AnalizaMAINThenie

Rrëzimi i Assadit, ja si ndryshojnë ekuilibrat e rajonit

Rënia e Bashar al-Assadit ishte e paimagjinueshme vetëm një javë më parë, kur rebelët filluan fushatën e tyre nga baza në Idlib, në veriperëndim të Sirisë.

Assad erdhi në pushtet në vitin 2000 pas vdekjes së babait të tij Hafez, i cili sundoi vendin për 29 vjet – dhe ashtu si djali i tij, me një dorë të hekurt. Assad junior trashëgoi një strukturë politike të kontrolluar fort dhe represive. Në fillim, kishte shpresa se ai mund të ishte ndryshe – më i hapur, më pak brutal. Por ato shpresa ishin jetëshkurtra.

Assad do të mbahet mend përgjithmonë si njeriu që shtypi brutalisht protestat paqësore kundër regjimit të tij në vitin 2011, të cilat çuan në një luftë civile. Më shumë se gjysmë milioni njerëz u vranë, gjashtë milionë të tjerë u shndërruan në refugjatë.

Me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, ai shtypi opozitën dhe mbijetoi. Rusia përdori fuqinë e saj të frikshme ajrore ndërsa Irani dërgoi këshilltarë ushtarakë në Siri dhe Hezbollahu, milicia që Irani mbështet në Libanin fqinj, vendosi në Siri luftëtarët e vet të mirëstërvitur.

Këtë herë, kjo nuk ndodhi.

Aleatët e tij, të shqetësuar me problemet e veta, e braktisën atë. Pa ndihmën e tyre, trupat e Assadit nuk ishin në gjendje – dhe, në disa vende, me sa duket nuk dëshironin – të ndalonin rebelët, të udhëhequr nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS).

Në fillim, ata pushtuan Aleppon, qytetin e dytë më të madh të vendit, javën e kaluar. Pastaj Haman, dhe ditë më vonë, qendrën kryesore të Homsit, duke izoluar Damaskun. Në pak orë, ata hynë në kryeqytet, në selinë e pushtetit të Asadit.

Fundi i sundimit pesë dekadësh të familjes Assad do të riformësojë ekuilibrat e pushtetit në rajon.

Irani, përsëri, po sheh ndikimin e tij të pësojë një goditje të fortë. Siria nën Assadin ishte pjesë e lidhjes midis iranianëve dhe Hezbollahut dhe ishte kyçe për transferimin e armëve dhe municioneve grupit.

Vetë Hezbollahu është dobësuar shumë pas luftës së tij me Izraelin.

Irani ka parë gjithashtu Houthis në Jemen të gjenden nën goditjet e sulmeve ajrore. Të gjitha këto fraksione, plus milicitë në Irak dhe Hamasi në Gaza, formojnë atë që Teherani e përshkruan si Boshti i Rezistencës, i cili tani është dëmtuar rëndë.

Kjo situatë e re do të festohet në Izrael, ku Irani shihet si një kërcënim ekzistencial.

Shumë besojnë se kjo ofensivë nuk mund të kishte ndodhur pa bekimin e Turqisë. Prej disa kohësh, presidenti Rexhep Tajip Erdogan i kishte bërë presion Asadit që të angazhohej në negociata për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin, që të mund të lejonte kthimin e refugjatëve sirianë.

Të paktën tre milionë prej tyre janë në Turqi, dhe kjo është një çështje e ndjeshme në vend.

Por Assadi kishte refuzuar ta bënte këtë.

Turqia, e cila mbështet disa nga rebelët në Siri, ka mohuar mbështetjen e HTS.

Shumë njerëz janë të lumtur kur shohin largimin e Asadit.

Por çfarë ndodh më pas? HTS i ka rrënjët tek Al-Kaeda dhe një të kaluar të dhunshme.

Ata i kanë kaluar vitet e fundit duke u përpjekur të ribëheshin veten si një forcë nacionaliste dhe mesazhet e tyre të fundit kanë një ton diplomatik dhe pajtues.

Por shumë aktorë nuk janë të bindur dhe janë të shqetësuar se çfarë mund të planifikojnë të bëjnë pas rrëzimit të regjimit. / bota.al

Back to top button