HistoriMagazine

Revolucioni i Maos, Kryetarit që sakrifikoi një brez të tërë

Në vitet 1960-të, të rinjtë në Kinë u rebeluan me miliona. Besonin se po shpëtonin botën, por ishin në të vërtetë gurë shahu, në një lojë politike dinake

Në prill 1968, njerëzit në koloninë britanike të Hong Kongut vunë re me qindra objekte misterioze, që vinin në portin Victoria. Në fillim u besua se ishin thasë që vinin nga lumenjtë e Kinës. Teksa objektet afroheshin më shumë, u bë e qartë se nuk ishin aspak thasë, por diçka më e keqe.

James Lilley, në atë kohë një agjent i CIA-s që punonte në Konsullatën e SHBA në Hong Kong, kujtonte: “Në një qytet të quajtur Vuzhou, në veri, kish patur një betejë të madhe mes fraksioneve, dhe njerëzit ishin vrarë prej palës fituese. Ata u kishin lidhur duart prapa shpine, i kishin qëlluar dhe i kishin hedhur në lumë. Këta trupa kishin pluskuar deri në Hong Kong…”.

Prej muajsh, nga Kina kishin dalë zëra të frikshëm, se vendi ishte në kaos, dhe kufomat që mbërrinin në portin Victoria konfirmonin më të keqen. Me mbështetjen e ushtrisë kineze, banda të rinjsh të njohura si Garda e Kuqe, po i binin kryq e tërthor vendit duke djegur shkolla, shkatërruar zyra, dhe sulmuar – shpesh herë duke vrarë – këdo që u dilte para. Pati edhe zëra për kanibalizëm. Në provincën jugore kineze të Guangxisë, të paktën 137 vetë u vranë, u gatuan, dhe u hëngrën, si ndëshkim për krimin – real ose të imagjinuar – të tëqënit kundër udhëheqësit absolut të vendit, Kryetarit Mao.

Të rinjtë fanatikë që përbënin Gardën e Kuqe të Maos, ishin rritur me mësimet e tij. Vala e terrorit që ata po vinin në zbatim në të gjithë vendin, ishte pjesë integrale e atij që idhulli i tyre e quante Revolucioni Kulturor. Ata as nuk e dinin që u ish shpëlarë truri, dhe ishin thjeshtë gurë shahu, në skemën e Maos për të shpëtuar lëkurën e tij politike. Apo që, kur të vinte kohë, në mënyrë cinike ai do i shkatërronte edhe ata vetë.

Mao Ceduni, bibliotekari që u bë revolucionar

Mao Ce Duni kish qenë bibliotekar, dhe më pas u bë revolucionar. I lindur në vitin 1893 në një familje fshatarësh, ai u zhvendos në Pekin në vitin 1919, ku gjeti punë në librarinë universitare të qytetit, dhe u bë bashkëthemelues i Partisë Komuniste Kineze. Deri në vitin 1927, aktiviteti i PKK ishte bërë kaq shqetësues, saqë udhëheqësi nacionalist, Chiang Kai-shek u vu pas tyre. Mao do të kalonte 22 vitet e ardhshëm në luftë, fillimisht kundër Chiang Kai-shek dhe më pas Japonisë, e cila në vitin 1937, pushtoi Kinën.

Teksa fitoret e tij ushtarake shtoheshin, fama e Maos si udhëheqës frymëzues u përhap shumë, dhe një lëvizje e madhe kryesisht fshatarësh revolucionarë u mblodh përreth tij. Deri në 1949, kjo ushtri fermerësh kishte larguar japonezët, dhe kishte dëbuar nacionalistët deri në Taivan. Tashmë, Mao ishte bërë udhëheqës i Republikës Popullore të Kinës. Më shumë se 20 milionë kinezë ishin vrarë në luftime gjatë dy dekadave të mëparshme, dhe fjalimet e Maos tani dukej se ofronin shpresë reale për një popull që kishte vuajtur shumë. Por shpresa do të ishte jetëshkurtër.

Sipas teorisë marksiste, që një shoqëri komuniste të ketë sukses, duhet të dalë nga një ekonomi kapitaliste e industrializuar – jo një shoqëri rurale feudale, si ishte Kina. Zgjidhja e Maos për këtë, ashtu si ajo e Stalinit para tij në Rusinë sovjetike, ishte që ta nxitonte vendin drejt industrializimit. Në vitni 1958, ai nisi një projekt të madh social që e quajti Hapi i Madh Përpara – ishte një fatkeqësi. Brenda natës, miliona fermerë kinezë u shndërruan në hekurpunues dhe minatorë. Me shumë pak që kishin mbetur në fusha, e pësuan të korrat. 38 milionë njerëz vdiqën nga uria dhe teksa numri i të vdekurve u rrit, po kështu ndodhi edhe me kundërshtarët e politikave të Maos, mes udhëheqjes komuniste. Ishte pikërisht shtimi i opozitës, si dhe refuzimi i Maos për të pranuar se gabohej, që mbolli farën e trazirave që do të vinin.

