Ekonomi

Rreziku i deflacionit përhapet në të gjithë BE-në

rreziku i deflacionitCmimet e konsumit në 28 shtetet anëtarë të Bashkimit Europian u rritën në ritmin më të ulët në 4 vite e gjysmë, për periudhën e 12 muajve të fundit, duke treguar që rënia e normës së inflacionit përbën problem për ekonomitë në të gjithë kontinentin, dhe jo vetëm ato që përdorin Euron.

Agjencia e statistikave e BE bëri të ditur të mërkurën se cmimet e konsumit në 18 vendet që përdorin monedhën e përbashkët ishin 0.9% më të lartë se në shkurt, dhe 0.5% më të lartë se në mars 2013. Ky ishte një konfirmim i vlerësimeve paraprakë të nxjerrë në fund të muajit që kaloi, dhe përbën normën më të ulët të inflacionit që nga nëntori 2009.

Eurostat bëri të ditur se inflacioni – dhe këtu lihen jashtë mallra të luhatshëm si energjia dhe ushqimi – ra në 0.7% nga 1.0 % që ishte në shkurt, duke barazuar nivelin më të ulët të arritur në dhjetor 2013.

Eurostat bëri të ditur gjithashtu se norma e inflacioni në BE në tërësi – pra duke përfshirë edhe 10 shtete që nuk e përdorin Euron – ra në 0.6%, nga 0.8% që ishte në shkurt, niveli më i ulët ky që nga nëntori 2009.

Të dhënat e Eurostatit tregojnë se 5 anëtarë të Eurozonës panë rënie të cmimeve në 12 muajt e fundit, ashtu sikurse dhe 3 anëtarë të BE që nuk përdorin Euron. Por edhe shtetet e tjerë nuk ishin shumë prapa, me katër anëtarë të eurozonës që rregjistruan një inflacion poshtë 0.5% ashtu sikurse dhe katër anëtarë të BE jashtë Euros. Nga të 28 anëtarët e Bashkimit Europian, vetëm njëri kishte një normë inflacioni mbi 1.5% – Mbretëria e Bashkuar, ku cmimet u rritën me 1.6% në 12 muajt e fundit.

Ngadalësimi i inflacionit është një bekim i përzierë. Ndërkohë që duhet të ndihmojë për të rritur të ardhurat reale në një kohë me rritje të dobët në paga, ky afron edhe hijet e deflacionit – një rritje e vazhdueshme në cmime që mund të shkaktojë dëme në përpjekjet publike dhe private për të shlyer borxhet dhe rrezikon të ndalë shpenzimet konsumatore.

Politikëbërësit në Bankën Qendrore Europiane kanë thënë vazhdimisht se nuk presin të shohin një periudhë me rënie cmimesh në eurozonën në tërësi. Ata hedhin poshtë krahasimet me Japoninë, që luftoi me deflacionin për dy dekada, duke thënë se Banka Qendrore Europiane ka vepruar më me vendosmëri se sa Japonia në vitet nëntëdhjetë, dhe se bankat europiane janë më të forta. Por ata kanë pranuar se norma shumë e ulët e inflacionit është shqetësuese, dhe në javët e fundit ata janë fokusuar në rolin që do të kishte vlerësimi i Euros në uljen e cmimeve dhe veprimtarisë së importit.

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi përsëriti të shtunën paralajmërimet e tij për një euro të fortë, duke thënë se një rritje emëtejshme në normën e këmbimit në kurriz të monedhave të tjera do të sillte si pasojë një lirim të mëtejshëm të politikës monetare, për të mos lejuar që inflacioni të bjerë shumë poshtë. “Forcimi i normës së këmbimit kërkon stimul të mëtejshëm monetar. Ky është një dimension i rëndësishëm i stabilitetit tonë të cmimeve”, tha Draghi në një konferencë për shtyp, gjatë takimeve të FMN-së.

Draghi deklaroi në fillim të këtij muaji se inflacioni në Mars ishte në një pikë të ulët, dhe parashikoi që norma e inflacionit do të rritej në prill, pasi Pashkët i rrisin cmimet për paketat e pushimeve dhe shërbimeve të tjerë.

Gjatë takimit të FMN-së, zyrtarët më të lartë të financës në botë përforcuan paralajmërimet për normat e ulëta të inflacionit, duke bërë thirrje për veprime për ndaljen e uljes së cmimeve, që rrezikojnë konsumin dhe frenojnë reduktimin e borxheve. Komiteti i politikave i FMN bëri të ditur se rritja e dobët e cmimeve është një prej faktorëve që ngadalësojnë rimëkëmbjen globale. (The wall street journal)

Leave a Reply

Back to top button