Analiza

Rreziku i vërtetë, në një botë me dy “të marrë”

Nga Ermal Gjinaj

Mund të jetë i vërtetë arsyetimi që qarkullon sot në qarqe të shumta diplomatike, se e gjithë kjo furtunë e ngritur në lidhje me Korenë e Veriut, është thjeshtë një lojë, ku steka është ngritur shumë lart, pikërisht sepse palët duan të marrin maksimumin. Se as Kim Jong-un, diktatori i Koresë së Veriut nuk është aq i çmendur sa hiqet, dhe as Donald Trumpi, pavarësisht fjalimeve me “shkatërrim total” në Kombet e Bashkuara, nuk është se ka ndërmend të shkojë në luftë. Edhe pse, goditjet dhe kundërgoditjet me deklarata që jemi duke dëgjuar në mënyrë pothuaj të përditshme, kanë shastisur botën mbarë dhe kanë bërë shumëkënd të mos dallojë më se kush është më i marrë, e kush e do më pak luftën.

Problemi i vërtetë në këtë situatë ku tensioni ka arritur kulmin – dhe ku përditë, mediat më të mëdha ndërkombëtare, kanë filluar të botojnë nga një speciale të tipit “Ç’ndodh nëse fillon lufta”, apo “Ku të fshiheni…” – është se kemi dy palë që bëjnë sikur (ose janë vërtetë) janë joracionale, për të trembur njëra-tjetrën, dhe na mungon një palë e tretë, që të shërbejë si “i urti që i thërret arsyes”, apo që frenon impulset e tyre luftëdashëse.

Tensione të ngjashme mes shteteve perëndimore – kryesisht Amerikës, dhe të ashtuquajturave shtete “batakçinj”, ka patur gjithmonë. Kujtoni retorikën e ashpër të George Bushit, në kohën kur përgatitej të sulmonte Irakun, dhe përmes Sekretarit të tij të Përgjithshëm, përpiqej të bindte shtetet anëtare të OKB-së se Sadam Huseini duhej goditur. Ajo që ndryshon, është se edhe në mesin e Perëndimorëve, ka patur zëra të fuqishëm, që kanë shërbyer si “këmba mbi pedalin e frenimit”. Zhak Shiraku dhe Franca e tij, u shndërruan në ata vite, në kundërpeshën kryesore ndaj një Amerike, e cila dukej e vendosur për të shkuar në luftë, edhe sepse kujtimi i sulmeve terroriste të 11 shtatorit ishte ende i fortë. Natyrisht, SHBA shkoi në luftë, konflikti ndodhi, pasojat sot dihen, por ama, në atë kohë Evropa kishte zëra të fortë që shpreheshin qartë. Qoftë për të mbështetur Amerikën, si Britania e Madhe e Toni Blerit, qoftë për të kundërshtuar, si Franca e Zhak Shirakut.

Sot, Angela Merkeli është e fokusuar vetëm tek zgjedhjet e përgjithshme, dhe një rezultat pas të cilit as ajo vetë nuk e di se kur do të arrijë ta krijojë koalicionin qeverisës. Macroni është ende i dehur nga suksesi i paparashikuar në zgjedhjet e përgjithshme, dhe është i fokusuar vetëm tek premtimi i tij i ndërtimit të një Evrope të paskrizës. Të tjerët nuk ndihen. Kështu që, Donald Trump e ka të shtruar rrugën për shfrimet e tij, që fillojnë në Twitter dhe përfundojnë në sallën e madhe të Ansamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Të vetmit aktorë që mund të veprojnë si kundërpeshë, janë “armiqtë” tradicionalë të Amerikës, Kina dhe Rusia. Eshtë e pabesueshme që Vlaidmir Putini, njeriu që nisi një luftë mu në mes të Evropës – të parën që nga Lufta e Dytë Botërore – dhe që i rrëmbeu Ukrainës Krimenë, sot shfaqet me “rrobat” e një udhëheqësi të moderuar e të arsyeshëm, i cili u bën thirrje palëve për qetësi. Më e interesuara duket Kina, e vetmja që preket drejtpërdrejt prej një kolapsi të Koresë së Veriut dhe kaosit që do të mbretëronte në zonë, në rast të një konflikti të armatosur.

Eshtë një kohë kur njëri thotë “do të shkatërroj totalisht”, dhe tjetri përgjigjet se “do e përsosh siç nuk ta pret mendja”, kur e gjithë bota mban frymën, më e pasigurtë se kurrë ndonjëherë për atë që do të ndodhë, dhe kur, i vetmi zë që është shuar, është ai i fuqive evropiane. Për të ardhur keq, sepse mund të jetë e vërtetë që fati i miliarda njerëzve është në dorë të vetëm dy të marrëve… / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button