europiane për t’i dhënë fund këtij konflikti i dha formë dhe ishte një tregues i hershëm i sensibiliteteve modernë: ajo kufizonte gjykimin mbi absoluten në favor të praktikes dhe ekumenikes; ajo synonte të distilonte rendin, prej shumëllojshmërisë dhe vetëpërmbajtjes.
Negociatorët e shekullit 17 që hartuan Paqen e Vestfalisë nuk mendonin se po hidhnin themelet për një sistem të zbatueshëm globalisht. Ata nuk bënë asnjë përpjekje për të përfshirë Rusinë fqinjë, e cila në atë kohë po rikonsolidonte rendin e saj pas makthit të “Kohës së Telasheve”, duke iu përmbajtur parimeve që binin dukshëm ndesh me ekuilibrin e Vestfalisë: një sundimtar i vetëm absolut, një ortodoksi fetare e bashkuar, dhe një program zgjerimi territorial në të gjithë drejtimet. Po kështu, edhe qendrat e tjera të pushtetit nuk e shihnin marrëveshjen e Vestfalisë (për aq sa kishin njohuri për të) si të përshtatshme për rajonet e tyre.
Ideja e rendit botëror u zbatua në një shtrirje gjeografike, aq sa njihej nga burrat e shtetit të kohës – një model i përsëritur në rajone të tjerë. Kjo ndodhte kryesisht sepse teknologjia mbizotëruese në atë kohë nuk nxiste, madje as nuk lejonte veprimin e një sistemi të vetëm global. Pa mjete për të ndërvepruar me njëri-tjetrin në mënyrë të vazhdueshme dhe pa një kuadër për matjen e fuqisë së një rajoni kundrejt një tjetri, secili rajon e shihte rendin e tij si unik dhe i quante të tjerët “barbarë” – të qeverisur në një mënyrë që për rendin ekzistues dhe projektet e tij mund të shihej vetëm si kërcënim. Secili e quante veten një model për organizimin legjitim të të gjithë njerëzimit, dhe imagjinonte që, duke qeverisur atë që kishte para vetes, në fakt po përcaktonte rendin e botës.
Në anën tjetër të pjesës Euraziatike, Kina ishte qendra e konceptit të saj hierarkik dhe teorikisht universal të rendit. Ky sistem kishte funksionuar prej disa mijëvjeçarësh – ai kishte ekzistuar atëherë kur Perandoria Romake qeveriste Europën si një e tërë – dhe bazohej jo mbi barazinë sovrane të shteteve, por në pakufishmërinë e supozuar të shtrirjes së Perandorit. Në këtë koncept, sovraniteti sipas kuptimit europian nuk ekzistonte, sepse ndikimi i Perandorit shtrihej mbi “të gjithë ata që jetonin nën qiell”. Ai ishte maja e një hierarkie politike dhe kulturore, të dallueshme dhe universale që rrezatonte, prej qendrës së botës në kryeqytetin kinez, në drejtim të të gjithë njerëzimit. Ky i fundit klasifikohej me shkallë të ndryshme barbarësh, që dalloheshin pjesërisht nga zotërimi i shkrimit kinez dhe institucioneve kulturorë (një kozmografi që mori fund në epokën moderne). Kina, në këndvështrimin e saj, do të vendoste rendin në botë kryesisht duke shkaktuar frikë të përzier me nderim tek shoqëritë e tjera, me madhështinë e saj kulturore dhe bollëkun ekonomik, duke i tërhequr në marrëdhënie që mund të përdoreshin për të arritur objektivin e “harmonisë nën qiell”.
