Analiza

Rënia e komunizmit, fundi i një ankthi

Pse ideologjia komuniste ka shënuar një epokë
“Kur nevoja për iluzion është e thellë, thesare inteligjence mund të investohen në shërbim të injorancës” (Saul Bellow)

komunizmi

Me 9 nëndor të vitit 1989 “ra” simbolikisht muri që ndante Berlinin Lindor (komunist) nga Berlini Perëndimor (pjesa komuniste). Midis rievokimeve të shumta të atyre ditëve, është me vend të kujtohet – sidomos më të rinjve – domethënia që ajo ngjarje ka pasur jo vetëm për berlinasit, por për të gjithë ne: fundin e një ankthi.
Në fakt, në harkun e gjithë historisë shumë diktatura kanë rënë (të gjitha, herët a vonë, bien), dhe kjo ka nënkuptuar një ndjenjë të pafundme çlirimi për popullsitë që u i kanë pësuar mjerim dhe vuajtje. Ndoshta ai gëzim është ndarë edhe nga njerëz të tjerë, me shtetësi të ndryshme, të ndjeshëm ndaj vuajtjes njerëzore kudo që shfaqet dhe më dëshirën që liria të afirmohet kudo, por komunizmi ka qenë një gjë ndryshe. Nuk ka qenë një diktaturë e thjeshtë, por një totalitarizëm ideologjik me pretendime hegjemoniste botërore. Kështu që ka zgjatur më gjatë se diktaturat e tjera, ka pasur një shtrirje pothuajse planetare, ka shkaktuar më shumë viktima se çdo regjim tjetër gjakatar, ka pasur pasoja të rënda edhe ndaj jetës sociale të vendeve që nuk i qenë nënshtruar drejtpërsëdrejti kësaj zgjedhe. Për 28 vjet me radhë Muri i Berlinit (ndërtimi i tij filloi natën midis 12 dhe 13 gushtit të vitit 1961) qe simboli i “perdes së hekurt” ekzistuese, pothuajse nga mbarimi i luftës, midis vendeve të bllokut sovjetik dhe atyre të blloku atlantik. Qe edhe parafigurimi plastik që ajo ndarje konsistonte në një burg për popujt e Lindjes. Famëkëqinjtë Vopo (“policia e popullit” e RDGJ-së…) qëllonin pa paralajmërim ndaj kujtdo që tentonte të arratisej nga Berlini Lindor; në vite do të numërohen për këtë rreth 230 të vdekur. Në vitin 1989 popujt e Europës Lindore patën perceptimin se Bashkimi Sovjetik, tashmë në pragun e kolapsit social dhe ekonomik, nuk ishte më në gjendje që t’i shtypte brutalisht rebelimet në shtetet satelite. Partitë komuniste që qenë në qeveri në këto shtete, pa mbështetjen e Moskës, nuk mund ta mbanin më të shtypur dëshirën për liri të popujve të tyre. Kështu që njëri pas tjetrit ranë regjimet e Polonisë (e cila prej vitesh, me Solidarność, manifestonte shtytjet demokratike më të forta), Hungaria, Çekosllovakia, Gjermania Lindore dhe – rasti i vetëm në të cilin qe i nevojshëm një kryengritje e dhunshme – Rumania. Kështu, me 9 nëntor të 1989 përgjatë atij muri jo më nën kontroll të armatopsur berlinasit e Lindjes dhe të Perëndimit më së fundi mund të përqafoheshin (shumë familje e kishin parë veten të ndarë) dhe të ngrinin në qiell ulërimën çliruese: “Ëir sind ‘ein’ Volk”, “Ne jemi një popull” (duke korrigjuar një slogan të vjetër propagandistik të RDGJ-së që shfaqej pikërisht në një mur: “Ne jemi populli”).
