Analiza

Rikthim në socializëm

Screen Shot 2015-10-05 at 14.41.26

nga Ian Buruma

Gjëja më e spikatur në lidhje me Jeremy Corbynin, eksponenti i të majtës që shastisi establishmentin britanik duke marrë udhëheqjen e Partisë Laburiste, nuk është mungesa e patriotizmit, siç e akuzojnë. Do apo nuk do ai që të këndojë “God save the Queen” në aktivitete publike, kjo është një vogëlsi. Gjëja më e spikatur për të, është se sa reaksionar është lloji i majtizmit që ai përfaqëson.

Corbyni është një socialist i modës së vjetër, që do të donte të fundoste të pasurit dhe të rikthente transportin dhe shërbimet sërish nën kontrollin e shtetit. Retorika e tij për luftën e klasave, bën thirrje për një shkëputje totale nga social demokracia.

Social demokracia europiane e pasluftës ka qenë gjithmonë një kompromis me kapitalizmin. Ideologjia e krahut të majtë, sidomos në Britani, i detyrohej më shumë disa traditave kristiane (“më shumë Metodiste se sa Marksiste”), se sa çdo lloj dogme politike. Udhëheqës laburistë si Clement Attlee, i pari Kryeministër pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ishin kundër një ekonomie të tregut; ata donin vetëm që të rregullonin tregjet, në një mënyrë të tillë që mund t’u shërbente më mirë interesave të klasës punëtore.

Gjatë Luftës së Ftohtë, social demokracia ishte alternativa egalitare e Europës Perëndimore, ndaj komunizmit. Attlee, për shembull, ishte një antikomunist i paepur.

Kishte një përkushtim të pasinqertë në konferencat e Partisë Laburiste, ndaj simboleve të vjetër të socializmit. Udhëheqës partiakë këndonin Internacionalen me një nostalgji të shoqëruar me lotë. Dhe deri kur Tony Blairi i dha goditjen në vitin 1995, Pika 4 e kushtetutës së partisë premtonte ende “pronësi të përbashkët të mjeteve të prodhimit” si dhe “kontroll nga populli” të industrisë. (Corbyni mund të përpiqet ta rikthejë). Por kur vinte fjala tek qeverisja kombëtare, socialistët ideologjikë u lanë mënjanë, për t’i hapur rrugë më pragmatistëve.

Kur Tony Blairi, nën shembullin e mikut të tij amerikan, Bill Clinton, u bë Kryeministër duke promovuar “Rrugën e tretë”, socializmi u duk se kish vdekur dhe ishte varrosur. Clintoni dhe Blairi – të cilët erdhën në pushtet, pasi çifti tjetër i çuditshëm anglo-amerikan, Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan, kishin nisur të shqyenin cohën e social demokracisë – bënë kompromise, të cilët Attlee as nuk do i kishte ëndërruar.

Gjenialiteti i Clintonit dhe Blairit ishte se kishin kombinuar shqetësimin e sinqertë për të paprivilegjuarit, me një përkushtim të paturp ndaj “maçokëve të majmur” të Wall Streetit, Cityt-t të Londrës, si dhe disa vendeve të tjerë, më të errët. Blairi shkonte për pushime me Silvio Berlusconin, kryeministrin plutokrat të Italisë. Clintoni e përdorte të drejtën e faljes presidenciale, për të lejuar miqtë e pasur që t’i shpëtonin drejtësisë. Dhe pasi u larguan nga detyra, të dy ata vendosën menjëherë reputacionin e tyre, në shërbim të llogarive të tyre bankare.

Dikush mund të thotë se duke bërë kompromis të tepruar me kapitalizmin, udhëheqësit e rrugës së tretë kompromentuan vetveten. Kjo është një arsye përse, nën udhëheqjen e Corbynit, e majta radikale mundi të rikthehet dhe t’ua marrë më në fund pushtetin atyre që bënë kompromis. Veçanërisiht për shumë të rinj, Corbyni është njeriu i bindjeve që kishin pritur prej kohësh, zëri “origjinal” i popullit. Duke qenë se nuk kishin patur ndonjëherë ndonjë ideologji, social demokratët e të majtës së butë, kur u gjendën përballë një socialisti realë, përfunduan duke mos patur shumë për të thënë.

A mundet HIllary Clintoni të ndëshkohet njësoj, në përpjekjen e saj për të qenë kandidatja e Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të SHBA? A mundet e majta e qendrës, që ajo përfaqëson, të humbasë kontrollin e partisë?

Në sondazhet e fundit, kundërshtari i saj kryesor, Bernie Sanders, i cili me krenari e quan veten socialist, po i afrohet Clintonit – ndërkohë që në disa shtete është në avantazh. Ashtu si Corbyni, ai ka atë “aromën” e origjinalitetit – një politikan që thotë atë që mendon, ndryshe nga profesionistët e Uashingtonit, që flasin sipas një skenari.

Megjithatë, nuk ka një të majtë Demokratike, duke përfshirë edhe Sandersin, që të jetë aq radikale sa Corbyni dhe ndjekësit e tij. Krahasuar me Corbynin, Sandersi është një i moderuar. Më e rëndësishmja, ajo që një fraksion militantësh i bëri Partisë Laburiste, po i bëhet tani jo Demokratëve, por Republikanëve. Në të vërtetë, rebelët republikanë duken shumë më në ekstrem se sa Corbyni, dhe shumë më tepër se sa Sandersi.

Partia Republikane ka rrezikun e të rënit në duar të fanatikëve, të cilët e shohin kompromisin në qeverisje, si një lloj tradhëtie burracakësh. Detyrimi i John Boehnerit që të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Kongresit, për shkak se po tregohej shumë i butë, ishte një akt “lufte” i republikanëve, kundër partisë së tyre. Shumica e aspirantëve republikanë për president janë jo vetëm ekstremë, por edhe më reaksionarë se sa Corbyni.

Sloganët e tyre të preferuar – “Të rimarrim vendin tonë”, ose “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe” – bëjnë thirrje për një të kaluar kur as Marrëveshja e Re, as zgjerimi i të drejtave civile, nuk e shqetësonin paqen e të krishterëve të bardhë. Këta republikanë të ekstremit të djathtë, vlerësojnë gjithashtu “origjinalitetin” – në fakt e vlerësojnë mbi gjithçka tjetër (ndaj dhe ka joshje të madhe Donald Trumpi). Po kështu, edhe ata janë në një revoltë zemërimi kundër udhëheqësve të partisë, të cilët besohet se kanë bërë kompromis dhe kanë kompromentuar vetveten, thjeshtë duke u përpjekur të qeverisin.

Eshtë shumë herët për të parashikuar se kush do të fitojë kandidimin mes republikanëve. Eshtë e pagjasë, por e mundur, që një radikal si Ted Cruz, ose një amator me bindje të thella fetare, si neurokirurgu Ben Carson, të marrë partinë. Por marrja e udhëheqjes së një partie politike është gjithësesi më e lehtë se sa të zgjidhesh president. Po kështu, pak njerëz presin që Corbyni të fitojë një palë zgjedhje kombëtare në Britani; prandaj partia e tij parlamentare është në dëshpërim.

Kështu që Clintoni, pavarësisht fushatës së deritanishme pa shkëlqim, dhe pavarësisht një perceptimi popullor se është jo-origjinale, me siguri në fund do t’ia dalë. Ajo do të dalë mbi të gjitha jo sepse pikëpamjet e saj duken më bindëse se sa ato të politikanëve të Partisë Laburiste, por sepse kundërshtarët e saj duken shumë keq.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Back to Socialism / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button