Histori

Revolucioni i guximshëm i Martin Luterit

Gjermania dhe bota protestante janë në mesin e “Festivalit të Reformimit” më të madh të të gjitha kohërave. Që nga 31 tetori 2016, festimet kanë vazhduar pa ndalim, për të shënuar ngjarjet revolucionare që filluan në këtë ditë, në vitin 1517.

Një mësim i vogël në histori: Murgu Martin Luter (1483 – 1546) është i zhgënjyer nga praktika e Kishës Katolike për shitjen e indulgjencave, që i lejon njerëzit të blejnë shpëtimin shpirtëror. Ai e konsideron praktikën krejtësisht të gabuar në aspektin teologjik.

Studimi i Biblës i ka lënë bindjen e palëkundur, se një mëkatar që beson në një Perëndi të gjithëfuqishme dhe absolute, shpaguhet në sytë e Perëndisë vetëm nëpërmjet këtij besimi dhe mëshirës së Zotit – dhe jo përmes parave dhe veprave të mira.

Luteri është i bindur se ky është thelbi i mesazhit të krishterë. Rrjedhimisht, besimtarët mund t’i drejtohen krijuesit të tyre drejtpërdrejt, nëpërmjet lutjes. Ata nuk kanë nevojë as për kishën, as për priftin si një ndërmjetës – një ide radikale që thyen fuqinë e Kishës Katolike, duke filluar me doktrinën e saj fetare.

E gjitha lidhet me pushtetin

Konkluzionet e Luterit hapin derën për liri të reja dhe të paimagjinueshme. Por dekadat që pasuan “Nëntëdhjetë e Pesë Tezat” e tij të famshme, që thuhet se u gozhduan në derën e Kishës së Vittenbergut më 31 tetor 1517, e bëjnë të qartë se Kisha nuk është në asnjë mënyrë, e gatshme të heqë dorë nga pushteti i saj, pa luftë.

Në fillim, vrulli i krijuar prej Luterit vazhdon të shtohet. Me ndihmën e shtypshkrimit të lëvizshëm, i shpikur nga Johannes Gutenberg në vitin 1450, ai shpejt shkruan, kopjon dhe shpërndan këtë koleksion idesh, që sfidojnë indulgjencat në të katër anët e vendit.

Përveç kësaj, piktori me banim në Vittenberg, Lucas Cranach i Madhi dhe djali i tij me të njëjtin emër, i japin Reformimit fytyrë, përmes portreteve të Martin Luterit, si dhe përmes përshkrimeve të bashkatdhetarëve të teologut.

Vittenberg është epiqendra e një vale të mendimit të ri, ndikimet e të cilit arrijnë deri në Romë. Në qershor të vitit 1518, fillon një gjyq për herezi kundër Luterit dhe disa muaj më vonë në Augsburg, i dërguari papnor, Kardinali Thomas Cajetan merr në pyetje reformatorin, i cili me këmbëngulje refuzon të heqë dorë nga idetë e tij. Vitin e ardhshëm Karli V (1500-1558) bëhet perandori i ri. Ai është një kundërshtar tjetër i Luterit, që e sheh veten si mbrojtës të Kishës ekzistuese.

Shkrime të rëndësishme

Murgu rebel, i cili ende mendon se mund të reformojë Kishën Katolike, harton tre tekste kryesore të reformimit në vitin 1520. Më i rëndësishmi, “Për lirinë e një të krishteri”, është pak a shumë një ligj themeltar, e që ndonjëherë mund të lexohet si një nxitje për revolucion.

Luteri përmbledh kuptimin e jetës së krishterë në dy teza: “Një i krishterë është zotërues i lirë i çdo gjëje, dhe nuk i nënshtrohet askujt. Një i krishterë është një shërbëtor i të gjithëve, i nënshtruar ndaj të gjithëve”. Këto fjalë e bindin një pjesë të madhe të popullatës që dëshiron lirinë: lirinë nga frika e vdekjes, nga indulgjencat dhe detyrimet e tjera financiare, lirinë nga represioni prej atyre që janë më lart.

Por Luteri, i cili përdor termin “liri” në një kuptim thjesht teologjik, ka një kuptim krejtësisht të ndryshëm të lirisë. Ai buron nga Apostulli Pal në Bibël. Sjellja themelore e njeriut nuk është e lirë, por më së shumti ndikohet, ose nga Djalli dhe mëkati, ose nga Krishti dhe mirësia. Luteri dëshiron të emancipojë njerëzit duke i kthyer ato drejt Krishtit. Ai kundërshton radikalizimin politik dhe rebelimin e armatosur.