Ngarkesa shkatërrimtare e fenomenit komunist
Fenomeni komunist ka qenë aq i pafundëm, edhe në ngarkesën shkatërrimtare të tij, sa që vështirë se mund t’i bëhej një profil komplesiv. Rusia, e bërë Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, ka qenë eksperimenti më i rëndësishëm i realizimit konkret të projektit komunist. Bëhet fjalë për një model të frymëzuar nga filozofia dhe praktika politike marksiste – leniniste, të interpretuara sipas formulës së “socializmit në një vend të vetëm”, që presupozonte kontrollin e Bashkimit Sovjetik ndaj regjimeve dhe partive të Internacionales Komuniste. Në kuadrin e një filozofie të tillë, modeli sovjetik i korrespondon atij që Marksi e quante socializmi real. Ai duhet të ishte një fazë e përkohshme drejt komunizmit në kuptimin e vet, stadi përfundimtar (i mbetur gjithmonë konfuz) që do të shikonte zhdukjen e raporteve të punës, të klasave, të së drejtës, të shtetit. Në realitet, të të dallosh në një plan teorik socializmin dhe komunizmin është një përpjekje mashturese: elementët themelorë (vizion i shoqërisë, i ekonomisë etj.) janë thelbësisht të njëjtë dhe të papajtueshëm me çdo shoqëri demokratike. Eksperimenti sovjetik ka zgjatur mbi 70 vjet (nga 1917 deri më 1991) dhe ka marrë një karakter “perandorak”: Në Internacionalen Komuniste Bashkimi Sovjetik dëshironte që të ishte fanari i një ekspansioni botëror të kësaj ideologjie. Duke filluar nga viti 1946, arriti praktikisht që të krijojë një “bllok” botëror, duke mbështetur ushtarakisht e financiarisht “revolucione” komuniste në çdo cep të planetit, duke krijuar regjime të cilave u kishte kontrollin e drejtpërdrejtë (mbi të gjitha në Europën Lindore). Krimet e kryera nga regjimi sovjetik (jo vetëm nga Stalini, por edhe nga kush ka qenë përpara dhe prapa tij) kanë qenë gjithmonë të njohur dhe të njohshëm nga kush nuk i kishte sytë e lidhura me fashën e fanatizmit ideologjik. Projekti komunist ka njohur edhe tentativa realizimi jouniforme me ortodoksinë sovjetike (megjithëse shpesh të mbështetura nga Moska): Kinë, Vietnam, Kamboxhia, Kore e Veriut, Jugosllavi, Kubë, Nikaragua, etj. Secili prej këtyre “eksperimenteve” ka pasur për konstante: vrasje të opozitarëve (megjithëse jo shfarosje masive); privim të lirive politike, civile, fetare e sociale; mjerim ekonomik. Vetëm për sytë e kujt nuk donte t’i shikonte e t’i kuptonte këto tmerre mund të dukeshin episode të “pështira”, por të izoluara, të palidhura, “degjenerime” të thjeshta të një utopie të mirë. Ose episode të asimilueshme me ato të cilat janë bërë përgjegjës regjime të tjerë në epoka historike të ndryshme. Një libër tashmë i famshëm ka marrë përsipër që të bëjë një profil komplesiv të komunizmit, duke i përcaktuar unicitetin: bëhet fjalë për Librin e Zi të Komunizmit, një përmbledhje eseshë e koordinuar nga Stéphane Courtois. Autorët e seksioneve të ndryshme nënvizojnë emëruesin e përbashkët të tendencave të larmishme të “komunizmit”, në pjesë të ndryshme të botës (Europë Lindore, Azi, Amerikë Latine, Afrikë). Dhunat e regjimeve të ndryshme nuk mund të konsiderohen degjenerime të rastësishme, por pasoja e domosdoshme e një imponimi ideologjik. Nga ana tjetër, është e vështirë të konsiderohet “degjenerim” hullia e terrorit e këtij fenomeni: midis 80 dhe 100 milion të vdekurve në harkun e pak më shumë se 70 vjetëve. Pastaj, terrori nuk matet vetëm nga të vdekurit. Dhjetëra milion të internuar në gulagë (apo laogai, apo siç janë quajtur ndryshe në vende të ndryshme). Fushata shpifjesh dhe denigrimi ndaj kundërshtarëve, me privim të punës dhe izolim social. Deportime masive popullsishë të tëra. Shtypje të lirive më elementare (të kultit, të shprehjes, të shoqërimit, të qarkullimit, të pronës, të iniciativës ekonomike). Shtypje e çdo krijueshmërie artistike që nuk ishte ekzaltim i ideologjisë së regjimit. Tentativë për të përmbysur afeksionet natyrore dhe sulmuar familjen (e kundërshtuar nga regjimet absolute për sa kështjellë lirie që i bën karshillëk autoritetit publik), si në eksperimentet sociale të heqjes së fëmijëve prindërve për t’u dhënë një edukim të “zakonshëm” apo në ekzaltimin e atyre fëmijëve që do të kishin kurajon të denonconin prindërit “subversië” tek autoritetet. Klimë inkuizicioni e përjetshme: për të dhënë vetëm një shembull, gjysma e popullsisë së RDGJ-së ishte e detyruar, edhe nëpërmjet shantazhit, që të bënte rolin e spiunit, duke sinjalizuar këdo që mund të ishte i dyshimtë – edhe për faktin e vetëm se ankohej – për antipati ndaj regjimit. Kjo formë shtypjeje do të ishin për t’u konsideruar të papranueshme edhe atëhere kur do të kishin lejuar të arriheshin formë jo të saktësuara mirë “progresi social”. Tallja është se shoqëroheshin me mjerimin ekonomik dhe me privilegjet e pafytyra në favor të klasës drejtuese. Tallje jo e rastësishme, pasi liria është zembreku i çdo progresi.
