Analiza

Revolucioni anti-francez

Revolucioni antiFranca është një vend modern, ashtu sikurse dhe një vend i bukur. Janë të mirënjohura meritat e tij, që nga sistemi shëndetësor, deri tek sistemi hekurudhor (kur nuk janë në grevë). Por francezëve nuk u pëlqen moderniteti. Ata nuk i besojnë modernitetit. Ky është thelbi i problemit. Atyre nuk u pëlqen dhe nuk i besojnë për dy arsye. Moderniteti ka ripërcaktuar hapësirën dhe ka larguar shtetin. Kjo është e patolerueshme

Roger Cohen

Gara e çiklizmit e Tour de France filloi në Angli këtë vit, më saktë në Yorkshire, dhe e përfundoi fazën e tretë në Mall-in pranë Buckingham Palace. Tani na mbetet vetëm të shohim që të fluturojnë derrat.

Në fakt, ata kanë fluturuar tashmë, duke parë që kjo ngjarje e cila është në thelb franceze ka nisur edhe një herë tjetër në Gjermani, por gjithësesi të bën të ngresh pyetjen, nëse në këtë botë kanë mbetur gjëra të shenjta. Ndoshta gara me kuaj e Ascot shumë shpejt do të zhvendoset në Toulouse.

Ndodhesha në Paris javën që kaloi. Ishte shumë bukur. Turistët shtriheshin të ngeshëm pranë urave, duke shijuar piknikë me djathë, bagetë dhe verë të kuqe dhe të keqe. Ishin të lumtur. Moti ishte i përsosur. Francezët ishin nopranë, natyrisht. Nuk vërejta ndonjë pakënaqësi për zhvendosjen e Tour de France përtej Kanalit, por gjithësesi i pashë të ankoheshin për pothuajse gjithçka tjetër.

Një ish president konservator, Nicolas Sarkozy ishte ndaluar dhe marë në pyetje për 15 orë me radhë, në lidhje me akuza për korrupsion. Presidenti aktual socialist, Francois Hollande ishte zhytur në thellësi të reja të mungesës së popullaritetit. Presidencës së Republikës së Pestë, dikur maja e lavdisë ceremoniale dhe me një pushtet pothuajse monarkik, i kish mbetur vetëm shkëlqimi i një rrecke të lagur.

Që francezët janë jo të lumtur, kjo gjë është bërë e zakonshme. Një komb që i dashuron idetë, tashmë po jeton në një zbrazëti ideologjike. E nëse kjo zbrazëti po mbushet nga ndoskush, kjo është vetëm udhëheqja e djathtë Marine le Pen, me gjithë dozën e saj të helmit për Europën, imigrantët, krimin, globalizimin dhe fajtorë të tjerë të supozuar, që shihen si shkaktarë të rënies së Francës.

Papunësia në Francë është pothuajse sa dyfishi i nivelit të Gjermanisë. Rritja ekonomike është zero. Investimet janë ulur në nivele rekord. E nëse ekonomia e Europës po fillon të vihet në lëvizje, ajo franceze ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme për t’u rezistuar shenjave të jetës.

Manuel Valls, kryeministri centrist që urrehet nga shumëkush brenda Partisë së tij Socialiste, po përpiqet të shkurtojë shpenzimet e sektorit publik, të liberalizojë disi ligjet e tregut të punës, të ulë taksat mbi të ardhurat, dhe në përgjithësi të nxisë krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike përmes liberalizimit të një ekonomie thellësisht shtetërore. Shumë janë përpjekur përpara tij. Shumë kanë dështuar. Një reformë e tillë në Francë është një përpjekje prej Sizifi.

Franca është një vend modern, ashtu sikurse dhe një vend i bukur. Janë të mirënjohura meritat e tij, që nga sistemi shëndetësor, deri tek sistemi hekurudhor (kur nuk janë në grevë). Por francezëve nuk u pëlqen moderniteti. Ata nuk i besojnë modernitetit. Ky është thelbi i problemit. Atyre nuk u pëlqen dhe nuk i besojnë për dy arsye. Moderniteti ka ripërcaktuar hapësirën dhe ka larguar shtetin. Kjo është e patolerueshme.

Ripërcaktimi i hapësirës ka qenë i lidhur me eleminimin e distancës, një pasojë e teknologjisë kjo. Michel Serres, një filozof i shquar francez, e përmblidhte kështu në një leksion që jepte në Sorbonne me temë botën digjitale: “Boeingu i shkurton distancat; teknologjia i eleminon”.

Një gjë e tillë shkakton shqetësim në Francë, sepse askund tjetër, veçantia e një vendi dhe veçoria e lidhjes së individit me të nuk është më e rëndësishme. Kjo lidhje është e shprehur në fjalën “terroir”, që shpreh njëkohësisht tokën, karakteristikat e saj të veçanta, natyrën e dheut, klimën, si dhe marrëdhënien speciale të njeriut me të. Një Burgundy shumë e mirë dhe një tjetër e ndryshme mund të vijnë prej pronave që janë njëqind metra larg. Toka nuk është e njëjtë, as edhe pjerrësia e saj. Distanca ka rëndësi. Megjithatë, moderniteti nuk e duron dot atë. Ai madje, shkon dhe e zhvendos Tour De France në Angli. Siç e thotë Serres: “Ne jetojmë në një hapësirë të re”.

Njerëzimi ka ndryshuar edhe marrëdhënien e tij me shtetin. Francezët kanë besim të madh tek shteti. Eshtë ai që ndreq gabimet, ndërmjetësi i marrëdhënieve njerëzore, burimi i drejtësisë sociale, objekti i detyrës, dhe vendi ku ndodhet pushteti. Vetë fjala derregullim është e urryer për francezët.

Por teknologjia e ka zhvendosur pushtetin nga shteti, tek individët e pashtet, që jetojnë në një botë kibernetike pa kufij. Sot, një adresë emaili është më e rëndësishme për vijimësinë e ekzistencës, se sa një adresë fizike. Po ndodh një revolucion në komunikim, që nuk është parë qysh nga shpikja e shtypshkronjës, por nuk është një revolucion francez. Eshtë në fakt një revolucion anti-francez. Ai sfidon vlerat themelore franceze, ndjenjën franceze të vetvetes, dhe lidhjen e francezëve me shtetin.

Valls, Kryeministri, është vënë përballë sindikatave në përpjekjen e tij për reforma. Por, në të vërtetë ai po ndeshet me një kundërshtim themelor ndaj modernitetit.

Serres, në leksionin e tij, rrëfen historinë e Shën Denisit, martiri i krishterë që u ekzekutua me prerje koke në vitin 250 p.e.s. Thuhet se Denisi mori në duar kokën e tij, dhe bëri edhe disa kilometra duke predikuar. Serresi, kur ishte fëmijë kundërshtonte, duke dëgjuar të ëmën që i rrëfente historinë, dhe i thoshte se nuk kishte mundësi që Denisi të kishte gjetur kokën, pa patur sy. Ajo e kritikonte, sepse vogëlushi nuk arrinte të kuptonte mrekullitë.

Sot, thotë Serres, koka e të gjithëve është mbi tryezë, në formën e kompjuterëve. “Ju kanë prerë kokën!” i thotë ai audiencës franceze.

Kështu ndihen shpesh herë francezët. Kam frikë se nuk ka shumë për të bërë, përveç ndonjë mrekullie. /International New York Times/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button