Histori

Revolucione modernë

Bastille on fire (1)

John Foran*

Që nga lufta civile në Angli në shekullin 17, fjala “revolucion” ka rritur shpresat e shumë njerëzve për një botë më të mirë, duke “fituar” njëkohësisht armiqësinë e të kamurve dhe frikësuar të pushtetshmit. A është kjo ende e vërtetë sot, pas Luftës së Ftohtë, me ardhjen e globalizimit dhe rritjen e rreziqeve ndaj jetës në planet? Ndonëse asnjëri prej nuk mund të gjejë përgjigjen, teksa ne shkojmë drejt një të ardhmeje të pasigurtë, duket diçka me mend që të reflektojmë mbi atë çfarë dimë për revolucionet.

Revolucioni: Një definicion
Si një studiues i revolucioneve, definicioni më i mirë që unë kam hasur është ai i sociologut të Harvardit, Teda Skocpol, që me “Shtetet dhe Revolucionet Socialë: Një analizë krahasuese e Francës, Rusisë dhe Kinës”, inauguroi me të vërtetë studimin serioz të kësaj teme në SHBA. Skocpol argmenton se “revolucionet janë transformime të shpejtë dhe rrënjësorë të gjendjes dhe strukturave klasore të një shoqërie; dhe ata shoqërohen dhe pjesërisht përcillen prej revoltave të bazuara mbi klasat, duke filluar nga poshtë”. Ky definicion, ndonëse jo i përsosur, nxjerr në pah konstelacionin e tre faktorëve – ndryshimin politik, transformimin ekonomik dhe social dhe pjesëmarrjen masive – si shenja dalluese të revolucionit. Ai nuk paragjykon mjetet e një revolucioni – ndonëse revolucionet francezë, rusë dhe kinezë dhe pjesa më e madhe e revolucioneve të mëdhenj të shekullit të njëzetë në Meksikë, Kubë dhe Nikaragua u shoqëruan ose me kryengritje të armatosura, ose me luftëra guerilase, ka patur lëvizje që i dhanë nismë transformimeve revolucionare pa gjetur prehje tek dhuna e armëve. Zgjedhjet që sollën në pushtet koalicionin e Salvator Aliendesë në 1970, apo rrëzimi në 1979 i Shahut të Iranit përmes demonstratave masive të paarmatosura në rrugë, si dhe një grevë e përgjithshme e pakompromis në sektorin e naftës, janë të dy shembuj të një revolucioni paqësor. Definicioni ynë i preferuar na lejon gjithashtu të shohim se sa rrallë kanë ndodhur në historinë e botës revolucionet tërësorë, pasi nëntë rastet e mëposhtëm që nga Anglia e shekullit XVII deri në ngjarjet e njëkohshme të 1979 në Iran dhe Nikaragua përbënë praktikisht të gjithë serinë e revolucioneve të suksesshëm socialë (“sukses” këtu nënkupton të marrësh pushtetin dhe ta mbash aq gjatë sa të nisësh transformimin e thellë të politikës, ekonomisë, shoqërisë dhe ndonjëherë orientimeve kulturore me rrënjë të thella).

Dikush mund të shtojë në listë Guatemalën nga 1944 deri në 1954, Bolivinë mes viteve 1952 dhe 1964, Xhamajkën në kohën e Majkëll Menlit, mes viteve 1972-1980, Grenadën në 1979-1983, si dhe triumfet antikolonialë më radikalë në Algjeri, Vietnam, Mozambik, apo Zimbabve. Megjithatë, në fund do të mbërrinim në konkluzionin se ka patur më pak se 20 revolucione socialë në 300 vitet e fundit. Një revolucion çdo 15 vite në të gjithë botën nuk është ndonjë tendencë kushedi se çfarë. Sigurisht, ka patur shumë më tepër revolucione në tentativë, si dhe një grup tjetër që mund ta quajmë thjeshtë revlucione politikë, si në 1911 në Kinë, 1986 në Filipine dhe Haiti, 1994 në Afrikën e Jugut, apo në 1996 në Zaire. Sidoqoftë, në shumicën e tyre kemi pasur të bëjmë thjeshtë me rrëzimin e një monarku apo një udhëheqësi, pa ndryshime të thela sociale. “Cmontimi” i aparteidit në Afrikën e Jugut mund të jete më afër një revolucioni social, por shumica e popullsisë është ende në pritje të ndryshimeve të thellë sociale dhe ekonomike. Së fundi, ka patur disa pak eksperimente me revolucione nga lartë, si përshembull rikthimi i Meixhit në shekullin XIX në Japoni, Ataturku në Turqinë e viteve 1930, Naseri në vitet pesëdhjetë në Egjipt, apo gjeneralët progresistë që sunduan Perunë në vitet 1968 dhe 1975, të cilët kanë sjellë ndryshime të thella sociale, por atyre u mungoi pjesëmarrja popullore, që e bën kaq të vlefshëm një revolucion social. Veç kësaj, që nga rrëzimi i udhëheqjeve revolucionare komuniste në Evropën Lindore dhe Bashkimin Sovjetik, ne kemi qenë dëshmitarë të revoluioneve të pastër politikë në Gjeorgji në 2003, Ukrainë në 2004 dhe Kirgistan në 2005, Ukrainë 2014. Këta revolucione ishin forma të mobilizimit popullor, shpesh herë të mbështetur nga interesa të jashtme, që premtuan reforma liberale radikale, zgjedhje të hapura, si dhe eleminim të korupsionit, përfshirë manipulimin e zgjedhjeve nga elitat në fuqi.