Karakteri totalitar i komunizmit
Forca e komunizmit nuk është bazuar vetëm mbi vendosmërinë mizore të një diktatori apo të një grupi pushteti, por mbi një tërësi faktorësh në pjesën më të madhe origjinale. Disa prej këtyre faktorëve janë analizuar nga Francois Furet në librin e tij themelor E kaluara e një iluzioni. Parasëgjithash, siç është theksuar, karakteri totalitar. Një karakter që ka mundësuar – kur është marrë pushteti – konsolidimin e fenomenit komunist. Çfarë diference ekziston, në linja të përgjithshme, midis një diktature dhe një totalitarizmi? Për t’u kuptuar, një diktaturë është një qeveri e menaxhuar nga pak me dhunë. Grupi dominues privon parasëgjithash qytetarët nga liritë politike. Për sa u përket lirive të njeriut, civile, ekonomike (kulti, shprehjeje, shoqërimi, prone, iniciative ekonomike, etj.), këto kufizohen në masën në të cilën mund të kenë reflekse politike, por jo të eliminuara krejtësisht. Kurse totalitarizmi bazohet mbi një ideologji – një vizion të botës – që jo vetëm nuk ka pretendimin se mund të interpretojë çdo aspekt të jetës njerëzore, jo vetëm ka pretendimin se ky interpretim është “çliruesi” i vetëm, por ka edhe pretendimin që të imponohet me forcë. Domethënë, për ta “çliruar” vërtet njeriun do të duhej … ta privoje nga çdo liri. Do të duhej të krijohej një “njeri i ri”, i aftë që të mendonte, të shprehej, të jetonte sipas urdhërimeve të kësaj ideologjie. Pushteti e pushton in toto jetën e njerëzve: bëhet “totalitari”. Refuzimi i fesë është një aspekt themelor i totalitarizmit, që mbështetet mbi një “religjion laik të shtetit”, me një themel ontologjik – aftësitë përpunuese njerëzore – të pamjaftueshëm për këtë qëllim. Çdo “religjion laik shtetëror” është tendencialisht totalitar: në fakt, në momentin në të cilin nuk shtyn në një themel (kulturor, moral, fetar) që e paraprin dhe që kërkon respekt, shteti i redukton të gjitha vlerat në vlera politike, duke u bërë, pikërisht, “totalitar”. Një ankth prej romani fantashkence? Një skenar prej 1984, romani i famshëm i George Orwell?
Jo. Qe Orwell (që megjithatë fillimisht kishte simpati socialiste) që u frymëzua nga realiteti tragjik i komunizmit sovjetik (i stalinizmit në mënyrë të veçantë). Në forma të ndryshme, totalitarë kanë qenë maoizmi kinez dhe komunizmi i khmerëve të kuq kamboxhianë. Një përafrim të totalitarizmit mund ta gjejmë në regjime të tjera komuniste të krijuar – nganjëherë në mënyrë të rrezikshme – në pjesë të ndryshme të botës. Karakteri totalitar ka qenë një faktor konsolidimi i komunizmit. Sepse nëqoftëse është e vërtetë që një regjim kaq shtypës ngjall një dëshirë rebelimi të menjëhershme, atëhere është edhe e vërtetë që penetrueshmëria e tij është e aftë që të mbysë jo vetëm çdo tentativë rebelimi, por edhe aftësinë për ta organizuar rebelimin. Boll të mendohet që komunizmi ka arritur që t’i vrasë në mënyrë preventive armiqtë e konsideruar ideologjikisht të rrezikshëm; të vrasë me ta edhe familjarët e tyre, për të mbytur çdo mëri të mundshme personale; të shfarosë kategtori të tëra sociale (bujqit e vegjël në Rusi, shtresën intelektuale në Kamboxhia, etj.) apo popullsi potencialisht armiqësore.
