Analiza

Rizgjedhja e Cameronit: Sfidat për Mbretërinë e Bashkuar

Screen Shot 2015-05-15 at 10.43.59

Ka një skenar, ku Cameroni do të hynte në histori si Kryeministri i cili e shpërbëu Mbretërinë, braktisi BE-në dhe izoloi Anglinë

Olivier de France

Studjues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

Duke i sfiduar të gjitha sondazhet, David Cameroni u rizgjodh, duke marrë shumicën absolute në Dhomën e Ulet, me 331 vende. Si ta kuptojmë këtë fitore?

Ky është në fakt një skenar që askush nuk e priste. David Cameroni i fitoi zgjedhjet kryesisht në terrenin e ekonomisë, ai arriti t’i largohej efektit të krizës dhe të peshonte më shumë në efektin e kursimit, se sa në masat shtrënguese. Përtej vetë personalitetit të tij, i cili jo gjithmonë ngjall një tërheqje pakufi, britanikët kanë parë një udhëheqës të fortë, të besueshëm ekonomikisht, dhe që nuk ka ngurruar të marrë vendimet që i imponoheshin.

Megjithatë analiza e rezultateve të këtyre zgjedhjeve sapo ka filluar, sidomos për laburistët që do të duhet të bëjnë një refleksion të vërtetë, pasi ata nuk kanë fituar zgjedhje pa Tony Blairin, qysh prej vitit 1974.

A munden ata të fitojnë zgjedhjet pa kafshuar në qendër, në një vend të moderuar, që anon në qendrën e djathtë? Pyetje shtrohen gjithashtu dhe për institutet e sondazheve, të cilët e kanë lexuar keq votën konservatore. Ky skenar ka ndodhur tashmë shumë herë në të kaluarën, sidomos në vitin 1992, ku diferenca midis vlersimeve dhe votës konservatore kishte qenë pothuaj 10%. Deri në vigjilje të zgjedhjeve, një qeveri koalicioni e drejtuar nga laburistët dukej akoma skenari më i mundshëm.

 

David Cameron, gjatë fushatës së tij i premtoi zgjedhësve mbajtjen e një referendumi për qëndrimin ose jo të Mbretërisë së Bashkuar në gjirin e Bashkimit Evropian (BE). Ai dëshiron të negociojë me Brukselin një reformë të funksionimit të BE-së. Cila është ajo? Sipas jush, a ka një rrezik serioz të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja?

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian do të dukej krejtësisht e pakonceptueshme para katër vjetësh, që megjithatë ende e kujtojmë. Më 23 janar të vitit 2013, David Cameroni premtoi mbajtjen e një referendumi për qëndrimin apo jo të Mbretërisë së Bashkuar në BE, vendim që ai e mori në thelb për arsye politike të brëndshme. Vendimi kishte si qëllim që të përpiqej të ndalte rritjen e UKIP, që ushqehet kryesisht nga euroskepticizmi dhe nga krahu i djathtë i partisë së tij. Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të justifikojë këtë vendim “taktik”, që pavarësisht se diktoi një numër të temave të fushatës,   UKIP-i gjindet e margjinalizuar dhe fitoi vetëm një vend në Dhomën e Ulët.

Cameroni ka rigjetur një marzh manovre dhe do të mund të përdorë legjitimitetin që i japin atij këto rezultate. Megjithatë, pjesa më e madhe e saj është shumë e kufizuar, si ajo e kryeminitrit John Major në vitin 1992, i cili kishte provuar vështirësi të mëdha që të dilte nga ulluku i euroskepticizmit të partisë së tij.

Liberal demokratët, që u shembën, nuk do të kenë më influencën pozitive që ata kishin në koalicionin qysh prej vitit 2010 në marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në, dhe Cameroni do të provojë në mënyrë paradoksale më shumë vështirësi në marrëdhëniet e tij me krahun e djathtë të partisë.

Nga kjo pikëpamje, në negociatat e ardhshme, ai duhet të japë premtime të mjaftueshme të një vullneti të mirë, si krahut të djathtë të partisë së tij, ashtu dhe partnerëve të tij evropianë.

Ky është një ushtrim nga më delikatët. Nëqoftëse ai dëshiron të arrijë diçka në Evropë, do t’i duhet të tregojë më shumë takt, siç e ka treguar deri tani: të jetë konstruktiv, të mos kërcënojë, të dëgjojë dhe të dialogojë pa kërkuar shumë qysh në fillim. Por do të ishte kjo e mjaftueshme për krahun e djathtë të partisë së tij?

Ai nuk do të arrijë koncesione madhore, si kufizimi i lirisë së lëvizjes apo një ndryshim sinjifikativ i traktateve. Ai nuk ka asnjë oreks për ta bërë këtë në Evropë para zgjedhjeve që do të mbahen në Francë dhe në Gjermani në vitin 2017, pa folur për buxhetin evropian të fiksuar deri në vitin 2019. Ai do të mund të marrë reforma më të kufizuara, mbi shërbimet sociale për të ardhurit e rinj në Britani, për shëmbull, apo garancitë mbi tregun unik. Jean-Claude Juncker është shprehur i gatshëm për të punuar me Mbretërinë e Bashkuar. Të drejtuara mirë nga të dy palët, këto negociata mundet që për Evropën të jenë një shans dhe një rast për të reflektuar mbi funksionimin e saj, që ajo të bëhet më koherente dhe më pak burokratike.

 

Partia kombëtare skoceze (SNP, indipendetiste) është outsider-i i vërtetë i këtyre zgjedhjeve, duke marrë gjithsej 56 vende në 59, ndërkohë që zotëronte vetëm 6. Si të interpretojmë këtë sukses rrufe të SNP? Çfarë pasojash mund të ketë kjo fitore e madhe për Skocinë dhe dëshirën e saj për pavarësi?

Në fakt, Cameroni gjindet përballë një dileme. SNP përfitoi nga fushata e saj gjatë referendumit skocez vitin e kaluar, e cila shkaktoi një valë batice të vërtetë që partia ishte në gjendje të organizonte një debat thelbësor dhe një projekti të vërtetë të shoqërisë. Një nga karakteristikat e forta të këtij projekti është një angazhim më i thellë dhe më pozitiv me Bashkimin Evropian.

Skocia është shumë më progresiste dhe më pro-evropiane se pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar. Nëqoftëse Mbretëria e Bashkuar del nga BE-ja, çfarë lidhje ka Skocia? Do të gjindeshim në një situatë ku nëse Cameroni dëshiron të mbrojë unitetin e Mbretërisë së Bashkuar, siç pretendon ta bëjë atë, ai duhet të bëjë fushatë për mbajtjen e Mbretërisë së Bashkuar në BE. Por a mundet ai ta bëjë atë? Nëqoftëse ai nuk mundet, ky është një skenar që ai do të mbeste në histori si Kryeministri i cili e shpërbëu Mbretërinë, braktisi BE-në dhe izoloi Anglinë.

s.m./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button