Kështu, këto çështje përcaktuese kanë rëndësi, nëse duam të gjejmë modele të kuptimtë mes rasteve, dhe për të gjetur disa lidhje të përgjithshme, në të dhënat historike dhe botën bashkëkohore. Këto pyetje, pra nëse revolucionet duhet të jenë progresistë për t’u kualifikuar si të tillë, a duhet që të nisen nga masat dhe jo nga elitat, dhe nëse ndryshimi ideologjik është komponent i domosdoshëm i revolucioneve, janë thelbësore për definicionin. Personalisht, do të argumentoj se revolucionet duhet që të jenë lëvizje progresiste të masave, që shpesh – në mos gjithmonë – duhet të rezultojnë në ndryshime ideologjike.

Shkaqe revolucionesh

Që prej kohës së reflektimeve depërtuese të Alexis de Tocqueville mbi Revolucionin Francez, studiuesit kanë kërkuar t’u japin përgjigje pyetjeve në lidhje me atë çfarë i shkakton revolucionet, dhe revolucionarët janë përpjekur të mësojnë se si të fillojnë një revolucion. Arsyeja të sugjeron parakushte të tillë ekonomikë si pabarazia dhe varfëria; faktorë politikë si përjashtimi, shtypja dhe autokracia; dhe konsiderata sociale si përhapja e ideve radikale, çlirimtare, që nga liria/demokracia e deri tek socializmi/drejtësia sociale. Marksi mendonte se ata prodhoheshin nga kontradiktat e një ekonomie kapitaliste, politologë si Samuel Huntingtoni kanë vënë theksin tek pakënaqësia me ata që mbajnë pushtetin, sociologë si Teda Stockpol kanë mbrojtur kombinime të ndryshëm të faktorëve ekonomikë, socialë, politikë dhe kulturorë. Studiuesit ende nuk janë në një mendje në lidhje me peshën që kanë faktorët në shkallë të madhe e jopersonalë, si për shembull ekonomia botërore kundrejt sipërmarrjes së planifikuar njerëzore, si shkaqe të revolucioneve (Stockpol ka argumentuar se “revolucionet nuk bëhen, ata vijnë”, ndërkohë që të tjerë – përfshirë shumë revolucionarë – kanë vënë besimin e tyre tek përkushtimi, kurajo dhe fati). Studiuesit nuk janë gjithashtu në një mendje se si të ekuilibrojnë primacinë rastësore të kushteve të brendshme kombëtare, kundrejt trysnive politike dhe ekonomike që kanë prejardhje nga burimet ndërkombëtare gjatë kursit të një revolucioni.

Sigurisht, shumë teori janë të mundshme. Studimet që unë vetë kam bërë mbi disa dhjetëra rasteve të Botës së Tretë gjatë shekullit XX ofrojne një tjetër kombinim shkaqesh të thellë. Bazuar në studimet të tilla, bërja bashkë e pesë faktorëve në një kohë të caktuar ka prodhuar një lëvizje të fuqishme revolucionare. Së pari, një shoqëri duhet të ketë kaluar një brez, apo më shumë me ndryshime sociale në të cilat disa masa, sidomos ato të përgjithshme, si përshembull të ardhurat për frymë, tregtia e jashtme, industrializimi dhe urbanizimi janë rritur dramatikisht. Në të njëjtën kohë që kushtet për popullsinë pësojnë rënie apo përkeqësohen, sa i përket strehimit, ushqimit, shëndetit, punësimit apo masave të tjera që lidhen me cilësinë e jetesës.

