Magazine

Rizgjimi i ndërgjegjes, tek “The Truman Show”. Dhe disa pyetje që të gjithë duhet t’ia bëjmë vetes

Personazhi kryesor në filmin The Truman Show, Truman, është një njeri që nuk ka patur asnjëherë mundësinë të vendosë asgjë në jetën e vet. Që në lindje është adoptuar nga programi televiziv ku është protagonist, dhe çdo zgjedhje e tija (fejesa, martesa, blerja e shtëpisë, puna…) nuk është marrë nga ai, por është udhëzuar nga drejtuesi i programit, që në këtë rast barazohet me një Zot.

Trumani jeton i lumtur dhe i pavetëdijshëm për gjithë këtë, në brendësi të asaj që është si një kupolë e ndërtuar për t’u dukur si qytet. Edhe kur ka dyshime, nuk është në gjendje që të dalë nga bota në të cilën është detyruar të jetojë, sepse dominohet nga frikërat dhe pasiguritë që i janë ngulitur qysh në fëmijëri (për shembull frika nga deti që lidhet me humbjen e të atit). Por vjen një moment, kur Trumani duhet t’u hapë rrugë dyshimeve të tij, sepse bota nuk është më si më parë.

Në të vërtetë, të gjithë ne jemi Truman. E vetmja mundësi që kemi për të qenë origjinalë është që ndërgjegja jonë të zgjohet, që ajo shkëndijë të shkrepë në ndonjë pjesë të Unit tonë. Dhe vetëm vullneti ynë mund të na lejojë që të kapërcejmë frikën e asaj që na pret.

Akti më i pastër i lirisë është që të MENDOSH

Truman Show na kujton se kur ndërgjegja jonë zgjohet, fitojmë energji dhe vendosmëri për të dalë nga zona e rehatisë dhe mjedisi ynë, të stimuluar prejt ndjesisë që duke u larguar do të jemi në gjendje të shohim gjërat më qartë. Për të pyetur më pas veten tonë: çfarë duam të bëjmë në jetë? A më mjaftojnë siguritë e mia? cila është gjëja që besoj vërtetë? Cila është e vërteta ime?

Përgjigjet “tona” duhet të kenë më shumë rëndësi se ato të të tjerëve, duke qenë se diktohen prej Unit tonë; janë përgjigjet e duhura, ato që bëhen për ne dhe për askënd tjetër. Eshtë e kollajtë të mendosh se nuk jemi të lirë, të rrethuar nga një mijë përgjegjësi, si familja, studimet, puna; por e vërteta është se akti i lirisë më i vërtetë është të mendosh. Jemi të lirë të imagjinojmë dhe mendojmë atë që duam, ashtu sikurse jemi të lirë të veprojmë si pasojë e kësaj. Vetë Trumanit i jepet shansi të njohë të vërtetën.

Kur zgjedhim të gjejmë strehë brenda sigurive tona, në hijen e asaj që na është mësuar, pengojmë Unin tonë që të ecë përpara. Ndërsa kur kapërcejmë frikën e të panjohurës dhe zotërojmë ndërgjegjen tonë, nisim një rrugëtim të përftimit të parimeve, vlerave dhe ideve që janë tonat, që janë të shëndetshme dhe origjinale. Duhet të kujtohemi se kapërcimi i limiteve tona mund të na bëjë të jemi më të lirë. Dhe për ta bërë duhet vetëm vetëdijësim dhe kurajo. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button