Në pjesën më të madhe të rajonit mes Europës dhe Kinës, mbizotëronte koncepti i ndryshëm universal i Islamit për rendin botëror, me vizionin e tij të një qeverisjeje unike hyjnore që bashkonte dhe paqësonte botën. Në shekullin e shtatë, Islami ishte lëshuar në drejtim të tre kontinenteve, në një valë të paprecedentë ekzaltimi fetar dhe ekspansioni imperial. Pasi bashkoi botën arabe, duke marrë edhe mbetjet e perandorisë romake dhe nënshtruar perandorinë perse, Islami arriti të qeverisë Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, pjesë të mëdha të Azisë dhe pjesë të Europës. Versioni i tij i rendit universal e konsideronte Islamin të destinuar që të zgjerohej në “mbretërinë e luftës”, si i quante ai të gjithë rajonet e populluar nga jobesimtarët, deri kur e gjithë bota të ishte një sistem unitar, i sjellë në harmoni prej mesazhit të Profetit Muhamed. Ndërkohë që Europa ndërtonte sistemin e saj shumështetëror, Perandoria Otomane me qendër në Turqi ringjalli këtë pretendim për një qeverisje të vetme legjitime dhe përhapi supremacinë e saj në zemër të Arabisë, në Mesdhe, Ballkan dhe Europën Lindore. Ajo ishte e vetëdijshme për rendin ndërshtetëror që po lindte në Europë; e konsideronte jo një model, por një burim ndarjesh që mund të shfrytëzohej për ekspansionin otoman drejt perëndimit. Sic i paralajmëronte Sulltani Mehmet Pushtuesi qytet-shtetet italianë që praktikonin një version të hershëm multipolariteti në shekullin 15: “Ju jeni 20 shtete… jeni në mosmarrëveshje mes jush… Duhet të ketë vetëm një perandori, një fe, dhe një sovranitet në botë”.
Ndërkohë, përtej Atlantikut, në “Botën e Re” po hidheshin themelet e një vizioni të spikatur të rendit botëror. Ndërkohë që në Europë zienin konfliktet sektarë dhe politikë të shekullit 17, kolonët Puritanë ishin nisur të shlyenin Planin e Zotit me një “porosi në shkretëtirë”, që do i çlironte nga strukturat ekzistuese të autoritetit (dhe në këndvështrimin e tyre, të korruptuar). Atje, ata do të ndërtonin, siç predikonte Guvernatori John Winthrop në vitin 1630 në bordin e një anije që ishte nisur për në vendbanimin e Massachusettsit, “një qytet mbi kodër”, që do të frymëzonte botën përmes drejtësisë së parimeve të tij dhe forcës së shembullit të tij. Në këndvështrimin amerikan për rendin botëror, paqja dhe ekuilibri do të vinin natyrshëm, dhe armiqësitë e vjetra do të liheshin mënjanë – sapo kombeve t’u jepej e njëjta e drejtë parimore në qeverisje, si ajo që kishin amerikanët në të tyren. Kështu, detyra e politikës së jashtme nuk ishte aq shumë ndjekja e një interesi specifik amerikan, se sa kultivimi i parimeve të përbashkët. Me kalimin e kohës, SHBA do të bëheshin mbrojtësi i domosdoshëm i rendit që krijoi Europa. Megjithatë, edhe pse SHBA dhanë ndihmën e tyre në këtë përpjekje, ambivalenca vazhdoi – sepse vizioni amerikan konsistonte jo në përqafimin e sistemit europian të ekuilibrit të fuqive, por në arritjen e paqes përmes përhapjes së parimeve demokratikë.
Nga të gjithë këta koncepte për rendin, parimet vestfalianë janë, deri në momentin e shkrimit të këtij libri, e vetmja bazë përgjithësisht e pranuar e asaj çfarë ekziston prej rendit botëror. Sistemi vestfalian u përhap nëpër botë si korniza e një rendi ndërkombëtar të bazuar në shtetet, që shtrihej në shumë qytetërime dhe rajone sepse, teksa kombet europianë zgjeroheshin, ata merrnin me vete edhe projektin e rendit ndërkombëtar. Ndërkohë që shpesh herë ata neglizhonin që të zbatonin konceptet e sovranitetit në kolonitë dhe popujt e kolonizuar, kur këta popuj nisën të kërkojnë pavarësi, e bënë këtë në emër të koncepteve të Vestfalisë. Parimet e pavarësisë kombëtare, shteteve sovranë, interesit kombëtar dhe mosndërhyrjes rezultuan argumenta efikasë kundër vetë kolonizatorëve gjatë luftërave për pavarësi dhe mbrojtje, për shtetet e sapoformuar.
Sistemi vestfalian, tashmë global – ai që në biseda quhet komuniteti botëror – është përpjekur të frenojë natyrën anarshiste të botës, me një rrjet strukturash ndërkombëtare organizative dhe ligjore, të krijuara për të nxitur tregtinë e hapur dhe një sistem financiar të qëndrueshëm ndërkombëtar, krijuar parime të gjithëpranuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, dhe vendosur limite për zhvillimin e luftërave, kur këto ndodhin. Ky sistem shtetesh tani përfshin çdo kulturë dhe rajon. Institucionet e tij kanë ofruar kuadrin neutral për ndërveprimin mes shoqërive të ndryshme – në një masë të madhe të pavarur prej vlerave të tyre respektive.