Komunizmi dhe nazizmi: totalitarizma të njëjtë dhe të kundërt
Duhet kujtuar edhe që totalitarizmi është një prej karakteristikave që bashkojnë komunizmin (e vendosur në shumë vende të botës) me nazizmin në Gjermani. Megjithëse duhet zbuluar se Gjermania naziste, pavarësisht mizorisë së tij, nuk ka arritur (nuk ka pasur kohë) që ta përsosë konceptin e totalitarizmit siç ka arritur të bëjë në fakt komunizmi, që ka nënshtruar për dekada të tëra qindra milionë njerëz në të gjithë botën. Të kujtosh se fjala nazizëm është rrënja e nacionalsocializmit mund të ndihmojë që të kuptohet se ekzistojnë shumë elementë të tjerë afërsie midis këtyre dy sistemeve që kanë luftuar në mënyrë të egër megjithëse duke pasur tipare të shumta të përbashkëta apo simetrike: idolatria e shtetit si realizim i një vizioni ideologjik totalizues dhe gjysëmfetar; antipatia pasuese për besimet fetare të zbuluara (në mënyrë të veçantë kristianizmi) që mund ta nxirrnin njeriun nga kontrolli i ideologjisë së re; urrejtja antiborgjeze; idealizimi i një kategorie (“klasa” apo “raca”); ekzaltimi i forcës si instrument i konfirmimit historik (“revolucioni” apo “lufta pastruese”). Nuk është rastësi që shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore u bë i mundur nga aleanca fillestare e dy regjimeve përkatëse, me paktin Molotov – Von Ribbentrop për ndarjen e Polonisë. Shumë prej tipareve të përbashkëta – ose simetrike – të të dyja sistemeve, që i bëjnë të njëjtë dhe të kundërt, janë rindërtuar nga Hannah Arendt në librin e saj të famshëm Origjina e totalitarizmit apo nga Furet në librin e sipërpërmendur. Disa tipare të dy totalitarizmave, siç është parë, janë simetrikë dhe të përmbysur. Kjo shpjegon pjesërisht kundërvënien e tyre. Një element tjetër i një kundërvënieje të tillë qëndron në faktin që cdo regjim despotik ka nevojë për një armik të jashtëm që të justifikojë – në bazë të një gjendje të supozuar nevoje dhe rreziku iminent – kufizime të lirisë, sakrifica, dështime. Të dy regjimet ideologjike kishin nevojë edhe për një armik ideologjik. Hitler (dhe me të Mussolini, Franco, Pinochet, etj.) u propozua si digë ndal revolucionit komunist, i parë gjithashtu si ekspansion i popujve sllavë në dëm të gjermanizmit. Në mënyrë reciproke, komunistët u propozuan si antidot ndaj “nazifashizmit”. Komunizmi akoma në pasLuftën e Dytë e ushqeu e këtë kundërvënie rrënjësore radikale për t’u legjitimuar si forcë “demokratike” dhe për të maskuar karakterin totalitar të tij. Duhej ndërtuar një Armik Absolut, një e Keqe Historike, nazizmi; kush e kishte luftuar (dhe këtu duhej harruar pakti Molotov – Von Ribbentrop apo mbështetja e komunistëve francezë ndaj pushtimit nazist) duhej të kishte një patentë demokraticiteti të padiskutueshme.
Shkaqet e “suksesit” të komunizmit janë të njëjtat që kanë çuar në humbjen e tij
Karakteri totalitar është elementi kryesor që ka mundësuar konsolidimin e komunizmit atje ku ka marrë pushtetin, deri sa të bëjë pothuajse të pamundur çdo rebelim. Por është edhe e vërtetë që një sistem totalitar përjetohet si i huaj nga pikëpamja intime nga popujt që e pësojnë dhe të refuzohet kur – pas vitesh apo dekadash – kur raportet e forcës e lejojnë. Veç të tjerash, ekzistojnë faktorë të tjerë të shumtë që kanë kontribuar në ngjitjen e fenomeni komunist. Por vetë këta faktorë i kanë dekretuar dënimin në momentin në të cilin e kanë zbuluar falsitetin: komunizmi ka adhuruar historinë, duke profetizuar afirmimin e vet të nevojshëm. Në fakt, me “materializmin historik”, marksizmi ka ndërtuar një lloj “historicizmi”, domethënë teorie që afirmohet e aftë të individualizojë ligje të supozuara racionale të rrjedhës historike dhe t’u parashikojë zhvillimin. Por nëqoftëse historia ngarkohet që t’i hedhë poshtë këto profeci, të rezultuara kundër realitetit dhe natyrës së njeriut, dënimi është i paapelueshëm. Parasëgjithash, komunizmi ka përdorur një bazë të caktuar konsensusi. Të kuptohemi, është bërë fjalë gjithmonë për konsensus nga ana minorancash: asnjë regjim socialist apo komunist nuk e ka marrë asnjëherë pushtetin me zgjedhje të lira dhe është