Analiza

Rrënjët e Europës. “Dialogu” me lashtesine dhe projektimi drejt te ardhmes

JACQUES LE GOFF

Le radiciLashtësia, e cila përmbledh botën greke, botën romake dhe perandorinë romake, ka qenë dikur embrioni dhe themeli i Europës: për shumë shekuj, në një pjesë të madhe të saj, gjuha e kulturës ka qenë latinishtja, me termat dhe të folurën e saj. Jemi pasardhës të botës antike edhe në rrafshin intelektual dhe politik, duke qenë se kemi përvetësuar demokracinë, e lindur në Greqi dhe që pas revolucionit francez, u bë forma ideale e qeverisjes, modeli politik që do të përhapej në të gjithë Europën dhe që kjo do ta promovonte në të gjithë botën. Të gjithë popujt europianë i kanë rrënjët tek lashtësia, ose për arsye se i përkisnin hapësirës europiane për nga territori, ose për arsye se pësonin ndikimin e saj, duke u inkorporuar në brendësi të saj gjatë Mesjetës.

Në cilindo shtet europian (me përjashtim të Europës Lindore, që në Mesjetë ishte pjesë e perandorisë bizantine dhe fliste greqisht), latinishtja u afirmua si gjuha kryesore që flitej dhe shkruhej nga klasat e kulturuara. Historinë e bëjnë epokat e njëpasnjëshme, dhe kjo është e vërtetë për Europën. Cdo epokë përfaqëson një pasurim, dhe në të njëjtën kohë një nxitim përpara: në fakt, fillohet nga epoka greko-romake, për të kaluar më pas tek ajo mesjetare, e Rilindjes, Gjashtëqinda, epoka e Iluminimit, ajo romantike, periudha e realizmit dhe gjatë shekullit XX, epoka e ndërkombëtarizimit, e cila fatkeqësisht u shenjua prej luftërave, gjatë të cilave edhe fatet e botës vendoseshin në Europë.

Që atëherë, misioni i Europës është ai i të paturit një rol të spikatur dhe një funksion udhëheqës, në brendësi të një bote tashmë të globalizuar. Identiteti i Europës konsiston në marrjen përsipër të trashëgimisë që kanë lënë epokat e ndryshme, ndonëse mbeten në tryezë disa cështje shumë delikate. Për shembull, nuk ka asnjë dyshim që krishtërimi ka luajtur një rol themelor në formimin e Europës, por në të njëjtën kohë është e mundur të kujtohet një Europë laike që, ndonëse nuk e mohon prirjen kristiane, ka marrë distancë ndaj saj. Janë të shumtë dhe të ndryshëm momentet e spikatur që kanë bërë Europën: mes tyre, është Europa e katedraleve, e Skolastikës dhe universiteteve, Europa e kështjellave, e fronëve dhe e monarkive, Europa e Enciklopedive dhe Iluministëve që shkonte nga Parisi, deri në Napoli dhe në Lisbonë dhe që shtrihej madje deri në Shën Petërsburg.

Kush është ai që, kur ndodhet përbalë një katedraleje, nuk ndien një lloj krenarie, duke njohur një formë arti dhe një ndjeshmëri tipike europiane? Kush është ai që, tek kalon urën mbi lumin Ren, midis Strasburgut dhe Kehlit, nuk e ndien që po përshkon një tokë të munduar prej pushtimeve dhe konflikteve, që sot, më në fund, është bërë simbol i një Europe të pajtuar?

Identiteti europian qëndron në pohimin e trashëgimive që vijnë prej epokave të ndryshme që e kanë shenjuar, mbi të gjitha ajo e lashtë. Sot, nuk është e mundur të jemi europianë pa patur një dialog me Antikitetin, pa ndjerë thirrjen e tij. Mes trashëgimive më të rëndësishme, një rol të dorës së parë ka luajtur pa asnjë dyshim shkolla, e cila në forma të ndryshme, është zhvilluar deri më sot dhe është sërish një pikë e fortë e Europës. Kontributi i dytë që ka dhënë Antikiteti është ai i teknikave të projektimit dhe ndërtimit të rrugëve, që të krijuara për motive në thelb ushtarakë, i kanë mundësuar Europës të ushtrojë një farë supremacie. Rrugët u bënë mjete komunikimi që, për shkak të përhapjes dhe eficencës, i mundësuan Europës që të imponohet si një sistem i integruar dhe me të vërtetë i mrekullueshëm. Nga ana tjetër, të gjithë europianët e kanë bazuar veprimtarinë dhe influencën e tyre mbi aftësinë e ruajtjes së kujtesës. Kjo detyrë, sic dihet, që nga shekujt IV dhe V i ka takuar kryesisht Kishës, e cila u shndërrua në një monument thelbësor, i pranishëm në cdo qendër të banuar të Europës: përvec funksionit të saj fetar, ajo ka mbuluar dhe një rol social, duke favorizuar takime dhe shkëmbime, dhe ka bërë të mundur transmetimin e kujtesës. Pesha e një të kaluare kaq lartësuese përbën për Europën një trampolinë drejt të ardhmes: duket sikur dëshiron të hedhë rrënjë dhe të projektohet në të ardhmen. Monumentet do të qëndrojnë në këmbë edhe për shumë kohë, pikërisht për të mundësuar transmetimin e kujtesës.

  • JACQUES LE GOFF – Historian i madh francez. Studiues sidomos i periudhës së Mesjetës dhe i fenomeneve socialë. I lindur në 1924, Jacques Le Goff kishte studiuar në Paris, Pragë dhe Oksford. Ndërroi jetë 3 ditë më parë në Paris

Leave a Reply

Back to top button