Tipari i dytë strukturor është politik. Revolucionet kanë patur tendencën të ndodhin në shoqëri me vendndodhje në skajet polare të spektrit politik. Nuk është habi që kolonitë, fuqitë koloniale, dhe diktaturat kanë gjeneruar dëshira për pjesëmarrje sociale dhe politike si dhe liri nga shtypja, dhe duke bërë këtë, ofruan shënjestra solide reth të cilave mund të grumbullohen koalicione të forcave sociale. Por, paradoksalisht këto qeveri të Botës së Tretë që janë tërësisht të hapura ndaj konkurencës së lirë politike përmes zgjedhjeve, në të cilat e majta ka një shans natyror për të fituar, si në Kili, Xhamajka apo Guatemalë, ose në Iranin e 1951, i kanë hapur gjithashtu derën ardhjes në pushtet të revolucionarëve, përmes kanaleve elektoralë. Kësaj liste mund t’i shtojmë disa qeveri të zgjedhura në Amerikën Latine, si Venezuelën me Hugo Chavezin, Brazilin me Lulën, Bolivinë me Evo Moralesin si dhe Uruguain me Frente Amplion, ndonëse jo të gjithë e gjejnë vullnetin apo kapacitetin për të bërë një përpjekje për një revolucion social, pasi kanë ardhur në pushtet.
Faktori i tretë që shërben si shkak në të gjithë revolucionet e derisotëm ka qenë aftësia e revolucionarëve për të ndërtuar dhe mbajtur në këmbë kultura të fuqishme politike opozicioni. Këto janë formuar nga një amalgamë e përvojave në shtypje të një popullsie. Këto përfshijnë kujtime të betejave të së kaluarës, përvoja dhe emocione të përjetuara; qarkullimi i një lloj ideologjie revolucionare (më populloret kanë qenë demokracia, socializmi, nacionalizmi dhe format radikale të fesë, si Teologjia Clirimtare në Amerikën Qendrore apo Islami radikal në Iran); “Idioma” më pak të fuqishme por njësoj të rëndësishme që nejrëzit përdorin për të shprehur dhimbjet e tyre (“Tokë, Bukë dhe Liri!” në 1910 në Meksikë, “Vdekje Amerikës!” në rrugët e Iranit në vitin 1979, “drejtësia sociale” në shumë prej lëvizjeve të sotme; dhe së fundi, bashkimi në një formë organizimi që sjell bashkë njerëz të ndryshëm. Liderë dhe grupe të suksesshëm kanë qenë në gjendje të përdorin këto rryma për të mobilizuar njerëz jashtë rutinave të tyre të përditshme, duke i futur në aventurën e rrezikshme të bërjes së një revolucioni.

Dy faktorët e fundit janë konjukturorë – ata ndihmojnë për të shpjeguar se përse revolucionet ndodhin atëherë kur ndodhin.

Njëri është që ekuilibri ndërkombëtar i forcave duhet të jetë i favorshëm për një revolucion; për shembull, kur mbështetësit e jashtëm të regjimit (një fuqi koloniale ose në shumë raste, SHBA) nuk janë të gatshëm ose nuk munden të ndërhyjnë për të mos lejuar revolucionin të vije në pushtet. Kjo mund të ndodhë për një sërë arsyesh: shkëputja e vëmendjes për shkak të krizave të tjera, dymendësim për atë që duhet bërë, një ftohje me diktatorin etj. Një shembull ishte politika e jashtme e bazuar mbi të drejtat e njeriut nga Xhimi Karteri në vitin 1977, që dobësoi pozicionin si të Shahut në Iran, ashtu edhe të Somozas në Nikaragua. Faktori i dytë konjukturor është një tatëpjetë ekonomike, apo një recesion në prag të revolucionit: ky mund të jetë faktoi që lëshon nga zinxhirët grupet kyçë, që nga punëtorët tek fshatarët, tek klasat e mesme dhe ndonjëherë edhe vetë elitat. Unë mendoj se kjo qasje me pesë faktorë vlen per të gjithë revolucionet e suskesshëm në shekullin XX, dhe madje mund të shërbejnë për të shpjeguar përse të tjerë kanë dështuar në mënyra të ndryshme.

A sjellin përmirësime?

