Analiza

Revolucioni i Tretë Industrial do të krijojë ekonominë e gjelbër. Ja se si do të ndodhë

Screen Shot 2015-10-22 at 08.46.30

Nga Jeremy Rifkin

Ekonomia globale po ngadalësohet, produktiviteti është zbehur në çdo rajon të botës, dhe papunësia mbetet kokëfortësisht e lartë në çdo vend. Në të njëjtën kohë, pabarazia ekonomike ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, ndodhet në pikën më të lartë në historinë e njerëzimit.

Në vitin 2010, pasuria e përbashkët e 388 njerëzve më të pasur në botë, ishte e barabartë me pasurinë e gjysmës më të varfër të racës njerëzore. Vitin e kaluar, pasuria e 80 personave më të pasur në botë, ishte e barabartë me pasurinë e kombinuar të gjysmës së njerëzve më të varfër në botë.

Ky realitet i vështirë ekonomik, tashmë rëndohet edhe nga përshpejtimi i madh i ndryshimit të klimës, i shkaktuar nga rritja e shkarkimeve të gazeve që shkaktojnë ngrohjen globale nga ana e industrive të ndryshme. Shkencëtarët e klimës, raportojnë se përqëndrimi global i karbonit në atmosferë, që më parë varionte nga 180 deri në 300 pjesë për milionë për 650.000 vitet e shkuara, është rritur nga 280 ppm pak para fillimit të epokës industrial, në 400 ppm në vitin 2013.

Përqëndrimi atmosferik i metanit dhe oksidit të azotuar, dy gaze të tjera të fuqishme që ndikojnë në ngrohjen globale, po tregojnë trajektore të ngjashme rritëse. Në samitin e Kopenhagenit për klimën globale në dhjetor të vitit 2009, Bashkimi Evropian, propozoi që kombet e botës të kufizojnë rritjen e temperaturës së Tokës në 3.5 gradë Fahrenheit (2 gradë Celsius).

Megjithatë, edhe një rritje prej 3.5 gradësh, do të rikthente në tokë temperaturën e disa milionë vjetëve më parë, në epokën e Pliocenit, me pasoja shkatërruese për ekosistemet dhe jetën e njeriut. Propozimi i BE-së u shpërfill. Tashmë, 6 vjet më vonë, rritja e mprehtë e përdorimit të lëndëve djegëse me bazë karbonin, i ka shtyrë nivelet atmosferike të dioksidit të këtij të fundit shumë më shpejt, sesa kishin parashikuar më herët shkencëtarët, duke bërë që me gjasë temperatura në Tokë të tejkalojë kufirin e 3.5 gradëve, dhe madje mund të mbërrijë në 8.6 gradë Fahrenheit (4.8 gradë Celsius) duke filluar nga viti 2100 – temperatura që nuk janë parë në Tokë prej miliona vjetësh. (Mos harroni se qeniet njerëzore anatomikisht moderne – specia më e re – ka filluar të banojë planetin vetëm 195.000 vitet e fundit ose pak më shumë).

Ajo që e bën më të tmerrshëm këtë skenar, është fakti se rritja e ngrohjes globale, do të ndryshojë rrënjësisht ciklin hidrologjik të planetit. I yni, është një planet që përmban në pjesën dërrmuese ujë. Ekosistemet e ndryshme të Tokës, kanë evoluar me kalimin e kohës gjeologjike, në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me modelet e reshjeve.

Çdo rritje prej 1 gradë Celsius e temperaturës, shkakton një rritje prej 7 përqind të kapacitetit lagështi-mbajtës të atmosferës. Kjo shkakton një ndryshim radikal në mënyrën sesi uji shpërndahet, me reshje më intensive, por me një reduktim në kohëzgjatje dhe frekuencë.

Pasojat tashmë janë duke u ndjerë në ekosistemet në mbarë botën. Ne jemi duke përjetuar më pak rreshje të mëdha dëbore në dimër, stuhi më dramatike pranverë dhe përmbytje, thatësirave më të zgjatura verore, më shumë zjarret, uragane më intensive (kategoria 3, 4 dhe 5), një shkrirje akullnajash në vargmalet e mëdha malore, si dhe një rritje të niveleve të detrave.

Ekosistemet e Tokës, mund të riformatohen në një ndryshim përçarës në ciklin e ujit të planetit, në një moment të shkurtër në kohë dhe nën një stres në rritje, me disa vende që do të ndodhen në prag të kolapsit. Destabilizimi i dinamikës  së ekosistemit në mbarë botën, ka shtyrë tashmë biosferën në prag të rastit të gjashtë të zhdukjes, në 450 milionë vjet të jetës në Tokë.

