Analiza

Rënia “plot shkëlqim” e Britanisë së Madhe

Shpesh herë shohim nga Londra vetëm për prosperitetin e lidhur me veprimtarinë financiare, por realiteti është i ndryshëm, për një sërë arsyesh. Ja cilat janë

Jean-Marie Colombani

GBSkocia ka vendosur të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar, duke e zgjatur në kohë një lidhje që zgjat prej tre shekujsh. Mobilizimi i madh dhe hendeku që ndan JO-në ndaj pavarësisë dhe PO-në, e zgjidh problemin për pak kohë, siç ndodhi disa vite më parë me Quebecun. Ky hendek nuk është aspak i habitshëm. Nëse ishte e vështirë që të shkëputeshe publikisht nga kauza e mbrojtjes së identitetit skocez, që dukej e mbështetur gjerësisht, nga ana tjetër ishte e parashikueshme se fshehtësia e dhomës së votimit do të kish mundësuar një votë të arsyetuar.
Londra ka bërë të pamundurën për të demonstruar se ndarja do të ishte e pamend: vizitat në masë të udhëheqësve kombëtarë, duke parë që në krye të JO-së ka qenë një ish ministër laburist; apeli i Mbretëreshës Elisabetë që “të mendohen mirë”; dhe mbi të gjitha, lajmërimi se bankat e mëdha skoceze, që mezi kishin shpëtuar prej krizës financiare, do të ishin larguar sapo të shpallej pavarësia.
Për sa u përket nacionalistëve, ata dalin gjithësesi fitimtarë, pavarësisht dorëheqjes së ministrit të parë skocez Alex Salmond: Londra është tashmë e detyruar të mbajë premtimin e bërë gjatë orëve të fundit të fushatës elektorale për një delegim të madh të kompetencave, shumë më të madh se sa edhe ai i organizuar nga Tony Blairi dhe qeveria e tij laburiste pothuajse 20 vjet më parë. Pra një autonomi më thelbësore, që do të ketë të bëjë veçanërisht me taksat. Kështu që, Britania e Madhe po bëhet gati të niset drejt një realiteti federal. Cështja skoceze ka thirrur në kauzë Britaninë e Madhe, natyrisht, por edhe Europën. Pjesa që i përket Bashkimit Europian është përshkruar në mënyrë të përsosur nga François Hollande gjatë konferencës së tij për shtyp. Europa është një sistem që ka objektiv integrimin, harmonizimin: është një “federatë e mundshme e shteteve-kombe”, siç thoshte Jacques Delors për të demonstruar që Unioni përfaqësonte një kërcënim për identitetet kombëtarë.
U ofron secilit prej shteteve anëtarë që të ndërtojnë një të ardhme. Por në fakt vazhdojnë që të nxisin forca centrifugale që i kundërvihen kësaj ambicieje – e vetmja mënyrë për të patur një peshë në botën që do të vijë – një prirje jo vetëm kombëtare, por edhe rajonale dhe lokale. Tashmë, në një pjesë të opinionit publik është përhapur iluzioni se nëse bëhesh më i vogël, mbrohesh më mirë. Kjo lëvizje pëson rënie në dy mënyra. E para është transpozimi, në emër të një identiteti territorial, i një qasjeje tërësisht egoiste: të pasurit nuk duan të paguajnë për të varfërit. Eshtë rasti i Lega Nordit në Itali, me projektin e saj të Padanias, por edhe projekti i Fiandreve të pasura në Belgjikë, në krahasim me Vallonian më të varfër.
Identitet rajonal
Rënia tjetër është ajo e Skocisë, apo Katalonjës, që refuzojnë një pushtet qendror shumë liberal, duke parë që ndjeshmëria dominuese është më e zhvendosur majtas. Edhe në këtë rast kërkohet strehim tek identiteti kombëtar. Kështu, ka vetëm një deputet konservator skocez përballë 41 laburistëve. Për këta të fundit, qëndrimi i Skocisë në brendësi të Mbretërisë së Bashkuar është lajm i mirë, duke parë që do të kishin humbur një bastion.
Por është një lajm i keq për katalanasit, tashmë të izoluar dhe të vetëdijshëm që, nëse këmbëngulin me vullnetin e tyre për t’u shkëputur nga Madridi, nuk do të marrin asnjë ndihmë, as nga BE dhe as nga vendet që e përbëjnë. Kjo, për të cituar sërish Elisabetën II, duhet t’i bëjë që ta mendojnë mirë.
Mbetet Britania e Madhe. Politika e saj ekonomike, larg prej konceptit të barazisë është sot e tensionuar për shkak të rizgjimit të papunësisë. Njohim mirë energjinë, vitalitetin dhe kapacitetet e britanikëve për rezistencë. Por kur i shohim gjërat më nga afër, sidomos ne francezët që jemi të obsesionuar nga ideja e rënies, a nuk e kuptojmë që është pikërisht Britania e Madhe që është në rënie? Shpesh herë shohim Londrën vetëm për prosperitetin e lidhur me veprimtarinë financiare dhe vlerën strehuese që ka për të pasurit e të gjithë botës, por harrojmë dy pjesë të tjera: Skocia, që bëri t’i dëgjohet zëri sepse dëshiron të përfitojë edhe ajo nga burimet e vet të naftës, dhe pjesa tjetër e vendit, ku ka një varfëri të madhe. Pastaj, Britania e Madhe ka pushuar së qënuri një aktor autonom, duke parë që ushtra e saj është bërë thjeshtë një shtojcë e asaj amerikane. Dhe e fundit, është një vend i tunduar prej daljes nga BE, domethënë zgjedhja për të shkuar drejt rënies së pakthyeshme.

Leave a Reply

Back to top button