Histori

Renegatët e Gjysmëhënës

Nëse turqit u tranformuan në njerëz të deteve dhe flotat e tyre dominuan për shekuj të tërë Mesdheun, një pjesë e madhe e meritës i takon aventurierëve me prejardhje të ndryshme që tradhëtuan fenë katolike për të përqafuar Islamin. Një vecanti interesante e këtij realiteti mbresëlënës

crescentBruno Cianci

Perandoria Otomane i detyrohet shumë për suksesin e saj ushtarak dhe organizativ, kontributit të personelit të etnisë jo turke, përgjithësisht eksponentë të popullsive të nënshtruara dominimit të Sulltanit, skllevër të kapur gjatë bastisjeve në toka të largëta, apo aventurierë në arrati nga ndëshkimi i ligjit. Jo se turqit nuk ishin luftëtarë të mëdhenj: përkundrazi, dinin të kalëronin me shumë shkathtësi, një trashëgimi nga lashtësia e një populli të emigruar në Anadoll prej stepave aspak mikpritëse të Azisë qendrore. Nga këndvështrimi i vlerës dhe guximit nuk ishin të dytë ndaj askujt dhe jepnin gjithmonë prova kuraje dhe kishin frymë vetëmohimi. Megjithatë, turqit kanë qenë shpesh të komanduar nga të huaj: që nga koha e Mehmet Pushtuesit (shekulli XV) e deri në Luftën e Parë Botërore, kur luftuan në krah të perandorive qendrore nën tutelën e këshilltarëve gjermanë.

Të huaj, në origjinë, ishin dhe vetë jenicerët, këmbësoria elitare e perandorisë. Të rekrutuar në formë tributesh mes të rinjve të territoreve të pushtuar ballkanikë, ata u shndërruan në një trupë kaq të fuqishme, saqë të minonin vetë autoritetin e sulltanit për disa shekuj, deri në shpërbërjen e tyre në 1826. Edhe komandantët e ushtrisë dhe vezirët ishin të huaj në origjinë. Kryevezirët më të vlerësuar ishin shqiptarë, boshnjakë etj. Vetë sulltanët kishin pak gjak turk në vena, duke qenë se ishin të gjithë bij të skllaveve konkubina (preferoheshin sllave apo kirkasiane) dhe sovranësh që, nga ana e tyre, ishin lindur po nga konkubina.

Arsyet e hapjes së otomanëve ndaj “tjetrit” nga një anë ishin refleks i diktuar prej dimensionit imperial, nga ana tjetër buronin prej tolerancës së njohur të sovranëve otomanë ndaj kulturave dhe komuniteteve të tjerë. Kjo qasje i lejoi turqit që të njohin dhe të angazhojnë me një lehtësi relative më të mirët e personelit në qarkullim, të cfarëdolloj feje apo etnie, duke azhornuar në ndërkohë teknikat e luftimit dhe modernizuar arsenalët.

Bombardueset e realizuara nga Urbani i Transilvanisë lehtësuan shumë marrjen e Kostandinopojës dhe qyteteve të tjerë të fortifikuar, më i fundit Beogradi; përshtatja e harkbugëve ishte shkaku i aneksimit të perandorisë mamluke në fillim të shekullit XVI.

Një jetë e re në emër të Allahut

Urën bashkuese mes dijes së të huajve dhe forcave të armatosura otomane e bënin përgjithësisht ekspertët e pajtuar, apo të ashtuquajturit renegatë. Nëse të parët nuk ishin vecse këshilltarë të paguar shtrenjtë për një periudhë të kufizuar kohe, si Urbani i Transilvanisë i përmendur më sipër apo inxhinierët francezë që modernizuan flotën turke gjatë mbretërimit të Selimit III, të dytët ishin ata që “bëheshin turq”, sic thuhej.

Këta hiqnin dorë me betim nga feja e krishterë për të përqafuar atë të Muhamedit. Shumë renegatë ishin skllevër që nuk kishin mundësi që të paguanin lirinë dhe, për këtë arsye, pranonin të bënin një jetë të re. Të tjerë renegatë ishin individë që kishin rendur drejt luftës, duke gjetur fatin në Afrikën veriore. Eshtë ky rasti i flamingëve si Simon Danser dhe Jan de Janszoon van Harlem, ky i fundit i njohur si Murat Reis.