Në secilën nga pesë shfarosjet e shkuara, klima e Tokës mbërriti një pikë kritike kthese, duke i hedhur ekosistemet në një lak reagimesh pozitive, dhe çuar në një rimëkëmbje graduale të biodiversitetit të planetit. Mesatarisht, na u deshën 10 milionë vjet për të rifituar biodiversitetin humbur.

Biologët na paralajmërojnë, se mund të përjetojmë zhdukjen e gjysmës së specieve të Tokës deri në fund të shekullit aktual, duke rezultuar në një epokë të re shterpësie, që mund të zgjasë miliona vjet. Xhejms Hansen, ish-kreu i Institutit Godard të NASA-s për Studimet Mbi Hapësirën, parashikon një rritje me 4 gradë Celsius të temperaturës së Tokës nga tani deri në fillim të shekullit të ardhshëm – dhe bashkë me të, edhe fundin e qytetërimit njerëzor siç e njohim sot.

Sipas Hansen, shpresa e vetme është reduktimi i përqëndrimit aktual të karbonit në atmoferë, nga 400 ppm në 350 ppm ose më pak. Aktualisht, një paradigmë e re ekonomike po ngrihet, dhe që do të ndryshojë në mënyrë dramatike mënyrën sesi e kemi organizuar deri më sot jetën ekonomike në planet.

Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një kurs të ri të guximshëm, për të krijuar një ekonomi të gjelbër, të zgjuar dhe dixhitale dhe të teknologjisë së lartë të shekullit XXI-të, duke e bërë Evropën një hapësirë potencialisht më productive e komerciale në botë, dhe shoqërinë ekologjikisht më të qëndrueshme në Tokë. Plani quhet “Evropa Dixhitale”.

Vizioni i BE-së për një ekonomi të gjelbër dixhitale, tashmë është duke u përqafuar nga Kina dhe vende të tjera në zhvillim. Dixhitalizimi i Evropës përfshin shumë më tepër, sesa thjesht sigurimi i një rrjeti univerisal të internetit, Wi-Fi falas dhe një rrjedhje të madhe të të dhënave kryesore.

Ekonomia dixhitale do të revolucionarizojë çdo sector tregtar, ndërpresë punimet e pothuajse çdo industrie, duke sjellë me vete mundësi të papara e të reja ekonomike, ripunësuar miliona njerëz, demokratizuar jetën ekonomike dhe krijuar një shoqëri më të qëndrueshme dhe me një nivel të ulët karboni, për të zbutur ndryshimet klimatike.

Po aq e rëndësishme, kjo narrativë e re ekonomike, është duke u shoqëruar me një vetëdije të re mbi biosferën, teksa raca njerëzore po fillon ta perceptojnë Tokën, si komunitetin e saj të pandashëm. Secili prej nesh, po fillon marrë përgjegjësitë e veta si administratorë të ekosistemeve planetare, që mbështesin të gjithë jetën.

Për të kuptuar përmasat e ndryshimeve ekonomike që po ndodhin, ne duhet të kuptojmë forcat teknologjike, të cilat i kanë dhënë hov sistemeve të reja ekonomike përgjatë gjithë historisë. Çdo paradigmë e madhe ekonomike, kërkon tre elemente, kuj secila prej tyre ndërvepron me tjetrën, për t’i mundësuar sistemit të veprojë si një i tërë:teknologjitë e reja të komunikimit për të menaxhuar në mënyrë më efikase veprimtaritë ekonomike; burime të reja të energjisë, për një veprimtari ekonomike më efikase; dhe mënyra të reja transporti, për të zhvendosur në mënyrë të efektshme aktivitetin ekonomik.

Në shekullin e XIX-të, shtypshkronja që punonte falë forcës së avullit dhe telegrafi, qymyri i bollshëm dhe lokomotivat mbi sistemet hekurudhore kombëtare, i dhanë hopin e madh Revolucionit të Parë Industrial. Në shekullin e XX-të, centralizimi i energjisë elektrike, telefoni, radioja dhe televizioni, nafta e lirë dhe automjetet me djegie të brendshme në sistemet kombëtare të rrugëve, konverguan së bashku për të krijuar infrastrukturën e Revolucionit të Dytë Industrial.

Sot, Evropa po hedh bazat për Revolucionin e Tretë Industrial. Dixhitalizimi i komunimit, është në të njëjtën linje më dixhitalizimin e “Energjisë së rinovueshme të Internetit”, si dhe një rrjet të dixhitalizuar, dhe automatizuar “të Transportit dhe Logjistikës në Internet”, për të krijuar një super “Internet të Gjërave” të infrastrukturës.

Në epokën e “Internetit të Gjërave”, do të vendosen sensorë në çdo pajisje dhe aplikim, duke i lejuar ata që të komunikojnë me njëri tjetrin dhe përdoruesit e internetit, dhe siguruar në çast të dhënat mbi menaxhimin, fuqinë dhe ecurinë e aktivitetit ekonomik në një “Evropë Dixhitale”.

