Psikologji

Rob Dial: “Një punë që e urren, është një humbje për jetën tënde”

Nëse ende nuk e di, të gjithë ne një ditë do të vdesim. Sot unë dua të të tregoj se si një punë që e urrejmë, është humbje e madhe për jetën tonë. Pasi ne kalojmë fëmijërinë dhe adoleshencën, përgjithësisht futemi në një punë rreth të 20-ave dhe tërhiqemi nga puna rreth moshës 65 vjeçare. Nëse jemi me fat, mund të arrijmë të jetojmë deri 80 vjeç. Po t’i bëjmë llogaritë e duhura, shumica e viteve të jetës sonë, do të shpenzohet në punë. Mirëpo, studime të ndryshme tregojnë të njëjtën gjë, se në Amerikë rreth 85% e njerëzve nuk e pëlqejnë punën që bëjnë. Në Kinë dhe Japoni, kjo shifër shkon në 94%. Pra, shumë njerëz e urrejnë atë që po bëjnë, por shpenzojnë pjesën më të madhe të jetës duke e bërë atë gjë.

Vërtet do ta kalosh pjesën më të madhe të jetës tënde në një punë që nuk e pëlqen? Vërtet do të tërhiqesh nga puna, kur të jesh 65 vjeç me mundësi më të pakta për të jetuar përtej asaj moshe? Mos qëndro në një punë që mezi e shtyn javën, thjesht për t’u kënaqur në fundjavë me pagesën që merr prej saj. Nëse nuk të pëlqen puna që po bën, hiq dorë prej saj. Gjej një mënyrë tjetër për të bërë para. Është shumë normale të zgjohesh nesër dhe ta rindërtosh jetën nga e para, duke u përpjekur të jesh personi që përherë ke dashur të jesh.

Nuk është asnjëherë vonë për të nisur nga e para. Ndoshta po mendon se kjo gjë që unë po them, nuk mund të realizohet sepse ti ke një familje për të ushqyer. Ke të drejtë, por çfarë do të bëjë fëmija yt, kur të rritet, nëse tashmë të sheh ty të bësh një punë që nuk të pëlqen? Do të bëjë të njëjtën gjë. A e do të njëjtën jetë edhe për ta? A nuk do të doje që fëmija yt të të shihte duke jetuar një jetë të plotësuar, duke bërë atë që të pëlqen? Sado lekë të bësh, të gjithë ne do të jemi pluhur një ditë. Për të gjitha këto arsye, unë dua të sfidosh veten dhe të mendohesh se çfarë duhet të bësh për të ndryshuar.

Nëse nuk je i lumtur me punën tënde, me qëllimet e tua, me arritjet e deritanishme, ndryshoje këtë situatë. Është çdo gjë në rregull, edhe nëse fiton më pak para duke bërë diçka që të pëlqen pa e ndjerë nevojën për të blerë një shtëpi më të madhe, apo një makinë të re, thjesht sepse komshiu yt e bleu një të tillë, Mos u frikëso nga paragjykimet e të tjerëve, për arsyen se nuk e ke atë titullin në punë që ke synuar përherë. Mos e jeto jetën për të arritur në një moshë dhe, kur të shohësh pas, të kesh ëndrra të parealizuara, mundësi të pashfrytëzuara dhe ditë të shpenzuara me punë që nuk të kanë pëlqyer. Mos jeto duke harruar të jetosh me të vërtetë, sepse jeta është shumë e shkurtër. Bëj diçka që e pëlqen dhe ji krenar/e për të. Kur mos të jesh duke punuar, shpenzoje atë kohë me njerëzit që do, sepse asnjë nga ne nuk ka lindur për të paguar faturat dhe për të vdekur. Ti ke lindur për të lulëzuar. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button