Analiza

Roma e Tretë

A ka një të ardhme në rrugëtimin ekumenik midis kishës së Françeskut dhe Patriarkatit Ortodoks të Moskës? Më shumë dyshime sesa qartësi

Roma e Trete

Qetësi, nënvizojnë observatorët e mprehtë të çështjeve vatikanase, kur demonstrohet entuziazëm për deklaratën e përbashkët të firmosur pak ditë më parë në mbretërinë e vëllezërve Castro nga Papa i Romës dhe Patriarku i Moskës. Françesku dhe Kirili, atje “si vëllezër”, ka thënë menjëherë Bergolio sapo është ulur në skrivani për firmën historike. Shumë më politik ka qenë ndërhyrja e shkurtër e Patriarkut, që ka nënvizuar se çfarë duhet të jetë në fushën e betejës së përbashkët për dy kishat, parasëgjithash shpëtimi i kristianizmit dhe lufta që do eliminimin e kristianëve nga tokat që ata i kanë banuar gjithmonë. Nga e premtja kubaneze do të mbesë përqafimi i sinqertë, teksti që ndodhet në kalk pas firmës së dyfishtë, nisja e një rrugëtimi dialogu në nivelet më të larta që urohet i frytshëm pas kohës mijëvjeçare të shkishërimeve dhe të luftërave vëllavrasëse me goditje prozelitizmi të vërtetë apo të supozuar.

Problemet e hapura që kanë masakruar kristianizmin prej 10 shekujsh mbesin të të gjitha mbi tryezë, siç edhe është e natyrshme të jetë. “Ndershmërisht, problemi i madh midis Romës dhe Moskës është se kjo e fundit nuk e koncepton afrimin me Romën, pasi nuk e ka eksperimentuar kurrë”, thotë At Andrij Çirnovski,  Chirovsky, protopresbiteran me mitër, themelues dhe Drejtor i parë i Institutit të Studimeve Orientale pranë Fakultetit të Teologjisë të Universitetit Sen Pol të Otavës në Kanada. “Kurse kisha e Kievit ishte në afërsi me Romën në shekullin e X-të dhe të XI-të. Mitropoliti Petro Akeroviç mori pjesë në Koncilin e I-të të Lionit në 1245. Pastaj Isidori, Mitropoliti “kampion” i unitetit në Koncilin e Firences të 1439, që pikërisht për këtë qëndrim të tij u burgos nga Cari i Moskës në 1448. Metropolia e Kievit mund ta rivendosë afrim të plotë e të dukshëm me Romën vetëm në 1596. Por edhe pas rivendosjes së hierarkisë ortodokse dhe të metropolisë ortodokse të Kievit në 1620 (në kundërvënie me Unionin e Brestit të 1596), populli shfaqi vlerësim për planet e atëhershme të mitropolitit të atëhershëm Petro Mohila, i cili në 1640 zhvilloi planet për një pajtim të ri me Romën”.