Aktualisht, miliarda sensorë i janë bashkangjitur flukseve të burimeve, magazinave, sistemeve rrugore, linjat të prodhimit në fabrika, rrjeteve të transmetimit të energjisë elektrike, zyrave, shtëpive, dyqaneve dhe automjeteve, që vazhdimisht monitorojnë statusin dhe performancën e tyre, dhe u japin të dhënat kryesore sistemeve qëndrore.

Deri në vitin 2030, është vlerësuar se do të ketë më shumë se 100 trilionë sensorë, që do të lidhin mjedisin njerëzor dhe atë natyror në një rrjet global inteligjent. Për herë të parë në histori, e gjithë raca njerëzore mund të bashkëpunojë direkt me njëri-tjetrin, duke e demokratizuar jetën ekonomike.

Dixhitalizimi i komunikimit, energjisë dhe transportit rrit ndërkohë rreziqet dhe sfidat, jo pak prej të cilave garantojnë rrjetin e neutralitetit, duke parandaluar krijimin e monopoleve të reja tek korporatat, mbrojtur privatësinë personale, garantuar sigurinë e të dhënave dhe e penguar krimin dhe terrorizmin kibernetik.

Komisioni Evropian, tashmë ka filluar t’i adresojë këto çështje, duke vendosur parimin e njohur se “privatësia, mbrojtja e të dhënave, dhe siguria e informacionit, janë kërkesat plotësuese për shërbimin e  Internetit të Gjërave”.

Në këtë ekonomi të zgjeruar dixhitale, ndërmarrjet private të lidhura me ‘Internetin e Gjërave’ mund të përdorin Të Dhënat Kryesore dhe analizën, për të zhvilluar algoritme të cilat rrisin efikasitetin, produktivitetin, dhe në mënyrë dramatike ulin koston marxhinale për prodhimin dhe shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve, duke i bërë bizneset evropiane më konkurruese në një treg global post-karbonit. (Kostoja margjinale, është kostoja e prodhimit të një njësie shtesë të një malli apo shërbimi, pasi janë përcaktuar më herët shpenzimet fikse.)

Kostoja marxhinale e disa mallrave dhe shërbimeve në një “Evropë Dixhitale” do të jetë pranë zeros, duke lejuar kësisoj miliona përdorues të “Internetit të Gjërave”, të prodhojnë dhe shkëmbejnë gjëra me njëri-tjetrin gati falas, në kushtet e një ekonomie në rritje të shkëmbimeve.

Tashmë, një brez dixhital po prodhon dhe shpërndan muzikë, video, blogje lajme, media sociale, libra elektronikë falas, kurse masive online dhe mallra të tjera virtuale, me një kosto marxhinale afër zeros. Ky fenomen e ka gjunjëzuar industrinë e muzikës, tronditur industrinë televizive, detyruar gazeta dhe revista të dalin nga ky biznes, si dhe ka gjymtuar tregun e librit.

Ndërsa shumë industri tradicionale vuajnë, fenomeni i zero kostove marxhinale i ka dhënë ndërkaq hov një valë të re sipërmarrjesh, duke përfshirë Google, Facebook, Twitter, YouTube, dhe mijëra kompani të tjera të internetit, që korrin fitime duke krijuar aplikacione të reja, dhe krijojnë rrjete që mundësojnë lulëzimin e mëtejshëm të kësaj lloj ekonomie.

Ekonomistët e pranojnë ndikimin e fuqishëm që ky fenomen ka pasur në industrinë e produkteve të informacionit. Por, deri kohët e fundit, ata patën argumentuar se përparimet e produktivitetit të ekonomisë dixhitale, nuk do të kalonin përtej kufijve të botës virtuale. Ato kufij tashmë janë shkelur.

Evoluimi i “Internetit të Gjërave”, do t’i mundësojë bizneseve konvencionale, si dhe milionave përdoruesve për të prodhuar dhe shpërndarë vetë energjinë e tyre të rinovueshme, duke përdorur makina elektrike që mund të karrikohen njëlloj si celularin në vend të karburantit, në shërbimet e automatizuara si dhe në prodhimin e prudukteve përmes formatit 3-D, dhe mallra të tjera me kosto shumë të ulët margjinale në Ekonominë e Tregut e të Këmbimit, njëlloj si veprohet aktualisht me produktet e informacionit.

Shënim: Jeremy Rifkin është autor i librit “Shoqëria e kostos marxhinale zero:Interneti i Gjërave, Bashkëpunimi i të Zakonshmëve  dhe Perëndimi i Kapitalizmit”. Rifkin është këshilltar në Bashkimin Evropian dhe i disa krerë shtetesh në mbarë botën, si dhe president i Fondacionit për Trendet Ekonomike në Uashington.

“Huffingtonpost.com” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button