bërë fjalë gjithmonë për një konsensus të blerë me lajka dhe para (si ai i të ashtuquajturve intelektualë “organikë”) ose i nxjerrë me mashtrim dhe kërcënim: kush i ka mbështetur në mirëbesim lëvizjet komuniste, është penduar gjithmonë kur këto kanë ardhur praktikisht në pushtet dhe u është dashur që të eliminojnë cdo liri të mbetur që të mund të qëndronin. Faqet e historisë janë plot me vrasje komunistësh që denonconin “tradhëtimin” e utopive të tyre: nga “spastrimet” e Stalinit kundër shokëve të tij të revolucionit, në eleminimin (nga dora e vetë sovjetikëve që i kishin mbështetur) e partizanëve të luftës civile spanjolle, në persekutimin e çdo “herezie” komuniste (anarkistë, trockistë, etj.). Gjithsesi, komunizmi është preokupuar gjithmonë që të sigurojë një dozë konsensusi të caktuar, pasi kërkonte legjitimin e tij – si të gjitha ideologjitë e Nëntëqindës – në qënien apo dukjen ideologji masash. Le të kalojmë shkurtimisht në revistë instrumentat kryesorë të përdorur për të siguruar konsensusin (të njëjtit që, siç e thamë, me rënien e mashtrimit kanë dekretuar mohimin e komunizmit).
Premtimi për barazi dhe drejtësi sociale. Një premtim që u përgjigjet aspiratave të lashta sa njeriu, megjithëse pak të vagullta. Premtimi për barazi, nëse nënkuptohet si egalitarizëm absolut që do të mbysë lirinë njerëzore dhe meritën, përkthehet në pabarazi të thellë dhe padrejtësi sociale. “Pabarazi” nënkupton që të trajtojë në mënyrë të barabartë atë që praktikisht është e barabartë: padyshim dinjiteti i çdo individi, me të drejtat themelore (edhe ekonomike) që i derivojnë. Por mirëqenia është gjë tjetër: duhet t’i korrespondojë impenjimit dhe meritës. Diferencat, nëqoftëse janë shprehje e krijueshmërisë së individit (dhe jo i prepotencës), nuk janë domosdoshmërisht frut padrejtësie dhe janë bile motor i zhvillimit. Pa vlerësuar meritë dhe përgjegjësi, sigurohet vetëm një gjë e barabartë… mjerimi. Veç të tjerash, egalitarizmi i pretenduar i komunizmit, pikërisht pse ireal, çon në mënyrë qesharake në pabarazi të shfaqura. Ekonomisti francez Christian Morrisson, në një artikull (“Income distribution in east European and western countries”) të botuar në numrin e qershorit 1984 të Journal of Comparative Economics, mundi të llogarisë që koeficenti i pabarazisë në vendet socialiste ishte i ngjashëm me atë në vendet kapitaliste! Ai i Bashkimit Sovjetik, lehtësisht më i ulët nga ai i Shteteve të Bashkuara, ishte pothuajse dyfishi i Suedisë dhe i Britanisë së Madhe.
Premtimi për një realitet të ri, utopik, i aftë që ta çlirojë njeriun nga çdo barrë dhe përgjegjësi miorale. Një realitet që duhet të pretendonte të ndërtonte një “njeri të ri”, të kundërt ndaj natyrës së tij ose që, më mirë, ishte projektimi i instikteve njerëzore më elementare, ato materiale (“materializmi”), të varura nga sistemi prodhues, i të cilit njeriu – i privuar nga liria – bëhej një ingranazh i thjeshtë. “Novatorizmi themelor i futur nga Marksi në shkencën politike dhe historike në krahasim me Machiavelli është demonstrimi se nuk ekziston një “natyrë njerëzore” e fiksuar dhe e pandryshueshme”, sepse “natyra njerëzore është tërësia e raporteve sociale historikisht të përcaktuara” (Antonio Gramsci, Fletoret e burgut, faqet 430 dhe 1599). Pasojat e këtij formulimi janë të tmerrshme, e zbulon edhe një studiues marksist si Kosik: “Pasi kompleksi i raporteve, që sipas një teorie të tillë përcakton “natyrën” e njeriut, ndryshon dhe ndryshon në bazë dhe me ndërmjetësimin e pushtetit, “natyra njerëzore” varet nga pushteti, nga vullneti i tij, nga arbitri i tij, nga arsyeja dhe nga marria e tij (…) Pushteti bëhet i plotfuqishëm” (Karl Kosik, Kriza jonë aktuale, faqja 68.). Natyrisht, një projekt qe deformon thellësisht realitetin e njeriut, është i destinuar që të refuzohet nga realiteti… Liria e njeriut, kultura e tij, spiritualiteti i tij, lidhja e tij me familjen, kreativiteti i tij, ndjenja e tij e përgjegjësisë, nuk janë “superstruktura” të sistemit prodhues (që do të ishte “struktura”), por janë faktorë përcaktues të çdo raporti social (dhe, në mënyrë indirekte, ekonomike).