Me ardhjen e 1960, ish aleatët e Maos në PKK, njerëz si Ten Hsiao pini, donin lidhje më të ngushta me RUsinë – dhe ikjen e Maos. Por rrëzimi i njeriut të revolucionit nuk ishte opsion, kështu që u përpoqën ta anashkalojnë, duke e shndërruar në një ikonë boshe, pa pushtet real. Por Mao, një njeri shumë përllogaritës, nuk do të lejonte të hiqte dorë nga perandoria e tij. Revolucioni i kish sjellë pushtet, arsyetonte ai, dhe revolucioni mund ta ndihmonte që ta mbante – këtë herë, në formën e revolucionit kulturor. Për ndihmë, Mao u kthye nga bashkëshortja e katërt, Jiang Qing, e quajtur edhe Madame Mao.

Kjo ish yll kinemaje shihej nga publiku si bashkëshortja e devotshme e udhëheqësit të tyre. Por privatisht, martesa e tyre ishte një mashtrim pa dashuri. Por Mao i besonte dhe mendonte se ajo ishte njeriu ideal për të drejtuar revolucionin e tij kulturor. Në maj 1966, ai shpalli politizimin e arteve, dhe emëroi Madame Maon këshilltare artistike në ushtri. Ajo menjëherë sulmoi artistët dhe ndaloi veprat që i konsideronte “kapitaliste”.

Në dhjetë vitet e ardhshme, Kina do i nënshtrohej censurës dhe propagandës së Madame Maos. I gjithë arti nga vendet e tjerë u shpall i jashtëligjshëm, ndërkohë që një miliardë njerëz nxiteshin të shihnin ata pak filma indoktrinues që ajo lejonte. Të gjithë këto vepra mbartnin të njëjtin mesazh – sakrifikohu për revolucionin, sepse është akt nderi. Për një brez të tërë fëmijësh kinezë, ishte ideja më e fuqishme ndaj të cilës u ekspozuan mendjet e tyre, teksa përgatiteshin të vrisnin dhe vriteshin për kultin e Kryetarit Mao.

Fillimi

Revolucioni Kulturor filloi më 3 shtator të vitit 1966, kur Gjenerali Lin Biao bëri një fjalim të zjarrtë, ku akuzonte kundërshtarët politikë të Maos për tradhti. Lin nxiti studentët e vendit që të mbronin Kinën, kundër atyre që favorizonin komunizmin e stilit sovjetik, dhe jo atë të Maos, si dhe kultin e personalitetit që ai kishte prodhuar.

Për të galvanizuar këtë lëvizje rinore, e cila u vetëquajt Garda e Kuqe, Maos i duhej një “demon” – një klasë të privilegjuarish, u tha ai miliona kinezëve, në një seri tubimesh në Pekin, një klasë “pronarësh tokash, fshatarësh të pasur, kundër-revolucionarësh, elementesh të këqia, të djathtësh, tradhëtarësh, agjentësh të huaj, kapitalistësh dhe intelektualësh”, që dëshironin të shkatërronin revolucionin. Vetëm të rinjtë “e pahelmuar” të Kinës, u tha Mao adhuruesve të tij të magjepsur, mund t’i ndalnin ata. Ata ishin të udhëzuar që të ktheheshin në lagjet e tyre dhe t’i ndalnin. Dhe këta e bënë me zell. Brenda disa javësh, Kina ishte e gjitha në flakë – librat dhe shkollat digjeshin, ndërsa gjaku i mësuesve, zyrtarëve dhe prindërve, rrodhi nëpër rrugë.

Garda e kuqe, agjentët e ndryshimit të Maos

Në vitet 1960, të rinjtë në të gjithë botën ishin në rebelim të hapur kundër prindërve dhe qeverive të tyre, teksa Lufta e Vietnamit ashpërsohej dhe gara e armatimit përshkallëzohej. Askund ky rebelim nuk ishte më i ashpër se në Kinë, por me një ndryshim të rëndësishëm – revolta u krijua nga lideri i vendit, me qëllim që ai të mbante pushtetin. Të veshur me xhaketa të gjelbëra, të ngjashme me ato të veshura nga ushtria, si dhe shirita të kuq në krahë, miliona fëmijë dhe të rinj përndoqën, sulmuan dhe shpesh herë vranë zyrtarët lokalë të partisë, mësuesit, intelektualët dhe të gjithë ata që gjenin, pa Librin e Vogël të Kuq.

Gardistët e Kuq, si njiheshin ata, papritmas e gjetën veten me fuqi të paparë mbi popullsinë e rritur. Gjithçka që u duhej për të hyrë, ishte që të betoheshin për besnikëri ndaj Maos. Në mes të gjithë këtij kaosi, Mao doli i fituar, pasi kritikët e tij më të fortë u eleminuan mes kësaj orgjie mizorie. Në kohën kur mbaroi spastrimi, vetëm 30 vetë nga Komiteti Qendror prej 90 anëtarësh kishin mbetur. Vetë himni i Gardës së Kuqe thoshte që murtaja ishte zhdukur.