Kundërgoditja e Perandorisë

Tezat provokative, shkrimet e reformimit, refuzimi kokëfortë për revokimin e ideve – është shumë për Papën Leoni X, i cili në janar 1521 shkishëron Luterin.

Në prill të po atij viti, Luteri duhet të mbrohet para perandorit. Në fjalimin e tij të famshëm të 18 prillit, reformatori deklaron se ai do të tërheqë mbrapsht ato fjalë, vetëm nëse faktet biblike mund t’i përgënjeshtrojë ato, dhe ai thekson se nuk mund të veprojë kundër ndërgjegjes së tij. “Ja ku jam, Perëndia më ndihmoftë, Amen”, e përfundoi ai fjalën e tij. Perandori Karli V e shpall të jashtëligjshëm dhe ndalon shkrimet e Luterit.

Kohë produktive në Vartburg

Luteri nuk duhet të presë gjatë për ndihmë. Bashkatdhetari i tij Frederiku III, princ i Saksonisë, bën të mundur që i burgosuri të rrëmbehet gjatë kthimit nga Vorms dhe të sillet në Kështjellën e Vartburgut, ku shkruan nën një pseudonim.

Luteri përdor këto 10 muaj për të hartuar shkrime të shumta, që përcaktojnë më tej çështjet e Reformimit. Ai gjithashtu bëhet personi i parë që përkthen Dhiatën e Re, nga greqishtja e lashtë, në gjermanisht. Deri në atë pikë, kishin ekzistuar më shumë se 70 versione, ku të gjitha ishin bazuar në tekstin latin, edhe ai vetë një përkthim i mbushur me pasaktësi. Përkthimi i Luterit, i shtypur në vitin 1522, është një kryevepër gjuhësore – dhe një bestseller.

Thekse të reja

Pavarësisht statusit të tij të jashtëligjshëm, Luteri kthehet në Vittenberg në mars të vitit 1522, ku i hyn projekteve të ndryshme dhe vazhdon të habisë bashkëkohësit.

Në vitin 1525, murgu dikur celibat martohet me ish-murgeshën Katharina von Bora. Së bashku ata lindin gjashtë fëmijë dhe ngrejnë famullinë e parë protestante, e cila shërben si model për qendrën shpirtërore dhe organizative të një famullie deri në shekullin e 20-të.

Në vitin 1526, Kuvendi Perandorak në Speyer merr vendimin, për t’u lejuar princave dhe shteteve të vendosin vetë, nëse do të mbeten katolikë, apo do të konvertohen. Kjo çon në ndërtimin e kishave të para zyrtare luterane, si dhe shkollave protestante.

Bazat e Besimit

Gjatë udhëtimeve të tij, Luteri e kupton se shumica e bashkatdhetarëve të tij, në fakt dinë shumë pak për besimin e krishterë. Kjo e nxit që në vitin 1529 të shkruajë “Katekizmin e Vogël” për njeriun e zakonshëm dhe “Katekizmin e Madh” për priftërinjtë, që së bashku janë vepra udhëzuese themelore, të besimit protestant edhe sot e kësaj dite.

Në të njëjtit vit, princët e orientuar nga Reformimi në Kuvendin Perandorake të Speyer protestojnë kundër lënies në fuqi të Urdhërit që e shpallte të jashtëligjshëm Luterin. Veprimet e tyre i japin emrin “protestantizmit”. Luteri më parë i referohej lëvizjes së tij si “Evangjeliste”.

Përpjekja e fundit për bashkim

Në fund të korrikut 1530 perandori Karli V bën thirrje për një Kuvend Perandorak në Augsburg. Perandoria rrezikon të shkatërrohet, pjesërisht për shkak të ndarjeve fetare që ka sjellë Luteri. Ende fetarisht i ndaluar dhe politikisht i jashtëligjshëm, Luteri nuk mund të marrë pjesë, pa rrezikuar sigurinë e tij. Në vend të tij, shoku dhe bashkëpunëtori i tij fetar Philip Melanchton, e përfaqëson atë në Augsburg.

Në seancat e gjata, Melanchton përpiqet të fitojë njohjen e emërtimit protestant nga pala katolike, duke argumentuar për botimin e “Rrëfimit të Augsburgut”, që thotë se mësimet protestante bien ndesh me Kishën Katolike. Lufta e tij është e kotë.

