Analiza

Rrëzimi i MH17 është fundi i përrallës ruse

Anne Applebaum

The Malaysia Airlines crash is the end of Russia’s fairy talePërpara se të ketë diskutime të tjerë në lidhje me Fluturimin 17 të Malaysia Airlines, është e rëndësishme që diçka të bëhet absolutisht e qartë: Rrëzimi i avionit është rezultat i pushtimit të Ukrainës lindore nga Rusia, një operacion i cili qëllimisht u projektua për të krijuar kaos ligjor, politik dhe ushtarak. Pa kaosin, një raketë tokë-ajër nuk do të ishte lëshuar kurrë kundër një avioni pasagjerësh.

Që në fillim, qeveria ruse nuk dërgoi ushtarë të rregullt në Ukrainë. Ajo dërgoi mercenarë rusë dhe operativë të shërbimit të fshehtë si Igor Strelkovi – kryekomandanti në Donetsk dhe një kolonel i policisë së fshehtë ruse, që ka luftuar në të dy luftërat e Ceçenisë – dhe Vladimir Antyufeyev, “zëvendëskryeministri” i Donetskut, i cili udhëhoqi përpjekjen e KGB-së letoneze për të përmbysur qeverinë e pavarur të Letonisë në vitin 1991.

Me ndihmën e banditëve vendas, këta pjesëtarë të shërbimit të fshehtë rus rrethuan stacionet e policisë, zyrat qeveritare dhe simbolet e tjerë të autoritetit politik për të delegjitimuar shtetin e Ukrainës. Në këtë dteyrë, ata u ndihmuan nga qeveria ruse dhe nga mas media ruse e kontrolluar nga shteti. Të dyja këto e denigrojnë vazhdimisht Ukrainën dhe qeverinë e saj “naziste”. Vetëm në javën që kaloi, raportimi mbi Ukrainën në Rusi arriti një tjetër kulm histerie, me histori false për gjoja kryqëzimin e një fëmije dhe një dokumentar të jashtëzakonshëm, që krahasonte mbrojtjen që ushtria ukrainase i bën vendit të saj me gjenocidin në Ruanda.

Në këtë situatë të paqartë dhe të paqëndrueshme, rusët në mënyrë cinike futën një sërë armësh të rënda: mitrolozë dhe artileri dhe, me kalimin e kohës, tanke, blinda dhe sisteme antiraketë. Në ditët e fundit, forcat separatiste po përdornin haptaz raketa mbrojtje ajrore nga ato që mund të mbahen prej njeriut (MANPADS), si dhe mburreshin se kishin rrëzuar avionë të mëdhenj transporti ukrainas, sigurisht me ndihmën e specialistëve rusë. Në të vërtetë, është raportuar se të enjten pasdite Strelkovi mburrej në internet se kishte rrëzuar një tjetër avion ushtarak, përpara se të kuptohej që avioni në fjalë ishte MH17. Më pas, postimi i tij në internet u hoq. Në fund të qershorit, disa burime mediatike ruse botuan fotografi të raketave tokë-ajër Buk, që deklaronin se ishin marrë prej separatistëve – ndonëse ndoshta kanë qenë dhurata prej Rusisë. Edhe këta postime janë hequr nga interneti.

Ky është në konteksti, në të cilinnjë avion pasagjerësh u qëllua me një raketë tokë-ajër: Një mjedis pa ligje. Ushtarë jo të rregullt të cilët mund të mos jenë kaq të mirë në leximin e radarit. Një mungesë nihiliste respekti për jetën e njeriut. Përbuzje për normat, rregullat dhe standartet ndërkombëtare. Sa për ta ditur: Në Ukrainën lindore nuk ka patur sisteme raketash tokë-ajër të kontrolluar nga qeveria, për arsye se separatistët nuk kishin avionë.

Deri tani, këto metoda jo-ortodokse kanë funksionuar mirë për rusët. Ato nervozonin dhe shpërqëndronin qeverinë ukrainase ndërkohë që lejonin qeveritë e huaja, dhe sidomos ato europiane, që të bënin një sy qorr. Për arsye se lufta nuk ishte një “luftë reale”, ajo mund të përshkruhej si “lokale”, e “izolueshme” dhe kështu mund të mbetej një prioritet i ulët për politikën e jashtme europiane, apo edhe për politikën e jashtme të kujtdo.

Nëse nuk ka nbërë asgjë tjetër, rrëzimi i MH17 i ka dhënë fund përrallës që “kjo nuk është luftë reale”, si për rusët, edhe për Perëndimin. Tragjikisht, kjo jo-luftë jokonvencionale sapo vrau 298 vetë, shumica europianë. Nuk mund të bëjmë më sikur nuk po ndodh, apo se nuk prek askënd jashtë Donetskut. As rusët nuk mund të bëjnë gjoja.

Pa shtirjen e përrallës, disa gjëra do të bëhen të qarta. Së pari, tani do të mësojmë nëse Perëndimi në vitin 2014 është po aq i bashkuar dhe i vendosur për të ndalur terrorizmin, sa ishte 26 vjet më parë. Kur qeveria libiane rrëzoi avionin e Pan Am F103 mbi Lockerbie në Skoci, në vitin 1988, Perëndimi shtrëngoi radhët dhe izoloi regjimin libian. A mund të bëjmë të njëjtën gjë tani – apo shumëkush do të tundohet ta përshkruajë si një “aksident tragjik” dhe ta injorojë atë që pashmangshmërisht do të jetë një hetim i debatueshëm dhe do ta quajë “jokonkludues”? Eshtë e pamjaftueshme të thuash, siç ka thënë presidenti Obama tashmë, se duhet të ketë një armëpushim në Ukrainë. Ajo që nevojitet është një tërheqje e mercenarëve rusë, bashkë me armët dhe mbështetjen. Perëndimi – dhe bota – duhet të bëjnë presion që në Ukrainën lindore të rikthehet sovraniteti i shtetit ukrainas, dhe jo përjetësimi i një konflikti të ngrirë.

Do të mësojmë gjithashtu diçka interesante për presidentin rus. Deri tani, nuk ka shenja tronditjeje apo turpi në Rusi. Por në të vërtetë, kjo tragjedi i ofron Vladimir Putinit një shans për të dalë nga fatkeqësia e rrëmujshme që ai vetë shkaktoi në Ukrainë. Ai ka justifikimin e përsosurpër të denoncuar lëvizjen separatiste dhe të ndërpresë furnizimet. Nëse refuzon, atëherë do ta dimë se mbetet thellësisht i përkushtuar për kaosin dhe nihilizmin që krijoi në Donetsk. Mund të supozojmë se ka ndërmend ta vazhdojë gjetkë. Dhe nëse nuk jemi të përgatitur ta luftojmë, duhet të përgatitemi për përhapjen e tij. /WP/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button