Analiza

Romanet që na ndihmojnë të mbijetojmë. Rrëfimi i një shkrimtareje pariziene

Dëshmia. Një mbrëmje si shumë të tjera, që transformohet në 11 shtatorin francez. Eshtë një shkrimtare banore e kryeqytetit, që rrëfen se si ka reaguar ndaj tmerrit. Mes takimeve, shkrimeve për gazeta dhe leximit të klasikëve: nga Rilke tek Zola, duke kaluar nga Brechti. Për të zbuluar se si, shkrimtarët e mëdhenj të të kaluarës, na mundësojnë të përballojmë të tashmen

Screen Shot 2015-11-20 at 7.02.11 PM

Nga Marie Da Rrieussecq

Të shkruajmë, si gjithmonë. Të dijmë për çfarë bëhet fjalë, por të shkruajmë, sa jemi gjallë. Dhe të lexojmë. Lexoja “A pas aveugles de par le monde”, romanin e Leib Rochman, kur më erdhi mesazhi i parë nga botuesi im, Jean Paul, i cili jeton pranë Place de la Republique. “Ndodhesha në Rue Oberkampf dhe të gjithë nisën të vrapojnë. U riktheva. Miqtë e tim biri, të strehuar tek ne, panë diçka të bjerë në Rue de la Fontaine au Roi. Edhe në një kafene, andej nga anët e Charonne”. I telefonova redaksisë së Charlie Hebdo, atje nuk kishte asgjë të çuditshme. NDeza radion dhe televizorin, kishte një ndeshje mes Francës dhe Gjermanisë, dhe, në ndërkohë, radio tha se Hollande ishte shoqëruar jashtë stadiumit.

Pjesën tjetër të mbrëmjes e kalova ashtu si ju që jeni të gjallë: duke lexuar mesazhe, ndjekur lajmet, duke u përpjekur të gjej domethënien e saktë të “gjendjes së jashtëzakonshme”, duke u përpjekur të qetësohem. Dëgjova për herë të parë “Eagles of Death Metal”, një grup muzikor që ka një sens të jashtëzakonshëm ironie. Po, e kalova mbrëmjen ashtu si ju të gjallët, me fqinjën e shtëpisë të bllokuar në anën tjetër të Parisit, e cila më pyeti nëse mund të ndërroja baby sitterin e saj, dhe disa miq që kishin dalë për shëtitje pranë bulevardit Voltaire, dhe kishin mbetur të bllokuar në brendësi të galerisë së arteve (“për fat të mirë ka pasta”, më shkruajti një parizien i pandreqshëm), ndërkohë që një tjetër, drejtor spitali, shkoi me nxitim në vendin e tij të punës. Parisi, qyteti im i bukur, qyteti im i plagosur. Kulla Eifel, fari i të cilës shndërrin në dritaret e mia, është fikur. Pastaj shkruajta një artikull për një gazetë suedeze. Dhe pastaj mora në dorë librat e mi të vjetër, nuk arrija të flija gjumë, dhe duke shfletuar, lexova këta reshta.

Apel i 14 nëntorit 1902, i Laurent Tailhade, për rekrutët e rinj: “Mos bëni me këtë uniformë të re, atë që nuk keni bërë si njerëz të lirë. Mbi të gjitha këtë: mos vrisni!”

Brecht: “Nuk jam i padrejtë, por as i fuqishëm. Sot më treguan botën e tyre, dhe unë pash vetëm gishtin e tyre të përgjakur”.

Zola, “Fati i Rougon”: “Dyert ishin mbyllur zyrtarisht, në mes të ditës. Kjo masë, e marrë për të siguruar popullatën, në fakt e rriti frikën. Dhe nuk pati asgjë më të çuditshme në atë qytet, se sa që, në mes të ditës, të dëgjoje shulat që mbyllnin dyert”.

Dhe në fund, Rilke, në një letër drejtuar Lou Andreas-Salome: “E dashur Lou, kur ti shfaqesh, siç ndodh ndonjëherë në ëndrrat e mia, ajo ëndërr dhe jehona e saj të nesërmen janë më reale se realiteti, janë fakte konkretë, janë bota që më rrethon. Tre netët e fundit i kam kaluar kështu: pranë teje që më jep prehje, durim, qetësi”.

* Ky artikull është botuar në “Charlie Hebdo”. Marie Da Rrieussecq është autore e disa romaneve

(Për analizat dhe komentet më të fundit mbi ngjarjet ndërkombëtare, vizitoni www.bota.al)

Leave a Reply

Back to top button