
Nga shofer autobusi në lider sindikal, më pas deputet, ministër i Jashtëm dhe, pothuajse rastësisht, trashëgimtar i “komandantit të përjetshëm” të revolucionit bolivarian. Parabola e Nicolás Madurós përfundoi në një avion të forcave të armatosura amerikane, me këmishë të bardhë dhe pranga në duar, me vështrimin e mpirë të atij që e di se do të përballet me një dënim dhe me shumë vite burg në një qeli amerikane. Prej muajsh Maduro e dinte se epilogu po afrohej. Në publik shfaqte siguri, kërcente salsa me bashkëshorten Cilia, dhe me një anglishte të çalë i dërgonte mesazhe paqeje Donald Trump-it: “Bëj paqe, jo luftë, Zoti Trump”.
Maduro nuk pati kurrë as forcën dhe as karizmën e Chávez-it, por u “pagëzua” prej liderit të madh në shtratin e vdekjes. U zgjodh në vend të Diosdado Cabello-s, Rasputinit të fuqishëm që drejton në hije forcat e armatosura dhe që tani duhet të vendosë: të pranojë dorëzimin dhe të udhëheqë tranzicionin drejt demokracisë, apo të hidhet në një rezistencë të dëshpëruar kundër ushtrisë më të fortë të botës.
Pavarësisht emocionit popullor për vdekjen e Chávez-it, Maduro fitoi me diferencë minimale zgjedhjet presidenciale të vitit 2013. Për shumë drejtues të opozitës, duke nisur nga Maria Corina Machado, fitorja ishte fryt i manipulimeve, por kandidati humbës Henrique Capriles nuk pati guximin të përballej me regjimin.
Që prej asaj kohe, gjërat në Venezuelë ndryshuan rrënjësisht. Ushtria u bë gjithnjë e më e fuqishme; përveç agjentëve kubanë të shërbimeve sekrete, më afër politikanit Maduro sesa ushtarakut të ashpër Cabello, u shtuan iranianët dhe rusët. Varësia ekonomike nga Kina u bë gjigante, aq sa edhe sot Karakasi i dërgon Pekinit më shumë se gjysmën e naftës së vet, për të shlyer një borxh prej 60 miliardë dollarësh.
Maduro u përpoq me çdo mënyrë të hynte në zemrën e popullit, por ishte një mision i pamundur përballë katastrofës së një qeverie të korruptuar dhe të paaftë. E vetmja armë që i mbeti ishte represioni. Ai mashtroi dhjetëra të dërguar dhe vëzhgues të huaj, duke nisur nga diplomacia e pafuqishme e Brukselit, e cila sot, jo rastësisht, nuk ka pothuajse asnjë rol në zhvillimin e krizës.
Ndërsa shpallte programe të pabesueshme për rimëkëmbjen e ekonomisë, miliona venezuelianë braktisnin vendin: një e katërta e popullsisë emigroi, diaspora më e madhe e këtij shekulli, një dramë humanitare që tronditi edhe vendet fqinje, me Kolumbinë në krye. Maduro vazhdoi të gënjente dhe t’u mbyllte gojën me forcë kundërshtarëve: të rinj të burgosur për protesta, radio dhe gazeta të mbyllura, parti politike të vëna nën administrim nga besnikë të regjimit.
Diktatura u konsolidua plotësisht me vjedhjen e madhe të zgjedhjeve të fundit presidenciale, ku u shpall një fitore që nuk ekzistonte, e bekuar nga aleatët rusë dhe kinezë.
Maria Corina Machado rezistoi për një vit e gjysmë në ilegalitet, më pas erdhi Çmimi Nobel për Paqen, njëkohësisht me manovrat luftarake të Trump-it në Detin e Karaibeve. Dy presidentët folën menjëherë pas Krishtlindjeve; me shumë gjasë u vizatua akti final. Të lejonte kapjen mund t’i jetë dukur më dinjitoze sesa një dorëzim pa kushte. Tani u takon të tjerëve të zgjidhin çështjen e trashëgimisë.
Maduro do të përfundojë përpara të njëjtës gjykatë në Nju Jork që dënoi narcosin El Chapo Guzmán. Ai duhet të përgjigjet për pesë akuza dhe rrezikon deri në 40 vjet burg. Por nuk do të jetë ai që do ta vrasë chavizmin. Fundin e ka shkruar Trumpi, i cili dje deklaroi se është gati të sulmojë sërish, madje edhe me më shumë forcë. SHBA duan të vendosin këmbën në Karakas për të vendosur qeverinë e ardhshme; Machado është, pa dyshim, e preferuara. Por jo menjëherë, siç del nga deklaratat e para të Trumpit. Tranzicionin, që mund të jetë shumë i vështirë, nuk do ta menaxhojë trashëgimtari i Chávez-it, por linja e dytë e regjimit.
Nga njëra anë është krahu politik, i udhëhequr nga zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez dhe vëllai i saj Jorge, kryetar i Parlamentit; nga ana tjetër krahu ushtarak me Cabello-n. Ata përbëjnë sistemin mafioz të pushtetit që ka vënë dorë mbi ato pak pasuri strategjike të një vendi që zotëron rezervën më të madhe të naftës në botë, si edhe ar, diamante, kobalt dhe një pjesë të tregtisë së kokainës, e cila shkon kryesisht drejt Europës dhe Azisë.
Venezuelianët që kanë mbetur në vend mbyllen në shtëpi, blejnë rezerva ushqimore, askush nuk pret të kthehet në punë. Ndërsa miliona emigrantë kanë dalë në rrugë, nga Miami në Buenos Aires, duke kaluar nga Madridi, Roma dhe Bogota, për të festuar rënien e despotit me mustaqe. Kanë pritur 25 vjet. Tani janë gati të presin zhvillimet e ardhshme, duke shpresuar mbi të gjitha që të shmangen gjakderdhje të reja. Për këtë arsye, shpresa është që Cabello të heqë dorë.
Janë derdhur shumë lot, janë ndarë shumë familje. Venezuela dëshiron të buzëqeshë sërish.