Ndikimi i klimës politike

Megjithatë, perandori Karli V nuk mund t’i shtypë protestantët. Ushtria osmane kërcënon si Perëndimin e krishterë, ashtu edhe Perandorinë e Shenjtë Romake, duke e bërë atë të varur nga çdo formë ndihme ushtarake. Për të siguruar unitetin e brendshëm, perandori u jep protestanëve lirinë fetare, në këmbim të pjesëmarrjes ushtarake në luftërat kundër otomanëve të Habsburgëve. Megjithatë, konfliktet midis katolikëve dhe protestantëve nuk zgjidhen deri në Paqen e Augsburgut, në vitin 1555.

Bibla e Luterit, një bestseller

Në vitin 1534, Luteri dhe bashkëpunëtorët përfunduan përkthimin e Dhiatës së Vjetër nga hebraishtja në gjermanisht. Gjuha e gjallë dhe e paharrueshme e reformatorit ndihmon edukimin e banorëve të Perandorisë së Shenjtë Romake në shkrim e këndim, si dhe nxit një ndjenjë të unitetit kombëtar. Qindra idioma dhe thënie nga përkthimi i Biblës së Luterit mbeten të rrënjosura në gjuhën gjermane sot.

Por rezultati më i rëndësishëm i përkthimeve të Luterit ishte se ai e bëri të lexuar Biblën, si dhe të arritshme për secilin individ – dhe jo vetëm për klasat e larta të arsimuara. Në dymbëdhjetë vitet e para, Bibla e Luterit e vitit 1534 u shit në më shumë se 100.000 kopje, duke e bërë përkthyesin e saj, publicistin më të qarkulluar të shekullit të 16-të.

Antisemitizmi i Luterit

Mendimi i Luterit mbi hebrenjtë dhe besimet e tyre nuk u ndikua aspak nga dashuria dhe toleranca e krishterë. Në këtë drejtim, ai është mishërim i kohës kur jetoi. Ai fillimisht këshilloi mirësjellje ndaj hebrenjve, duke pasur parasysh se vetë Jezusi u lind i tillë, dhe argumentoi në vitin 1523 se hebrenjtë që konvertoheshin në krishtërim duhet të lejoheshin të punonin në të gjitha llojet e tregtisë, dhe jo vetëm në huadhënie parash.

Urrejtja e plotë e Luterit u zbulua rreth 20 vjet më vonë. Në tekstin e tij të vitit 1543, “Për hebrenjtë dhe lakminë e tyre”, ai çoi një hap më tutje urrejtjen mesjetare për hebrenjtë, duke i etiketuar ata si “vrasës të Krishtit” dhe duke bërë thirrje për shkatërrimin e sinagogave dhe shtëpive të tyre dhe, në fund, dëbimin e tyre. Disa studiues i quajnë deklaratat e Luterit si “antisemitizëm para-modern”.

Arsyet pse Luteri ndryshoi mendje mbeten thjesht spekulime. Ndryshimi mund të ketë rrjedhur nga zhgënjimi. Pretendohet se ai shpresonte që hebrenjtë të konvertoheshin në besimin e sapoformuar protestant – gjë që ata nuk e bënë. Cilado qoftë arsyeja, kjo anë e shëmtuar e Luterit mbetet pjesë e trashëgimisë së tij deri më sot.

Vepra e jetës

Kur Martin Luteri vdiq më 18 shkurt 1546 në qytetin e tij të lindjes të Eisleben, ai la pas një punë gjigante. Idetë e Reformimit ishin përhapur në të gjithë hapësirën e krishterë. Ndërsa ishin bekim për disa dhe mallkim për të tjerët, ndryshimet që ai vuri në lëvizje ishin të pandalshme dhe prekën të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike. Ato hapën derën për një epokë të re – megjithëse askush në atë kohë nuk mendonte se sa i dhunshëm do të ishte konflikti fetar që do të vinte.

Deri në vitin 1999, Kisha Katolike nuk pranoi justifikimin doktrinor të Luterit. Ky ishte një moment historik në dialogun katolik-protestant, pasi që nënkuptonte pranimin e heshtur të besimit të palëkundur të Luterit, se të krishterët janë të shenjtë vetëm nëpërmjet mëshirës së Perëndisë dhe jo nëpërmjet akteve – sado të mëdha mund të jenë ato. / Marrë nga Deutsche Welle – Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button