Vështirësia për të ndërtuar një botë të re kundër natyrës mund të justifikohej vetëm me shtyrjen për një të ardhme të papërcaktuar realizimin e premtimeve të dhëna. Doktrinës komuniste, që afirmonte karakterin historik dhe të nevojshëm të saj, i është dashur gjithmonë të përpunojë justifikime të reja (aftësinë e kapitalizmit për të spostuar skenarin e shfrytëzimit, etj.) të realizimit të munguar të këtyre premtimeve. Por historia, siç u kujtua fillimisht, herët a vonë e jep verdiktin e saj, sidomos kundër një doktrine që historicizmin e ka bërë fetish.
Një instrument i mëtejshëm konsensusi ka qenë pretendimi për t’u paraqitur si doktrinë e “vërtetë” dhe “shkencore”. Magjepsja ndaj shkencës (që në shekullin e Njëzet ka pasur pasoja të rëndësishme në teknologji dhe në zhvillimin social) ka prodhuar një magjepsje ndaj një doktrine – asaj komuniste – që shtihej si “shkencore”, megjithëse duke mos qenë e tillë. Të kuptohemi, analiza ekonomike e Marksit përmbante disa elementë origjinaliteti të padyshimta dhe ka qenë në vend për t’u kujtuar se zhvillimi ekonomik nuk mund të bazohet vetëm mbi akumulimin e “kapitalit”, nuk mund të injorojë “faktorin punë”. Por analiza ekonomike e tij përmbante gabime të shumta (saktësisht e kundërta e nënvlerësimit të rëndësisë së faktorit “kapital” ose atë të novatorizmit), ekuivoke thelbësore (koncepti i “shfrytëzimit”), parashikime të gabuara (kriza endogjene progresive e kapitalizmit) ose jo të bëra (shoqëria pasindustriale dhe fundi i “klasës punëtore”). Një prej sintezave më autoritare të gabimeve të çdo statalizmi ekonomik e ka ofruar Friedrich August von Hayek tek Rruga e servitutit e tij. Analiza ekonomike ishte e gabuar sepse e dëmtuar nga një analizë antropologjike e gabuar (materializmi, nënvlerësimi i faktorëve “superstrukturorë”, që një sistem socio – ekonomik duhet në fakt t’i japë vlerë siç duhet). Por sidomos historicizmi dhe marksizmi nuk kishin asgjë shkencore. Nuk vendosnin objektivin e “njohjes” së realitetit (siç bën shkenca dhe çdo teori korrektësisht “konjitiviste”), por që ta riinterpretonin dhe transformonin: qenë ideologji “konstruktiviste”, që nuk e njohin të vërtetën, por duan ta krijojnë atë. Këto ideologji autoritare, duke mohuar një “relativizëm” politike korrekte (ai që pranon përkohshmërinë dhe kontigjencën historike të realiteteve politike, kundër çdo ideologjie prej shteti absolutist), kanë hedhur bazat për relativizmin filozofik të dëmshëm, që mohon çdo të vërtetë natyrore dhe morale. Karl Raimund Popper, epistemiologu më i madh (studiues i shkencës) modern, ka çuar gjatë gjithë jetës një betejë për të demonstruar sesi historicizmi dhe marksizmi nuk qenë shkencorë, për sa nuk përdornin metodën galileiane dhe nuk qenë të “falsifikueshëm”. Si pseudoshkenca të tjera (psikanaliza, astrologjia), nuk pranonin prova të gabimeve të tyre, pasi kishin një shpjegim për të manipuluar çdo përgënjeshtrim të mundshëm (lidhur me këtë, nga Popper të shikohen sidomos Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj dhe Mjerimi i historicizmit). Me pak fjalë: pretendimi i “vërtetësisë shkencore” i këtyre ideologjive mund të magjepste vetëm atë që me shkencën nuk ka besim real (dhe fatkeqësisht qenë shumë).