Çirovski shikon nga e kaluara, sikur të shfletonte një atlas historik me të gjitha ndeshjet e mirëevidentuara në faqet e tij: “Në çdo pjesë të Ukrainës e të Bjellorusisë të pushtuar nga Perandoria Cariste, kisha e bashkuar me Romën është shkatërruar sistematikisht dhe besimtarëve të tij të konvertuar me forcën e ortodoksisë ruse. Stalini ka ndjekur shembullin dhe bëri të njëjtën gjë në 1946, duke e bërë kishën greko – katolike ukrainase “trupën” fetare më të madhe në botë të ndaluar për gjysmëshekullin e ardhshëm, deri me 1 dhjetor të 1989, kur Mikhail Gorbaçovi takoi Gjon Palin e II-të dhe ndalimit i erdhi fundi. Kur ndodhi kjo, miliona kaolikë greko – ukrainas vendosën që famullitë e tyre do të ishin katolike, jo ortodokse, dhe kjo sepse ato kisha qenë dorëzuar me forcë Patriarkatit të Moskës nga Stalini”. Me pak fjalë, i qartë shqetësimi në Rusi: “Patriarkati reklamonte vlefshmërinë e pseudoSinodit të Leopolit të 1946 – në të cilin nuk mori pjesë asnjë peshkop kaolik ukrainas, duke qenë se të gjithë ishin arrestuar – dhe ribashkimin e Kievit me Moskën”. Prapa operacionit, shton bashkëbiseduesi ynë, “ishte policia sekrete sovjetike, në bashkëpunim me kishën ortodokse ruse”. Nga ana ukrainase, thekson Çirovski, disponueshmëria për një sqarim në këtë moment të trazuar ka ekzistuar gjithmonë: “Unë vetë, në emër të institutit tim, ftova Patriarkatin e Moskës për të punuar me ne në nivel akademik, në transparencë, për të studiuar atë që realisht ndodhi në 1946. Fatkeqësisht, apelet tona janë injoruar”.

Plagët e historisë vonojnë të mbyllen, ajo që ka ndodhur 4 shekuj më parë ka lënë gjurmë të pashlyeshme: “Në 1654, kozaku ukrainas, Hetmani Bohdan Khmelniçki nënshkroi një traktat me Moskovinë. Ukrainasit e konsiderojnë të gjithë si një aleancë ushtarake të përkohshme, por carët qenë me mendim të ndryshëm dhe e interpretuan paktin si nënshtrim të Ukrainës ndaj autoritetit të tyre. Moskovitët nisën të infiltrojnë në çdo aspekt të jetës ukrainase, deri sa të marrin kontrollin e kishës ortodokse vendase në shekullin e XVII-të. Afërsisht 200 vite më vonë, të gjithë peshkopët ortodoksë në Ukrainë qenë të etnisë ruse dhe institucionet e kushtuara arsimit u bënë instrumente për rusifikimin e popullsisë. Kur ra perandoria, shumë ukrainas shprehën dëshirën që të kishin një kishë autoqefale, por Moskë (dhe hierarkët e saj në territor) i bllokuan këto ide”, komenton Andrij Çirovski. Me pak fjalë, çështja ukrainase peshon në strategjinë drejt rivendosjes së plotë të raporteve midis Moskës dhe Rusisë, por – shpjegon Çirovski – “duhet të shikohet nga perspektiva më e gjerë e imperializmit rus (politik dhe ekleziast) e shprehur sot në ideologjinë e Russkiy mir, botës ruse)”, ashtu siç nuk mund të fshihet “ksenofobia e thellë, pse jo edhe frika, që Moska ka ndaj Romës dhe qytetërimit perëndimor në përgjithësi. Moska i frikësohet imperializmit konkurrent të papatit. Por pikëpyetja është nëse papati modern është vërtet imperialist apo nëse kisha ruse është e frikësuar nga diçka që nuk i korrespondon më realitetit. Problemi i madh i Rusisë së sotme, shton Drejtori i Institutit të Studimeve Orientale në Universitetin Sen Pol të Otavës, është se duket e paaftë që të konsiderojë ekzistencën e fqinjëve. I ndan vendet e tjera, popujt dhe kisha, duke i reduktuar në vasalë apo armiq”.

Por do të ishte e pasaktë të kufizohesh duke e përshkruar Kirilin si një lloj çambelani të Kremlinit, duke shpluhurosur mantrën e vjetër të aleancës së pavdekshme midis kishës dhe perandorisë, sikur të ishte një monolit në ruajtje të unicitetit rus. E shpjegonte mirë Dom Stefano Kaprio, Docent në Institutin Pontifik Lindor të Romës dhe ndër priftërinjtë e parë që ka hyrë në 1989 në Bashkimin Sovjetik në prag të shpërbërjes, kur nënvizonte “interpretimin e dyfishtë të nacionalizmit ortodoks: nga njëra anë është Patriarku që preferon t’i japë një ide më shpirtërore, që synon për një ortodoksi të prirur që të jetë fari shpirtëror i botës, nga tjetra ortodoksia militante e Putinit, më klasike”. Kirili, thoshte Kaprio, kur takimi kubanez nuk dihej ende nga publiku i gjerë, “ka një vizion modern, mëshon mbi mbrojtjen e vlerave tradicionale”.

