Psikologji

Rinia jonë? E pacipë. Nuk i respekton të moshuarit

Edhe pse si një fjali klishe tashmë, të gjithë biem dakord se rinia është e ardhmja e një vendi. Ata që sot janë të rinj, do të zëvendësojnë të tjerët që janë në postet drejtuese dhe do ta drejtojnë këtë vend. Kjo histori që do t’ju rrëfej më poshtë, nuk është historia e vetëm një rasti, por një histori me ngjarje tashmë të shndërruar në një rutinë.

Hipa në urban dhe pas një stacioni hipën një i moshuar me bastun. Prisja që dikush të çohej e t’i lironte vendin. Ai u drejtua për nga pjesa e pasme e urbanit për të gjetur një vend ku të ulej. Në atë pjesë thuajse gjithë vendet ishin të zëna nga të rinjtë. Askush nuk u çua, madje disa prej tyre, për të bërë sikur nuk po shikonin gjë, nxorrën celularët nga xhepi e po bënin sikur kishin punë. Punët iu shfaqën sapo ai i moshuar u drejtua nga pjesa ku ata ishin ulur. Çfarë pafytyrësie thashë me vete. Në atë moment urbani frenoi sepse një makinë parakaloi në mënyrë të papritur dhe e gjetur më pas në kthesë, frenoi në të njëjtën mënyrë po aq të papritur. I moshuari për pak sa nuk ra. Shkova menjëherë ta ndihmoja dhe isha bërë gati t’u bërtisja atyre të rinjve të pacipë e të paedukatë të çoheshin e ta linin atë të ulej. Një grua nga fundi i urbanit, e ulur në një vend me shpinë nga ne, u kthye dhe e habitur, u ngrit për t’ia lënë atij vendin e saj.

Si ju duket kjo ngjarje? Normale? Ndoshta po, sepse të rinjtë e sotëm e kanë marrë edukatën nga prindërit e tyre. Nëse je një prind, ndoshta s’e ke edukuar aq mirë fëmijën tënd. Nëse je një i ri, ndoshta ke bërë të njëjtën gjë në të njëjtën situatë. Epo kjo gjë nuk duhet të vazhdojë kështu. Nuk humbet gjë një i ri, nëse rri në këmbë për 10-15 minuta, ndërsa një i moshuar që me shumë mundësi ka probleme shëndetësore, e dëmton akoma më shumë shëndetin e tij.

Ky vend nuk mund të drejtohet nga të rinj egoistë e të paedukatë. Mjaft kemi të tillë në të gjitha institucionet drejtuese të vendit. Nuk kemi nevojë për të tjerë. Ne shpresojmë për një të ardhme më të mirë, por ajo nuk mund të arrihet nëse sot nuk dimë se si të sillemi. Rinia jonë duhet t’i thërrasë mendjes, sepse nuk do të mbetet përherë në stadin e rinisë. Koha fluturon e rolet do të ndryshojnë një ditë, ndaj të rinjtë e kushdo prej nesh, në çfarëdo lloj situate, duhet ta trajtojmë personin tjetër, njësoj siç do të donim të na trajtonin vetë të tjerët, nëse do të gjendeshim në të njëjtën situatë.

Leave a Reply

Back to top button