Analiza

Rikthimi i Teorisë së “të Çmendurit”

Nga Nina L. Khrushcheva

MOSKË – Në vitin 1970, presidenti amerikan Richard Nixon udhëzoi Sekretarin e Shtetit, Henry Kissinger që t’i bindte udhëheqësit e vendeve armiqësore komuniste, se ai mund të jetë i çrregullt dhe të paqëndrueshëm mendërisht, veçanërisht kur ndodhet nën presion. Kissinger, praktikuesi i zgjuar i Realpolitikës, pa potencial të madh në këtë qasje, të cilën e zbatoi me lehtësi. Kështu lindi “teoria e të çmendurit” në diplomaci.

Nixon nuk ishte aspak i çmendur, edhe pse fakte që pinte shumë në kulmin e skandalit ëatergate detyroi Kissingerin dhe Sekretarin e Mbrojtjes, James Schlesinger që të krijonin një mënyrë, për të monitoruar kontrollin prej tij të kodeve bërthamore. Qëllimi i Nixonit në trumpetimin e natyrës së tij të çrregullt, ishte për të kallur frikë mes kundërshtarëve të huaj, se nëse e zemëronin, apo e stresopnin, kjo gjë do të shkaktonte një reagim joracional – edhe bërthamor – duke i shtyrë kështu ata, që të kontrollonin sjelljen e tyre.

Sot, me Donald Trump që udhëheq Shtetet e Bashkuara, doktrina e të çmendurit është kthyer më e fortë. Por, këtë herë, është më pak e qartë nëse është vetëm një akt, apo që Trump do të vendosë vërtetë, në mesin e një zemërimi, që të sulmojë, ndoshta dhe me armë bërthamore, kundërshtarët e tij.

Ekspozimi i parë i shëndetit mendor të Trumpit do të ishte fjalimi i tij i fundit në Ansamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që ngjante me tërsëllimën e marrë të Aerys Targaryen, “mbreti i çmendur” në serialin televiziv “Game of Thrones”. Duke ndryshuar pak thënien famëkeqe të Targaryen, “digjini të gjithë”, Trumpi kërcënoi se SHBA do të “shkatërojë totalisht” Korenë e Veriut, nëse ajo vazhdon të zhvillojë programin bërthamor.

Në po të njëjtin fjalim, Trump po ashtu hodhi poshtë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin. Ndërsa ai fliste, shefi i kabinetit të tij, gjenerali në pension John Kelly, i cili u emërua në korrik për të sjellë rend dhe një shkallë stabiliteti në Çmendinën e Shtëpisë së Bardhë të Trumpit, mund të shihej me duart në kokë, sikur të ishte në tronditje ose dëshpërim.

Shumicës së amerikanëve ndoshta nuk u bëjnë më përshtypje shfrimet e Trumpit, pasi kanë kaluar muaj të tërë me sulmet e tij të mbrëmshme në Tuiter kundër shtypit, kundërshtarëve të tij dhe republikanëve të tjerë, madje edhe vetë anëtarëve të kabinetit. Trumpi ka treguar se, kur provokohet ose fyhet, ai është e sigurt që do të kundërsulmojë.

Por, ndryshe nga shumë prej turfullimave të mëparshme të Trumpit, fjalimi i OKB-së u lexua nga një teleprompter, që do të thotë se ai ishte kntrolluar më herët. Ata që mendonin se “të rriturit” në administratën e Trumpit – Kelly, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare H.R. McMaster – do ta mbanin strategjinë e sigurisë amerikane brenda kufijve të arsyes, mund të kenë nevojë ta mendojnë përsëri.

Ndoshta pjesa më e çmendur e të gjithave është llogaritja e Trumpit, se djaloshi-mbret i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do të mund të sprapsej përballë kërcënimeve të tij. Pasi Presidenti Ronald Reagan e quajti Bashkimin Sovjetik një “perandori të së keqes” në vitin 1983, ai u këshillua që të mos përsëriste atë gjë, në interes të përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe. Duke njohur rëndësinë e një përmirësimi të tillë për zbutjen e kërcënimit bërthamor, Reagani ndoqi këshillën e këshilltarëve të tij. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Trumpin, i cili me siguri është paralajmëruar për rreziqet e lëshimit së fyerjeve si “Rocket Man”, kundër një Kimi brutal dhe të papërvojë.