Konsensusi edhe manipulohej, nëpërmjet një logjike që justifikon mjetet me qëllimin, duke shkelur çdo parim etik. Lenini (tek Ekstremizmi sëmundje foshnjore e komunizmit) e kish mohuar në mënyrë eksplicite nevojën për të respektuar cdo moral, duke pohuar se “moraliteti varet nga interesat e luftës së klasave të proletariatit”. Mbi bazën e këtij mësimi, u vendosën si kritere veprimi të komunistëve “dyfishtësia” (të pohohet e kundërta e asaj që mendohet), denigrimi personal i kundërshtarit, për t’ju mbivendosur kontestimit të ideve të tij, disinformacija, domethënë përhapja sistematike e lajmeve false (të kihet parasysh këtu atribuimi falls gjermanëve i masakrës së polakëve në Katin, akuza false ndaj Koresë së Jugut se kish sulmuar pjesën veriore nën kontrollin komunist, shpifjet ndaj Papës Piu i XII-të etj.).
Por duhet theksuar se lajmet dhe instrumentat kulturorë për të demaskuar komunizmin kanë qenë gjithmonë të disponueshëm. Krimet staliniste qenë të njohur qysh nga viti 1946, kur u botua autobiografia e Victor Kravchenko, një prej eksponentëve më të lartë të nomenklaturës sovjetike. Sikur të mos mjaftonte, në vitin 1956, qe vetë Sekretari i Parë i PKBS-së, Nikita Hrushov, ai që denoncoi kultin e personit dhe krimet e paraardhësit të tij. Nga vendet komuniste arrinin dëshmi mbresëlënëse të të persekutuarve politike, të etnive të dhjetuara, të kishave të shtrënguara të hynin në katakombe. Megjithatë, vazhdonin të ekzistonin “intelektualë” që bënin udhëtime në ato vende nën eskortën e policisë vendase, të adresuar në vizita të parapërgatitura, të autorizuar të flisnin vetëm me njerëz të caktuar … dhe ktheheshin duke u thurur himne përparimeve të socializmit real! Kush tregonte të vërtetën e fakteve ishte “tradhëtar” apo “qen mbrojtës i kapitalizmit”. Me një fjalë, akoma më e fuqishme se mashtrimi komunist qe aftësia vetëmashtruese e njerëzve që bien pre e iluzioneve të tyre. Tamam siç e sintetizon mrekullisht shkrimtari Saul Bellow në citimin e mësipërm.Vetëmashtrim i ushqyer nga demonizimi i një “armiku”, që mund të na çojë të përqafojmë logjikën e “të keqes më të pakët” dhe të mbyllim sytë përballë tmerresh të konsideruar të “nevojshëm”. Vetëmashtrim i ushqyer edhe nga sharmi djallëzor i forcës, i pashmangshmërisë së pretenduar historike, i “shkencëllëkut” të pretenduar. E thënë qartë: ky vetëmashtrim ka infektuar edhe shumë kristianë, të cilët kanë ngatërruar utopinë marksiste (që është e botës, ama jo në botë) me profecinë kristiane (që nuk është e botës, por është në botë); kanë ngatërruar “mesianizmin” marksist (idhtar i një “revolucioni” që do të përmbysë veprën e Zotit) me mesianizmin e Krishtit (që tashmë e ka mundur vdekjen dhe ofruar shpëtimin); kanë ngatërruar pretendimin marksist të ndërtimit të një “njeriu të ri” frut raportesh produktive të rinovuara dhe nga ti i varur me rinovimin kristian të zemrës të të gjithë njerëzve, të lirë dhe moralisht të përgjegjshëm; kanë ngatërruar egalitarizmin marksist me ekzaltimin e një klasë sociale të “shfrytëzuar” (e cila do të duhej të impononte të vërtetën e saj dhe një “diktaturë proletariati” të re) me dinjitetin e barabartë të njerëzve imazh i Zotit, të çliruar me ligjin e dashurisë. Me pak fjalë: Krishti nuk ishte “revolucionar”, mesazhi i tij i shpëtimit – pavarësisht se çfarë mendonin disa “teologë të çlirimit” – nuk ishte i drejtuar në ndryshimin e aseteve të pushtetit (megjithëse, natyrisht, ka edhe reflekse sociale); përkundrazi, ka zhgënjyer pikërisht ata hebrenj që prisnin nga Mesia një luftëtar në revoltën kundër pushtetit të romakëve. A jemi vaksinuar nga kjo tendencë e vetëmashtrimit apo jemi të gatshëm që të hedhemi në krahët e ideologjive të reja?
