Analiza

Rrëfehet e mbijetuara: Ja pse ma kursyen jetën

rrefehet

Njëra nga të mbijetuarat e sulmit terrorist në satiriken franceze “Charlie Hebdo”, Sigolène Vinson, ka treguar se si është shpëtuar nga vrasja. Ajo thotë se ka qenë në kuzhinë duke përgatitur një kafe, kur dy vëllezërit Kouachi kishin hyrë brenda në redaksi. “I dëgjova dy krisma, të gjithëve na e mori mendja se çfarë mund të ishte”, ka thënë Vinson, për Le Monde.
“Dëgjova të thoshin ‘Mos lëvizni’ dhe u hodha në tokë”, thotë Vinson, duke shtuar se është zvarritur për të arritur në njërën nga zyrat në redaksi, kur ka dëgjuar njërin nga terroristët duke thënë “Allahu Akbar… ku është Charb?”
“Dëgjova të shtëna, por nuk e ktheva kokën, sepse nuk doja të shihja vdekjen me sy dhe isha e sigurt se do të vdisja”, tha ajo. Vinson i ishte bashkuar pjesës tjetër të stafit që gjendeshin në një zyrë tjetër ku dëgjohej gjithçka por nuk mund të shihnin asgjë.
“Ata nuk gjuanin pa kontroll. Të shtënat shkonin njëra pas tjetrës. Ngadalë. Nuk u dëgjua asnjë britmë. Me siguri të gjithë i kanë zënë në befasi”. Vinson pohon të ketë dëgjuar hapa dhe më shumë të shtëna, kur njëri nga terroristët i cili më vonë ishte identifikuar si Said Kouachi, kishte hyrë në zyrë dhe e kishte marrë në shenjë.
“E shikova në sy. Kishte sy të mëdhenj, të errët. M’u duk sikur po e kërkonte emrin tim”, ka thënë Vinson.
“Mos u frikëso’, më tha. ‘Qetësohu. Nuk do të të vras. Ti je femër, e ne nuk vrasim femra. Por, mendo se çfarë po bën. Ajo që po bëni është e keqe. Po të kursej dhe, pasi që të kurseva ti do ta lexosh Kur’anin’”, rrëfen Vinson.
“E tunda kokën, që të mund të krijoja një lloj kontakti. Nuk doja ta humbisja kontaktin me sy, sepse e dija që njëri nga redaktorët, Jean-Luc, ishte nën tavolinë… isha e sigurt që nëse ai nuk vret femra, patjetër se do të vriste meshkuj”.
Ajo thotë se Said Kouachi, u kthye në zyrën e redaktorëve, ku vëllai i tij Cherif e kishte vrarë Elsa Cayat’in dhe kishte bërtitur tri herë ”Ne nuk vrasim femra”. Pastaj kishin dalë.
Vinson e përshkroi skenën e tmerrshme në zyrën tjetër. Asaj i është dashur të kalonte mbi trupat e kolegëve të saj për ta marrë telefonin në xhepin e palltos në mënyrë që ta thërriste ambulancën. “Ejani shpejt në Charlie. Të gjithë janë të vdekur… të gjithë”, i kishte thënë shërbimit emergjent në telefon./Express

Leave a Reply

Back to top button