Kur Nixon miratoi personazhin e tij “të çmendur”, ai në disa drejtime po ndiqte shembullin e Nikita Hrushovit, gjyshit im dhe kundërshtarit të Nixonit, gjatë qëndrimit të tij si zëvendëspresident i SHBA. Në të ashtuquajturin “debat i kuzhinës” të vitit 1959 – një nga momentet më të çuditshme të Luftës së Ftohtë – Nixon debatoi me Hrushovin në Moskë, mbi superioritetin e kapitalizmit ndaj socializmit.

Një vit më vonë, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Hrushovi bëri mjaft bujë. Udhëheqësi i ri revolucionar i Kubës, Fidel Castro siç e kishte zakon, po lëshonte duke bërtitur një seri kërcënimesh ekstravagante.”Uragani Nikita” shfrytëzoi çdo mundësi për të ndezur tenxheren diplomatike, duke fërshëllyer dhe përplasur grushtat – dhe madje, me sa thuhet edhe këpucët – mbi tavolinë.

Kishte dëshmi të bollshme që fuqitë perëndimore po përpiqeshin të godisnin Bashkimin Sovjetik. Një avion zbulimi U-2, të cilin Presidenti Duajt Eisenhouer kishte mohuar që ekzistonte, ishte rrëzuar në territor sovjetik. Për më tepër, SHBA-të kishin kërkuar që Bashkimi Sovjetik të respektonte Doktrinën Monroe, e cila e caktonte Amerikën Latine në sferën e interesit të Amerikës, por nuk ishte e gatshme të pranonte hegjemoninë sovjetike në Evropën Lindore. Dhe kishte hedhur poshtë një plan të iniciuar nga sovjetikët për çarmatim, përpjekja e parë zyrtare për një bashkëjetesë paqësore.

Perëndimi, mendonte Hrushovi, nuk e merrte seriozisht. Kjo është arsyeja pse ai u soll egërsisht në OKB. Ai u soll, gjë që e shpjegoi më vonë, siç do të bënin bolshevikët e hershëm: kur nuk pajtohesh me një kundërshtar, duhet ta thuash argumentin tënd me zë të lartë dhe të qartë – dhe t’i mbysësh me zhurmë.

Në vitin 1962, Hrushovi e shpuri këtë qasje një hap më tutje duke testuar presidentin e ri John F. Kennedy me një plan të çmendur për të instaluar raketa bërthamore në Kubë. Masa shkaktoi krizën e raketave kubane, kriza më e rrezikshme e Luftës së Ftohtë. Por JFK nuk u tërhoq, as nuk u përgjigj me kërcënim. Në vend të kësaj, ai injoroi me mjeshtëri kërcënimet e Hrushovit dhe në vend të kësaj, iu përgjigj një letre që e shfaqte kryeministrin sovjetik si një udhëheqës racional, që negocionte për barazi në çështjet botërore. Kjo përllogaritje e ftohtë i mundësoi JFK-së dhe Hrushovit që të zbusnin tensionet, duke shpëtuar botën nga konflikti bërthamor.

Bota tani duhet të shpresojë që Trump mund të fillojë të veprojë po aq ftohtë në vlerësimin e Kimit, si JFK me Hrushovin. Kimi i është përgjigjur fjalimit në OKB të Trumpit, duke e quajtur atë “të çrregulluar mendërisht” dhe një “dotard”. Ose aktrimi prej të çmenduri i Trumpit nuk po funksionon, ose Kimi ka më shumë të drejtë se sa ai – ose ne të tjerët – do të dëshironte.

Përgatitur dhe botuar nga bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Return of the Madman Theory

Leave a Reply

Back to top button