Ekonomi

Rreziku kapitalist ndaj kapitalizmit

Lynn Forester de Rothschild*

kapitalizmiEshtë e famshme thënia e Winston Churchillit se demokracia është forma më e keqe e kapitalizmit – përveç gjithë të tjerave që kemi provuar. Po të ishte gjallë sot, ai mund të mendonte të njëjtën gjë për kapitalizmin, si një mjet për progresin ekonomik dhe social.

Kapitalizmi e ka çuar ekonominë botërore drejt një begatie të paprecedentë. Megjithatë, në shumë drejtime të rëndësishëm, ai ka rezultuar edhe jofunksional. Shpesh herë inkurajon dritshkurtësinë, kontribuon për zgjerimin e pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve, dhe toleron trajtimin e pakujdesshëm të kapitalit mjedisor.

Nëse këto kosto nuk mund të kontrollohen, mbeshtetja për kapitalizmin mund të zhduket – dhe bashkë me të, shpresa më e madhe e njerëzimit për rritje dhe prosperitet. Kështu që, ka ardhur koha të konsiderohen modele të rinj të kapitalizmit, që po shfaqen përreth botës – sidomos kapitalizmi i ndërgjegjshëm, kapitalizmi moral dhe kapitalizmi gjithëpërfshirës.

Përpjekje të tilla për ripërcaktimin e kapitalizmit pranojnë se biznesi duhet të shohë përtej fitimit dhe humbjes, për të ruajtur mbështetjen publike për ekonominë e tregut. Të gjitha ndajnë supozimin që kompanitë duhet të jenë të vetëdijshme për rolin që kanë në shoqëri, dhe të punojnë për të garantuar që dobitë e rritjes ekonomike të ndahen sa më gjerësisht, si dhe të mos imponojnë kosto të papranueshme mjedisore dhe sociale.

Kështu siç është, pavarësisht rritjes kohët e fundit të tregjeve në zhvillim, ekonomia botërore është një vend i ekstremeve tronditës. 1.2 miliardë njerëzit më të varfër të planetit zënë vetëm 1% të konsumit global, ndërkohë që një miliardë më të pasurit zënë 72%. Sipas një studimi të kohëve të fundit, 85 njerëzit më të pasur në botë kanë akumuluar të njëjtën sasi pasurie sa 3.5 miliardët që janë në fund të listës. Një në tetë persona shkojnë në shtrat të uritur çdo natë, ndërkohë që 1.4 miliardë janë në mbipeshë.

Cdo sistem që prodhon teprime të tillë dhe përjashton kaq shumë njerëz rrezikon të hidhet poshtë nga publiku. Eshtë shqetësuese që anët negative të kapitalizmit po shtohen, ndërkohë që besimi tek institucionet publikë ka rënë në nivelet më të ulët historikë. Sipas raportit më të fundit të Elderman Trust Barometer, më pak se gjysma e popullsisë globale beson tek qeveritë. Biznesi është pak më mirë, por jo shumë. Skandalet – që nga komplotet për fiksimin e përqindjeve financiare e deri tek zbulimi i mishit të kalit tek zinxhiri i ushqimit – dëmtojnë besimin e njerëzve tek biznesi, si një agjent i të mirës publike.

Të zhgënjyer si nga shteti, ashtu edhe nga tregu, njerëzit gjithnjë e më shumë po pyesin nëse ia vlen kapitalizmi, kështu siç po e praktikojmë. E shohim këtë tek lëvizjet si Earth Day dhe Occupy Wall Street. Në shumë rajone të botës – që nga vendet e Pranverës Arabe në Brazil, Turqi, Venezuelë dhe Ukrainë, publiku i zemëruar po del në rrugë dhe sheshe.

Adresimi i dështimeve të kapitalizmit modern do të kërkojë lidership të fortë dhe bashkëpunim të madh mes bizneseve, qeverive dhe OJF-ve. Për të filluar në krijimin e një shtegu për të ecur përpara, ne kemi mbledhur udhëheqës të rëndësishëm globalë në një konferencë në Londër, ku tema është kapitalizmi gjithëpërfshirës. Do të marrin pjesë drejtues të lartë të institucioneve që të gjithë bashkë zotërojnë mbi 30 trilionë dollarë asete – një e treta e totalit botëror. Objektivi i tyre do të jetë marrja e masave të prekshme, që kompanitë duhet t’i ndërmarrin për të filluar të ndryshojnë mënyrën si bëhet biznes – si dhe për të rindërtuar besimin e publikut tek kapitalizmi.

Sigurisht, ka limite në atë që mund të arrijë një kompani. Ndryshimi transformues do të vijë vetëm nëse bzineset dhe të tjerët punojnë së bashku. Sidoqoftë, ka shpresë. Sepse po krijohen koalicione për të zgjidhur problemet që variojnë, nga shpyllëzimi i paligjshëm tek siguria ushqimore. Organizma si Këshilli Botëror i Biznesit për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Forumi Global i mallrave të konsumatorit po bashkojnë aktorë kryesorë të industrisë dhe po ushtrojnë presion mbi qeveritë për të bashkuar forcat në kërkim të kapitalizmit të qëndrueshëm.

Ndërkohë që kostoja e mosveprimit rritet, qeveritë dhe bizneset duhet të vazhdojnë të reagojnë. Askush prej nesh nuk mundet të lulëzojë në një botë ku një miliardë vetë shkojnë në shtrat të uritur çdo natë, dhe 2.3 miliardëve u mungon shërbimi shëndetësor bazë. Po kështu, biznesi nuk mund të lulëzojë atje ku optimizmi i publikut për të ardhmen dhe besimi tek institucionet janë në nivelet më të ulët historikë.

Ka shumë rrugë për të bërë, por besojmë se transformimi i nevojshëm po fillon. Një numër gjithnjë e më i madh provash po na tregojnë se modelet e rinj të biznesit mund të ofrojnë rritje ekonomike të përgjegjshme. Konferenca për Kapitalizmin Gjithëpërfshirës është një tjetër hap përpara. Ndonëse puna jonë sapo ka nisur, ne jemi të bindur se brenda një brezi do të arrijmë të ribëjmë kapitalizmin dhe ndërtojmë një ekonomi globale të qëndrueshme dhe të barabartë.

Nuk ka kohë për të humbur. Siç ka thënë dikur Mahatma Gandhi: “E ardhmja varet nga ajo që bën sot”. (Project Syndicate)

Lynn Forester de Rothschild është CEO e E.L.Rothschild dhe bashkëkryetare e Nismës “Henry Jackson” për Kapitalizmin Gjithëpërfshirës

 

Leave a Reply

Back to top button