Analiza

Rrëmbimi i europianëve, biznesi i ri i al Kaedës

Rrwmbimi i europianwve, biznesi i ri i al KaedwsValixhe të mbushura me para janë paguar nga qeveritë perëndimore për lirimin e turistëve të tyre të rrëmbyer dhe burgosur. Kjo është forma e financimit që mbulon tashmë të paktën gjysmën e shpenzimeve të terrorizmit islamik nën flamurin e al Kaedës. Një biznes i lulëzuar dhe që vazhdon të rritet, i cili gjatë gjashtë viteve të fundit ka gjeneruar 125 milionë dollarë fitime për organizatën kriminale, po të merren parasysh shifrat e deklaruara prej të rrëmbyerve apo ndërmjetësve në lirimin e tyre. Një investigim i kryer nga Neë York Times, me intervista të dhjetëra viktimave të rrëmbimeve tregon se si kjo industri është zhvilluar në mënyrë pothuajse rastësore gjatë dhjetë viteve të fundit, por edhe se si është rafinuar në mënyrë progresive me një sistem komunikimi gjithnjë e më vertikal, që të çon në tre qendrat operative të lëvizjes: në Maghrebin saharian, në gadishullin arab dhe në Jemen, si edhe në Somali, ku mbizotëron Shababi.
Rindërtimi
Përfaqësuesit e qeverive të interesuara zyrtarisht mohojnë që lirimi i turistëve bëhet në vijim të pagesave të parave. Marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare të lidhura mes vendeve perëndimorë kanë theksuar angazhimin reciprok për t’i rezistuar shantazheve. Por në praktikë, sipas gazetarëve të të përditshmes njujorkeze, vetëm SHBA dhe Britania e Madhe e refuzojnë në mënyrë taksative tratativën, ose e bëjnë me pasoja të dukshme. Nga njëra anë numri i turistëve amerikanë dhe anglezë të rrëmbyer zë një përqindje shumë të vogël të totalit; nga ana tjetër, rrëmbimi i nënshtetasve të këtyre dy vendeve shpesh herë është i barabartë me dënimin me vdekje: lirimi i tyre bëhet përmes arrative fatlume apo aventureske, dhe pothuajse asnjëherë përmes ndërmjetësimit diplomatik. Pagesa, për shtetet që pranojnë të negociojnë, merr formën e ndihmave humanitare, të dorëzuara edhe në para të thata tek banditët prej të dërguarve diplomatikë.
Kontribuesit
Në listën e qeverive të gatshme për të bërë tratativa, Franca është shënjestra e preferuar dhe kontribuesi i parë me 58 milionë dollarë në gjashtë vitet e fundit, e ndjekur nga Emiratet Arabe, Zvicra, Spanja dhe Australia. Për Italinë, e përditshmja nuk jep një shifër zyrtare, por rrëfen rastin e rrëmbimit në vitin 2011 të Mariasandra Marianit, e cila u rrëmbye në jug të Algjerisë, dhe u lirua 14 muaj më vonë. U dyshua se pagesa për lirimin e saj kapi shumën 3 milionë euro.
Ndryshimi
Në fillim, rrëmbimet dalloheshin prej profesionalizmit të ulët të bandave të vogla që vepronin në shkretëtirë pa pika referimi, dhe pa furnizime me benzinë, shpesh herë të detyruar të lëviznin në këmbë në distanca të gjata. Zhdukja e dy turistëve kanadezë në 2008 në Mali u kompensua me pagesën e më shumë se 1 milionë dollarëve. Sot mesatarja është rritur në dhjetë milionë dollarë për një të burgosur, teksa dhjetë përqind i mban ai që kryen ndërmjetësimin: qeveria e Malit apo shoqata humanitare shpesh herë misterioze.
Teknologjia
Ndërkohë, rrëmbyesit janë organizuar, mbi të gjitha nga pikëpamja teknologjike: zotërojnë GPS dhe celularë, ose komunikojnë direkt me krerët e organizatave, të cilët ndjekin operacionet deri në detaje dhe arkëtojnë pjesën më të madhe të shumës. “Falë Allahut, një pjesë e madhe e kostove të betejave tona, në mos e gjithë kostoja, paguhet prej arkave të armiqve tanë – ka shkruajtur Nasser al Vuhayshi, ish sekretar i bin Ladenit dhe aktualisht komandant i al Kaedës në gadishullin arab. Të paktën gjysma e fondeve vjen prej rrëmbimeve”. /Messaggero/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button