Shkaqet e drejtpërdrejta të rënies, problemet e shoqërisë bashkëkohore
Përfundimisht, shembja e komunizmit është përcaktuar nga të qënit e tij një ideologji armike e njeriut. Pikëzat e konsensusit që i kanë favorizuar ngritjen, totalitarizmi që i ka mundësuar për një kohë të gjatë mbijetesën, vetëm kanë vonuar fitimin e vetëdijes të kësaj natyre çnjerëzore apo mundësinë për t’u çliruar. Kështu, komunizmi nuk është mundur nga komplote te errët. Ka rënë në gjunjë. Midis protagonistëve që e kanë përshpejtuar këtë rënie mund të kujtojmë të paktën dy. Gjon Palin e II-të dhe mbështetjen e tij të mrekullueshme morale ndaj rebelimit në Poloni, çarja e parë e brendshme në Europën Lindore. Presidentin amerikan Ronald Reaga, i cili i dha një shtytje nga jashtë, duke rilançuar sfidën ushtarake dhe teknologjike në një nivel të pambështetshëm për ekonominë e cfilitur sovjetike dhe duke demonstruar shterpësinë e politikës agresive të Bashkimit Sovjetik. Qe vetë Shevardnadze (ish Ministër i Jashtëm sovjetik në kohërat e Gorbaçiovit) që pranoi se pikërisht reagimi i vendosur i NATO-s, me instalimin e “euroraketave” (e luftuar ashpërsisht nga pacifistët), ai që e bindi Bashkimin Sovjetik për pambështetshmërinë e politikës së agresionit të tij. Lidhur me Sekretarin e Parë të fundit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbaçiov, duhet ridimensionuar roli që disa i kanë dhënë në favorizmin e rënies së Bashkimit Sovjetik. Gorbaçiovi qe thjesht një lider mjaft realist sa të kuptonte që nuk sistem po shembej. Për më tepër, vazhdonte të ishte një komunist “reformist”, që kishte iluzionin se mund të kryente reforma të afta që të rilançonin atë sistem në forma të ndryshme. Duke përfunduar, të dënosh komunizmin do të thotë të ”çlirosh” kapitalizmin në çdo manifestim të tij? Nënkupton të legjitimosh një ekonomi pa rregulla apo pa etikë? Nënkupton të injorosh padrejtësitë sociale që manifestohen në shtete dhe midis shteteshe? Ia lëmë fjalën Gjon Palit të II-të dhe enciklikës së tij Centesimus Annus (lexim i domosdoshëm për një vizion komplesiv të sistemeve sociale dhe ekonomike): “Marksizmi ka kritikuar shoqëritë borgjeze kapitaliste, duke i sharë komercializimin dhe tjetërsimin e ekzistencës njerëzore. Sigurisht, kjo sharje është e bazuar mbi një konceptim të gabuar dhe të papërshtatshëm të tjetërsimit, që e bën të derivojë vetëm nga sfera e raporteve të prodhimit dhe të promësisë, domethënë duke i caktuar një themel materialist dhe, për më tepër, duke i mohuar legjitimitetin dhe pozitivitetin e marrëdhënieve të tregut edhe në aspektin që është i tyri. (…) Mund të thuhet ndoshta se pas falimentimit të komunizmit sistemi social fitimtar është kapitalizmi dhe se drejt tij duhej drejtuar përpjekjet e vendeve që kërkojnë të rindërtojnë ekonominë dhe shoqërinë e tyre? Është ndoshta ky modeli që duhet t’u propozohet vendeve të Botës së Tretë, të cilët kërkojnë rrugën e progresit të vërtetë ekonomik e civil?
Përgjigja natyrisht që është komplekse. Nëqoftëse me «kapitalizëm» tregohet një sistem ekonomik që njeh rolin themelor dhe pozitiv të sipërmarrjes, të tregut, të pronësisë private dhe të përgjegjësisë pasuese për mjetet e prodhimit, të krijueshmërisë së lirë njerëzore në sektorin e ekonomisë, përgjigja sigurisht që është pozitive, edhe pse ndoshta do të ishte më e përshtatshme të flitej për «ekonomi sipërmarrjeje», për «ekonomi tregu» apo thjesht për «ekonomi të lirë». Por nëqoftëse me «kapitalizëm» nënkuptohet një sistem në të cilin liria në sektorin e ekonomisë nuk është e inkuadruar në një kontekst juridik të qëndrueshëm që e vë në shërbim të lirisë njerëzore integrale dhe e konsideron si një dimension të veçantë të kësaj lirie, qendra e të cilës është etike dhe fetare, atëhere përgjigja është patjetër negative”. (CA, 41-42)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button