Anijet e ndërtuara në Europën veriore dhe galionët e parë, ndonëse në mënyrë sporadike, i shërbyen perandorisë otomane dhe Portës së Lartë. Duke qenë se ishin anije oqeanike, Murat Reis mund të kryente inkursione deri në Irlandë dhe në Islandën e largët.

Renegatë të tjerë ishin njerëz të shkëputur nga tokat e origjinës për arsye se ishin të mbytur në borxhe; të tjerë ishin thjesht të joshur nga shoqëria myslimane, e cila ushtronte ndaj zakoneve në përgjithësi një kontroll më të dobët se sa Europa e krishterë (jo më kot rastet e renegatëve që bënin të kundërtën, pra nga Islami në krishtërim, ishin shumë të rrallë). Në të gjithë rastet e sipërpërmendur, renegatët përmirësonin kushtet e jetës: ky ishte nxitësi kryesor që e shtynte një të krishter “të bëhej turk”.

Marina otomane ishte institucioni që më shumë se cdo tjetër shfrytëzoi specialistët me origjinë italiane, shpesh herë renegatë. Për periudha të gjata turqit dominuan jo vetëm tokat e tre kontinenteve – Europa, Azia dhe Afrika – por edhe Mesdheun. Ditën të ndërtojnë një marinë në një periudhë të shkurtër kohe: venecianë, grekë e gjenovezë kontribuan të gjithë për t’u bërë të njohur turqve, një popull tokësor për definicion, artin e detarisë. Në shekullin XVI otomanët sfiduan në det Habsburgët dhe Venecian me armë të barabarta; në shekullin XVII, pasi katastrofa e Lepantit kishte ndalur vrullin për disa dekada, marina turke rifitoi pozicione dhe ngriti sërish kokë përballë venecianëve. Gjatë luftërave të Kretës dhe Moreas, turqit përdorën galionët më të fundit duke demonstruar se kishin gjithmonë një sy nga risitë e teknologjisë.

Ndërtues dhe komandantë anijesh

I njëjti personel që menaxhonte anijet e marinës, ashtu si dhe mjeshtërat e armëve, ishin edhe ata të huaj, grekë e italianë sidomos. Renegati venecian Niccolo Furlan, emri mysliman i të cilit ishte Mustafa, arriti të mbikëqyrë ndërtimin e galionëve të parë të ndërtuar në arsenalin e Stambollit. Dy renegatë të tjerë italianë, Usta Murat dhe Mami Ferrarese arritën në Tunizi pozicione të vlerësueshëm për sa i përket pasurisë dhe prestigjit. Me origjinë nga Levanto, i pari arriti që me një goditje të vetme të zëvendësonte guvernatorin lokal ushtarak pasi kishte komanduar flotën pirate të asaj zone. Edhe dy kapedanë pasha, grada maksimale “e detit” në perandorinë otomane, ishin me origjinë nga gadishulli italian: Uluc Ali Reis dhe Cigalazade Jusuf Sinan. Të dy kanë lënë dëshmi morale dhe materiale që mbijetojnë në Stambollin dhe Turqinë bashkëkohore. I lindur me emrin Giovanni Dionigi Galeni në 1519, Uluc Ali ishte me origjinë nga Le Castella, në Kalabri. I destinuar për jetë murgu, ai u kap në vitin 1536 nga Hajredin Barbarosa, krijuesi i fuqisë detare otomane dhe kapedan pasha që nga viti 1533 deri në 1546. Pasi u burgos dhe zbriti në rrema, Galeni hoqi dorë nga feja e krishterë. Sipas asaj që ka shkruajtur Migel de Servantes – autori i Don Kishotit – e bëri për t’u hakmarrë ndaj një myslimani që i kish bërë një dëm: pa u konvertuar, në fakt, do të ishte gjykuar në përputhje me ligjin islamik. Uluc Ali, sic mori emrin pasi u konvertua në fenë islame, ndoqi me sukses karrierën e piratit; përshkoi të gjithë Mesdheun, duke i kushtuar vëmendje të vecantë Mbretërisë së Napolit, atëherë nën dominimin spanjoll dhe Ligurias.