Revolucionarët tradhëtohen

Deri në vitin 1967, njësitë e Gardës së Kuqe kishin përmbysur autoritetet e partisë në gjithë rajonet dhe vendi ishte zhytur në një kaos, si prej lufte civile. Në kohën kur fraksionet rivale filluan të shfaqen në Gardën e Kuqe, kundërshtarët politikë të Maos ishin margjinalizuar mjaftueshëm, dhe ai tani mund të shtypte revoltën që vetë e kishte nxitur. Në verën e vitit 1968, Mao urdhëroi Gardën e Kuqe të shpërndahet. Ushtria Çlirimtare Popullore e Lin Biao-s mori ndërtesat e zëna nga Garda e Kuqe, dhe miliona të rinj u detyruan të shkojnë në fshat e të punojnë në fusha. Ata që rezistuan u ekzekutuan. Qindra mijëra ndjekës besnikë të Maos u masakruan, dhe do të duheshin tre vjet që gjakderdhja të ndalej. Mao kishte sakrifikuar një brez të tërë, për qëllime e veta cinike politike.

Vrasje dhe intriga

Nga viti 1971, me Gardën e Kuqe të asgjësuar, Mao e ktheu vëmendjen tek Gjenerali besnik, dhe pasardhësi i tij, Lin Biao. Revolucioni Kulturor e kishte bërë Linin një njeri të fuqishëm, ndoshta shumë të fuqishëm. Udhëheqësi ushtarak, nga frika se ishte në rrezik për t’u spastruar, komplotoi për të vrarë kryetarin 78-vjeçar. Mao, megjithatë, u tregua më i shkathët. Grushti i shtetit i planifikuar u ekspozua shpejt dhe Lini, bashkë me familjen e tij u përpoqën të ikin në Moskë. Por, para se të mund të mbërrinin, avioni që po udhëtonin u rrëzua në mënyrë misterioze, duke vrarë të gjithë në bord. Edhe sot e kësaj dite ka spekulime që nuk ishte aksident. Me Linin të eleminuar, dhe asnjë pasardhës të qartë për në fronin e Maos, lufta për pushtet nisi me zell.

Një aleat i paparashikuar

Në 1972, pavarësisht spastrimeve të Revolucionit Kulturor, Kryeministri i Kinës, Zhou Enlai kish patur pushtet dhe besim të mjaftueshëm për të qëndruar në krah të Maos. Ky politikan pragmatist tani kërkonte t’i jepte fund kaosit dhe të rikthente stabilitetin në ekonominë e Kinës. Ai e zgjidhi problemin e parë duke bërë ushtrinë që të shtypte trazirat sociale. Zgjidhja e tij për problemin e dytë, megjithatë, ishte një prej goditjeve më mbresëlënëse diplomatike të historisë.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA kishin qenë joekzistente për 20 vite, por në 21 shkurt 1972, një prej presidentëve më të djathtë në historinë e SHBA, zbriti në aeroportin e Pekinit. Për shumë vite, fotografitë e Richard Nixonit ishin përdorur në Kinë për stërvitjet me bajonetë. Megjithatë, në kulmin e Luftës së Ftohtë, Zhou Enlai bindi udhëheqësin më konservator në politikën perëndimore, që të zhvillonte një samit tregtar me liderin më të fuqishëm në sferën komuniste. Ishte një sukses, dhe ekonomia e mbyllur e Kinës u kurua, pas shumë dekadash paqëndrueshmëri.

Fundi i Maos dhe të tijve

Kryetari Mao vdiq nga zemra në 9 shtator 1976, në moshën 82 vjeç, dhe bashkë me të vdiq edhe thëngjilli i fundit i Revolucionit Kulturor. Arkitektët kryesorë të Maos në Revolucionin Kulturor – Madame Mao, Uang Honguen, Zhang Chunqiao dhe Yao Venyua – tani nisën të lobojnë për ta zëvendësuar.

Të njohur si banda e të katërve, ky grup kish gëzuar vite të tërë privilegje dhe pushtet, dhe ishin të urryer në Partinë Komuniste. Pa Maon për t’i mbrojtur, ata u arrestuan dhe burgosën shumë shpejt. Ironikisht, njeriu që zëvendësoi Maon pas vdekjes ishte ndoshta kritiku i tij më i madh, Ten Hsiaopini. Ai kish qenë një prej kritikëve më të ashpër të Maos një dekadë më herët. Madje mund të thuhet se kritikat e ashpra të Tenit ndaj politikës ekonomike të Maos, kishin qenë kyçe në bindjen e Maos për të nisur Revolucionin e tmerrshëm kulturor.

Viktimat

Mao ishte përgjegjës për më shumë vdekje, se cilido person tjetër në histori. Një studim i vitit 2005 e vlerësonte ne 70 milionë numrin e njerëzve që gjetën vdekjen nën regjimin e Maos. 38 milionë vdiqën nga zia e bukës, ndërkohë që Revolucioni Kulturor ishte përgjegjës për 32 milinoët e tjerë. / Përgatiti: bota.al

(* Materiali nuk mund të ripublikohet pa miratimin e bota.al)

Leave a Reply

Back to top button