Megjithatë, parimet vestfalianë po sfidohen nga të gjithë anët, ndonjëherë në emër të vetë rendit botëror. Europa është nisur drejt shkëputjes nga sistemi që po vetë e krijoi dhe po kalon në një koncept të sovranitetit të bashkuar. Dhe ç’është më ironikja, ndonëse Europa krijoi konceptin e ekuilibrit të fuqive, ajo ka kufizuar në mënyrë të vetëdijshme elementin e fuqisë në institucionet e saj të reja. Pasi ka zvogëluar kapacitetet e veta ushtarake, Europa ka pak hapësirë për të reaguar kur shkelen normat universale.
Në Lindjen e Mesme, xhihadistët në të dy anët e ndarjes Sunitë-Shiitë shkatërrojnë shoqëritë dhe shpërbëjnë shtetet, në kërkim të vizioneve të një revolucioni global, të bazuar mbi versionin fondamentalist të fesë së tyre. Vetë shteti – si edhe sistemi rajonal i ngritur mbi të – është në rrezik, i sulmuar prej ideologjive që hedhin poshtë kufizimet e tij si të paligjshme dhe prej militantëve terroristë që, në shumë vende, janë më të fortë se sa forcat e armatosura të qeverisë.
Azia, në disa drejtime më i suksesshmi i rajoneve që ka adoptuar konceptet e shtetit sovran, ende i kujton me nostalgji konceptet alternativë të rendit dhe vazhdon të ziejë prej rivaliteteve dhe pretendimeve historikë, si ata që tronditën rendin e Europës një shekull më parë. Pothuajse çdo shtet e konsideron veten “në ngjitje”, duke i shtyrë mosmarrëveshjet në kufijtë e konfrontimit.
SHBA-të, herë kanë mbrojtur sistemin Vestfalian, e herë kanë kritikuar kushtet e tij të ekuilibrit të fuqive dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme si imoralë dhe të vjetëruar, dhe herë të tjera i kanë bërë të dyja bashkë. SHBA vazhdon të theksojë rëndësinë universale të vlerave të saj në ndërtimin e një rendi botëror paqësor dhe rezervon të drejtën t’i mbështesë globalisht. Megjithatë, pasi është tërhequr prej dy luftërave gjatë dy brezave – ku secila ka nisur me aspirata idealiste dhe mbështetje të gjerë publike dhe ka përfunduar në traumë kombëtare – Amerika e ka të vështirë të përcaktojë marrëdhënien mes fuqisë (ende shumë e madhe) dhe parimeve të saj.
Të gjithë qendrat e mëdha të fuqive praktikojnë elementë të rendit Vestfalian në një farë mase, por askush nuk e konsideron veten mbrojtësin e natyrshëm të sistemit. Të gjitha po kalojnë ndryshime të brendshëm të rëndësishëm. A munden rajonet me kultura, histori, dhe teori tradicionale rendi kaq të shumëllojshme, të mbrojnë me sukses legjitimitetin e cilitdo sistem të përbashkët?
Suksesi në këtë përpjekje do të kërkojë një qasje njerëzore që respekton edhe shumëllojshmërinë e kushteve njerëzore, edhe kërkimin e lirisë nga njeriu. Rendi në këtë kuptim duhet të kultivohet; ai nuk mund të imponohet. Kjo është sidomos e vërtetë në një epokë të komunikimit të çastit dhe një fluksi politik revolucionar. Cdo sistem i rendit botëror, që të jetë i qëndrueshëm, duhet të pranohet si i drejtë – jo vetëm nga udhëheqësit, por edhe nga qytetarët. Ai duhet të reflektojë dy të vërteta: rendi pa liri, edhe nëse mbështetet në ekzaltimin momental, me kalimin e kohës krijon kundërpeshën e tij; megjithatë, liria nuk mund të sigurohet apo ruhet pa një kornizë të rendit që ruan paqen. Rendi dhe liria, që ndonjëherë përshkruhen si pole të kundërt në spektrin e përvojës, duhet të kuptohen si të ndërvarur. A munden udhëheqësit e sotëm të ngrihen mbi urgjencat e të përditshmes, për të arritur këtë ekuilibër?
Shkëputur nga Parathënia e librit më të fundit i Henry Kissingerit: “Rendi Botëror: Refleksione mbi karakterin e kombeve dhe kursin e historisë”
PERKTHIMI: Ermal Gjinaj
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button