Nëqoftëse është korrekte të nënvizohet mosdakordësia që ekziston në referim të krizës siriane – Patriarku ka mbështetur, duke dalë edhe në televizor, operacionin e Kremlinit në vendin e drejtuar nga Bashar al Assad – nuk mund të pranohet linja më e butë që Kirili ka avancuar lidhur me krizën ukrainase, “sidomos lidhur me aneksimin e Krimesë”, thekson fort Kaprio. Sigurisht, mund të bëhet më shumë, thotë Çirovski: “Do të ishte gjë e mirë sikur Patriarku i Moskës ta demonstronte pavarësinë e tij nga qeveria dhe ta dënonte pushtimin rus të Ukrainës apo të luste forcat ajrore të Kremlinit që të mos bombardonin kristianët në Siri e të vepronte konkretisht në asgjësimin e Shtetit Islamik dhe fushatën e tij në eliminimin e pranisë kristiane në Lindje të Mesme. Mund t’u thoshte peshkopëve të tij dhe klerëve të tij, vazhdon më tej ai, që të mos i glorifikonin banditët e drejtuar nga rusët aktivë në Donbas, duke i quajtur mbrojtës të ortodoksisë kundër Perëndimit dhe kundër qeverisë properëndimore të Kievit. Jam i sigurtë se do të ketë pak murmurima dhe ndonjë denoncim të fortë të pasaktësive dhe të paragjykimeve të ndodhura në 3 paragrafet e Deklaratës së Përbashkët që i referohen drejtpërsëdrejti Ukrainës. Besoj, vazhdon Çirovski, që reputacioni i Papa Françeskut dhe nideli i besimit tek ai pranë besimtarëve ukrainas të mos lëkunden. Gjithsesi, pas pak do të kalojë. Ndërkohë, askush nuk mund ta ndalë vitalitetin e kishës greko – katolike ukrainase”, që për sa u përket vokacioneve, nëqoftëse krahasohet me Perëndimin prej dekadash në krizë, ka numra rekord.

Që përqafimi vëllazëror midis Romës dhe Moskës ka pasur efektin e një grushti në stomak për komunitetin e dendur katolik vendor kuptohet duke shikuar nga Kievi. Arqipeshkëvi i madh i kryeqytetit, Hirësia e tij Sviatoslav Shevçuk, në një intervistë të dhënë në atdhe 2 ditë pas firmosjes së Deklaratës së Përbashkët, fliste për “dy botë paralele”, duke shtuar se nuk e dinte “nëse këto dy realiteti janë takuar gjatë këtij takimi, por sipas rregullave matematikore dy rrjete paralele nuk takohen kurrë”. Fjalë që kanë goditur edhe Papën, që gjatë konferencës së gjatë të zakonshme për shtyp në bordin e avionit që e kthente në Vatikan pas udhëtimit apostolik njëjavor në Meksikë ka folur për çështjen, duke u ndalur në veçanti mnë reagimin e Shevçukut në momentin historik: “Kur e kam lexuar, jam preokupuar pak. Sviatoslavi është një njeri për të cilin kam respekte, por edhe familjaritet, flasim me “ti” dhe për këtë arsye më është dukur pak e habitshme. E kam lexuar intervistën dhe do t’i them këtë: Shevçuk, deklarohu bir i kishës, në afrim me Peshkopin e Romës, më kishën; fol për Papën, për afërsinë e Papës, dhe për të, për fenë e tij, por edhe për fenë e popullit ortodoks. Në pjesën dogmatike asnjë vështirësi, është ortodoks në kuptimin e mirë të fjalës, domethënë doktrinës katolike. Pastaj, si në çdo intervistë, secili ka të drejtën që të thotë gjërat e tij dhe këtë nuk e ka bërë lidhur me takimin, pasi për takimin thotë: “Është një gjë e mirë dhe duhet të ecim përpara”. Ai ka idetë e tij personale që janë për të dialoguar dhe ka të drejtë që t’i ketë. Gjithçka që thotë ai është lidhur me dokumentin: ky është problemi”.