Kapi një numër mbresëlënës anijesh, mes të cilave njëra në pronësi të Vincenzo Cicalas. Nuk ishte vetëm një njeri i madh i deteve, por edhe një guvernator i aftë. U bë bej i të gjithë qyteteve të mëdhenj afrikano-veriorë të nënshtruar perandorisë turke: nga Algjeri në Tripoli, duke kaluar nëpër Tuniz. Në korrik 1571 Uluc Ali ndeshi një skuadër të Kalorësve të Maltës në Sicili, duke fundosur tre anije të tyre. Nuk arriti të kapë asnjë prej anijeve (e kishin zakon t’i shkatërronin që të mos binin në duar të armikut) por nuk do të mungonte rasti ta riprovonte disa muaj më vonë në Lepanto, ku pati komandën e krahut të majtë të grupit mysliman. Në pjesën jugore të teatrit të betejës, u gjend përballë galesë së gjenovezit Gian Andrea Doria dhe me anijet e Kalorësve të Maltës.

Uruc Ali arriti, duke përfituar nga një shpërqëndrim i komandantit gjenovez, që të turrej si një fajkua drejt disa anijeve që kishin mbetur të izoluara. Flamuri i vyer i kuq i Kalorësve të Maltës, me kryqin e bardhë në formë piruni këtë herë nuk i shpëtoi nga duart. I mbijetuar nga humbja e pariparueshme turke dhe kasaphana që e pasoi, ish pirati mori me vete në Stamboll plot 42 anije nga fatkeqësia: “një dhuratë” sigurisht e rëndësishme në pritje të rindërtimit të flotës otomane.

Karriera triumfuese e një të munduri

Në Venecia ishin të bindur që ndoshta kish qenë Gian Andrea Doria që favorizoi arratinë. Në një nga sallat e Pallatit Dukal në Venecia ndodhet një pikturë e Andrea Vicentino që përjetësoi atë që konsiderohej keqdashje e ligurëve: në një pjesë të saj vërehet një pjesë e ushtrisë së krishterë në Lepanto që hap rrugën dhe lë të kalojnë disa anije myslimane. Sigurisht nuk është një provë që gjërat shkuan vërtetë kështu, por piktura e bën goxha të qartë idenë se si mund të ishin marrëdhëniet mes dy “aleatëve” të krishterë.

Sido që të kenë shkuar gjërat, në 19 dhjetor 1571 Uluc Ali hyri në Stamboll në komandë të njësive të mbijetuara: afro 192 anije ishin fundosur apo kapur nga Lidhja e Shenjtë. Flamuri që u ish marrë Kavalierëve u shfrytëzua për qëllime propagandistike: bëhej fjalë për një gjë me domethënie shumë të fortë simbolike dhe për këtë arsye u përdor si trofe, në bazilikën e Shën Sofisë. Shumë gjëra u bënë për të larguar nënën e të gjithë humbjeve nga sytë e masave. Uluc Aliut nuk iu pre koka, ashtu si komandantëve të tjerë që humbisnin. Dhurata që risolli pas humbjes i vlejti renegatit kalabrez jo vetëm për mbijetesën, por edhe për t’i zënë vendin Myzinzad Aliut, që vdiq në Lepanto, në rolin e kapedan pashait.

Me një ceremoni solemne u bë dhe metamorfoza e tij: Uluc Ali Reis u shndërrua në Kilic Ali (ose Ali “Shpata”). Detyra e re e bërë Kilic Ali Pashanë përgjegjës për të gjithë veprimtarinë e ndërtimit të anijeve në perandori. Brenda dimrit rindërtoi flotën dhe në 1574 ripushtoi Tunizin, që ishte marrë një vit më parë nga spanjollët. Kilic Ali Pashai vdiq në vitin 1587 në pallatin e tij pranë lagjes së Gallatës në Stamboll. Ishte 68 vjec, nga të cilët 51 i jetoi “si turk”. Si mysliman i mirë, ia kushtoi vitet e fundit të jetës veprimtarisë bamirëse, e treta ndër pesë kolonat e fesë. Ngriti një xhami të bukur në lagjen e tij, në një zonë të bonifikuar posacërisht.

Kilic Ali Pasha është varrosur pranë kësaj ndërtese të shenjtë që i është atribuar arkitektit të madh Sinan, përgjatë Bosforit. Vdekja e kalabrezit ishte vërtetë fundi i një epoke.

 

Leave a Reply

Back to top button