Revolucionet gjithmonë kanë premtuar shumë, përmbushur disa, por zakonisht nuk kanë plotësuar ëndrrat dhe aspiratat e atyre që i bëjnë. Revolucioneve të Botës së Tretë u është dashur gjithnjë të konkurojnë me armiqësinë e Botës së Parë, që nga grushti i shtetit i mbështetur nga SHBA që vrau Salvador Aliendenë në 1973, tek ndërhyrjet e mëpasshme në Nikaragua, Grenadë dhe ndokund tjetër. Veç kësaj, ekonomitë e Botës së Tretë janë të brishta ndaj trysnive ekonomike të të gjithë llojeve, dhe duhet të zhbëjnë dekada të tërë shfrytëzim me burimet e kufizuara që disponojnë. Një faktor i tretë që kufizon rezultatet e tyre ka qenë fragmentimi i koalicioneve të gjerë që janë jetikë për t’i sjellë në pushtet, pasi përbërësit e ndryshëm kërkojnë ndryshime të ndryshme dhe shpesh herë synojnë të eleminojnë nga pushteti ish shokët e revolucionit.

Pak revoluione kanë zgjatur dhe kanë sjellë ndryshime jetëgjatë: Revolucioni Kinez, për disa dekada përmirësoi jetesën e qindra milionë fshatarëve, deri kur lidershipi kinez hapi ekonominë ndaj kapitalizmit global, ndërkohë që shtypi ata që kërkuan të demokratizojnë regjimin në Sheshin Tananmen në vitin 1989. Revolucioni kuban jeton, edhe pse Fidel Kastro është larguar qetësisht nga skena, pasi ka patur arritje të spikatura në arsimim dhe alfabetizëm, shëndetësi dhe jetëgjatësi, ushqim, kulturë, sporte dhe punësim; thembra e vet e Akilit kanë qenë dy barrat binjake të embargos së SHBA dhe hezitimi i Kastros për të lejuar lirinë e shprehjes fëmijëve të revolucionit.

Nikaragua, Kili dhe Grenada patën rezultate të mirë në fazat e para, përpara se eksperimentet e tyre të ndërpriten nga embargot e SHBA, luftërat dhe grushtet e shtetit. Bilanci është i përzier, por provat tregojnë se revolucionet mund të përmirësojnë jetët e njerëzve në periudha relativisht të shkurtëra kohe, nëse u jepet shansi për të lulëzuar dhe kanë pak fat. Revolucionarët e së ardhmes

Cfarë të ardhme kanë revolucionet në shekullin XXI? Unë kam angazhuar kolegë që të mendojnë për këtë pyetje në projekte të tillë si Revolucione në “prodhim” në botën moderne: Identitete socialë, globalizim dhe modernitet; si dhe tek E ardhmja e Revolucioneve: Rishikimi i ndryshimeve radikale në epokën e globalizmit. Strategjitë e vjetra të marrjes së pushtetit përmes armëve duket se po dorëzohen para përpjekjeve për të marrë pushtetin me zgjedhje, ku kjo bie më shumë në sy në Amerikën Latine. Historia tregon se qeveritë arrijnë më shumë kur ato shtyhen nga poshtë, nga një shoqëri civile e mirëorganizuar, dhe kur gjejnë mënyra për të punuar së bashku, gjë që mund të artikulojë ndoshta një reagim rajonal ndaj impakteve negativë të globalizimit. Transofrmime të thellë socialë po kërkohen gjithashtu në nivele më lokalë, përshembull në Chiapas, ku Zapatistët kanë ushqyer fuqizimin e komunitetit, duke tërhequr një pjesë të Meksikës jugore nga modeli neoliberal përmes vetëorganizimit të indigjenëve dhe sidomos fuqizimit të grave. Një rrugë e tretë fshihet pas nocionit në rritje të një revolucioni global. I mishëruar në vizionin dhe aktivizmin e lëvizjes globale për drejtësi, dhe që kërkon të ngadalësojë procesin e globalizimit korporatist nga lartë dhe ndricon konturet e një globalizimi alternativ, i cili i qëndron vlerave të jetës dhe i dedikohet krijimit të një bote më paqësore, demokratike, të qëndrueshme, bazuar mbi drejtësinë sociale.

Kështu që, revolucionet e së ardhmes mund të jenë krejt të ndryshme nga ata të së kaluarës, dhe shpresohet që këto përpjekje të shumta për forma të reja ndryshimesh sociale radikale mund të rezultojnë më jetëgjata dhe më pak bujare, duke sjellë një tjetër definicion të suksesit. Njerëzit e planetit meritojnë asgjë më pak se kaq.

* John Foran është Profesor i Sociologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara. Ai është autor i “Marrja e Pushtetit: Mbi origjinën e Revolucioneve të Botës së Tretë” dhe “Rezistenca e Brishtë: Transformimi Social në Iran që nga viti 1500 deri tek Revolucioni”. Vec kësaj, ai është botues i “E ardhmja e revolucioneve: Rishikimi i ndrysimeve radikalë në epokën e globalizimit”.

Perkthimi: E.Gj./Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button