Është e qartë, komenton At Çirovski, që “Hirësia e tij Shevçuk e ka emfatizuar dimensionin shpirtëror të asaj që ka ndodhur në Havanë. Duke e njohur shumë mirë Papa Françeskun (për shkak të 4 viteve të kaluara si peshkop greko – katolik për Argjentinën), Sviatoslavi është ndalur lidhur me çështjen e dialogut. Françesku ia mbivendos takimin personal dokumenteve. Në mbledhjet e tij me konferencat episkopale të vendeve të ndryshme, zakonisht i injoron tekstet e përgatitura. I shpërndan dhe preferon të bashkëbisedojë me peshkopët, duke u treguar atyre mbështetjen e tij personale dhe duke i dëgjuar se çfarë kanë të thonë. Besoj se e njëjta gjë ka ndodhur në Havanë.

Kisha ortodokse kishte nevojë për një dokument dhe shprehje të caktuara të ndodhura në të mund të përdoren për qëllimet e saj. Edhe funksionarët e Këshillit Pontifik për Promovimin e Unitetit të Kristianëve donin një dokument, që të mund të nënvizonin kështu përparimet e siguruara në proces (vërtet të ngadalta) e pajtimit. Shevçuk ka shprehur gëzimin e tij për faktin që më së fundmi Patriarku i Moskës ka takuar Papën, pas dekadash të kaluara duke thënë se një takim i kësaj natyre ishte i pamundur për shkak të “uniatëve të tmerrshëm”. Takime të kësaj natyre janë të rëndësishëm, por tani duhet të bëhen një rutinë, siç janë midis Romës dhe Kostandinopojës. Nuk është sekret qe Arqipeshkëvi i Kievit, thotë bashkëbiseduesi ynë, do të kishte dashur të takohej me Kirilin, për t’i folur kokë më kokë. Ka shprehur shqetësimin e saj për faktin që edhe një herë akoma të dy “qendrat” kanë folur “për ne pa ne”. Besoj se do duhej të na ftonin. Mitropoliti Antonij Pakanik, eminenca gri e kishës ukraino – ortodokse ishte i pranishëm në Havanë dhe i është prezantuar Papës nga Patriarku Kiril si “njeriu ynë në Kiev””.

Është edhe për shkak të tensioneve të tilla që Çirovski nuk e ekzagjeron rëndësinë e Deklaratës së Përbashkët: “Nuk mendoj se dokumenti do të ketë pasoja të prekshme. Shpresohet se që të jetë vetëm takimi i parë midis Papës dhe Patriarkut të Moskës. Në të ardhmen e shoh Atin e Shenjtë t’i kërkojë Kirilit që t’i japë ndonjë provë të akuzave të pareshtura që Patriarkati u bën greko – katolikëve ukrainas. Ndoshta kjo kërkesë është bërë tashmë. Kur Kardinali Eduard Idris Kesidi në 1997 – qenë kohërat e negociatës për ta takuar Gjon Palin e II dhe Patriarkun Aleksej në një qytet europian, Budapest apo Vjenë – sfidoi kishën ortodokse ruse të paraqis provat e akuzave të bëra ndaj kishës tonë në fillimin e viteve Nëntëdhjetë, nuk arriti që të sigurojë asgjë”.

(nga Il Foglio)

Përgatiti

ARMIN TIRANA / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button