Analiza

Rikthim në Berlin, 1989

Roger Cohen

Fall of the Berlin WallShkova për një shëtitje në Berlin. Gjethet e vjeshtës zverdhin pemët, me shtëpizat e drunjta të zogjve. Rrugët me më shumë hapësira se sa njerëz, që “përgënjeshtrojnë” atë epitet të cekët, kryeqyteti i Europës. Sapo isha ndarë me një mikun tim në Grunevald, i cili më tha se shtëpia e tij ishte ndërtuar në vitin 1930, nga një familje hebrenjsh, e cila ishte arratisur për në Brazil në vitin 1936. Një herë, ai i kishte treguar shtëpinë mbesës së pronarit të parë të saj, dhe më pas kish bërë të njëjtën gjë me pasardhësit e oficerit britanik që kish jetuar në këtë shtëpi pas vitit 1945. Jeta, siç e dinë mirë arkeologët, e rrëfen historinë e saj me shtresa; dhe askund më shumë se sa në këtë qytet. Një zonjë gjermane më tha se kur kishte hequr letrën e murit në apartamentin e saj kishte gjetur gazeta me tituj që festonin ditëlindjen e Fyhrerit në vitin 1937. Një epitet më i mirë do të ishte, Berlini, kryeqyteti i kujtesës.
Atëherë, si duhet kujtuar 25-vjetori i rënies së Murit të Berlinit – fundi i ndarjes së Gjermanisë, dhe Europës, dhe botës? Ka kaluar një gjysmë shekulli. Shekulli i përgjakshëm që kaloi është tërhequr dhe mbuluar nga mjegulla. Rënia e murit nuk ishte fundi i historisë, por agrimi i një historie të ndryshme.Ai nuk na futi në një epokë ku interesi i iluminuar vetiak do të qeveriste marrëdhëniet mes kombeve të bashkuar në demokraci liberale. Format e nacionalizmit nuk vdiqën aspak, përkundrazi, u rigjallëruan. Fanatizmi gjeti tokë pjellore në toka shkretëtirash. Rusia u ringrit duke hungërirë. Megjithatë, sigurisht kjo ishte, sipas fjalëve të Volfgang Schauble, ministër i jashtëm i Gjermanisë, “momenti më fatlum në historinë tonë”, një ritakim pothuajse i paimagjinueshëm i Gjermanisë me vetveten. Për miliona banorë të Europës qendrore dhe lindore, ishte edhe momenti i  çlirimit nga morsa sovjetike.
Gjermania tani gumëzhin si këta tramvaje qytetesh. Bashkimit iu desh një brez i tërë, ai ishte i vështirë, por ndodhi. Në një epokë përshtatjesh politike minutë-pas-minute, ky vend na kujton se është mirë të vendosësh objektiva afatgjatë dhe t’u përmbahesh atyre. Procesin e ndihmoi federalizmi. Po kështu edhe premtimi i Kushtetutës për “Lebensverhaeltnisse” (kushte jetese) të barabarta për të gjithë gjermanët. Këtu të pasurit janë pasuruar më shumë, ashtu si kudo, por me më pak turp. Socialdemokracia nuk është një ide boshe në një komb, eksperienca e të cilit me mëkatin i ka dhënë një leksion të pashlyeshëm për rreziqet e frakturës sociale.
Jashtë Gjermanisë, historia europiane është më pak e lumtur. Pas një çerek shekulli, pyetjet e ngritura nga bashkimi i Gjermanisë dhe një Europë tashmë një e tërë nuk kanë gjetur përgjigje. Greqia është me xhepat bosh, Franca e zhytur në zymtësi, Bashkimi Europian ka ngecur. Gjermania dominon Europën, një rol i cili nuk i pëlqen edhe pse nuk është imune nga emocionet e herëpashershëm. Me këtë dominim, janë rikthyer tundimet e vjetër intelektualë: ideja e të qënurit një fuqi e madhe, e barazlarguar nga Rusia dhe SHBA.
Aderimi i Gjermanisë në Union dhe NATO është ende i padiskutueshëm. Por lufta e vogël e Rusisë në Ukrainë dhe aneksimi prej saj i Krimesë ka zbuluar simpatizues të Putinit në të majtë e në të djathtë, të nxitur edhe prej ndjenjave antiamerikane.
Ashtu sikurse ukrainasit, sipas fjalëve të Joschka Fischerit, një ish ministër i Jashtëm, “vdisnin të ishin pjesë e Europës”, Europa ka rezultuar e padenjë për sakrificën e tyre, për shkak të varësisë energjetike nga Rusia. Ajo që ukrainasit duan sot nuk ndryshon nga ajo që gjermano-lindorët dhe polakët kërkonin në 1989-ën.
Kujtimet venë e vijnë pa ndonjë drejtim të caktuar, si gjethet e vjeshtës që bien përgjatë Hohenzollerndamm. Unë erdha në vitin 1998 në një Berlin ende jo të rilindur si kryeqytet i Gjermanisë, ende i ndarë në mentalitet. Vitin tjetër, në përvjetorin e dhjetë, bisedova me Harald Jaegerin, rojen kufitare që hapi portën duke i dhënë kështu fund ndarjes së Europës, në 9 nëntor 1989. E pyeta se si ishte ndier: “Djersët më rridhnin çurk në qafë dhe këmbët më dridheshin. E dija çfarë kisha bërë. Isha menjëherë i vetëdijshëm. Kaq e pat, mendova, Gjermania Lindore mori fund”.
Nuk do të kish marrë fund pa vendosmërinë e Amerikës dhe aleatëve të saj. Mbështetja e palëkundur e Amerikës për bashkimin e Gjermanisë, dhe madhështia diplomatike e James Bakerit, në atë kohë Sekretar Shteti i SHBA, e shndërruan një të çarë të murit, në një rend të ri i cili çliroi gjysmën e Europës dhe u pranua nga Moska. Një diplomaci e tillë, plot forcë dhe kthjelltësi nevojitet shumë sot, nga Ukraina në Irak. Një brez i ri po mëson se të qëndrosh mbi ujë dhe të shpresosh për më të mirën nuk mjafton. Shpresa nuk është politikë. Bota është e rrezikshme. Aleancat kanë rëndësi, ashtu si angazhimet dhe vijat e kuqe.
Për nder të Bakerit, marrësi këtë vit i çmimit Kissinger në Akademinë Amerikane në Berlin, Hans-Dietrich Genscheri, ministri i Jashtëm i Gjermanisë në 1989, tregoi se ndërkohë që turmat iu vërsulën murit, ai i telefonoi Bakerit, që nga ministria e tij në Bonn. Operatorja telefonike arriti Sekretarin e Shtetit. Përpara se Genscheri të fillonte të fliste, ajo shpërtheu: “Z. Sekretar, Zoti e Bekoftë Amerikën!”
Vetëm berlinezi më i shkujdesur do të mund t’i harronte ndonjëherë këto fjalë. /NYT/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button