Analiza

Rreziqet e ekstremizmit demokratik

Jean-Marie Colombani

demoNë zgjedhjet e fundit, kudo në Europë ka patur një numër të lartë abstenimesh, ose u zgjodhën parti populiste – për të mos thënë ekstremiste – apo kanë ndodhur të dyja këto gjëra.

Më pas, prej Shteteve të Bashkuara erdhi një alarm i ri. Udhëheqësi i shumicës republikane në Kongres, domethënë numri dy i partisë, Eric Cantor që ishte në mandatin e tetë radhaz, u mund në zgjedhjet primare të partisë së tij nga një i panjohur, një anëtar i Tea Party. Për ironi të fatit, deri pak kohë më parë Cantor ishte pjesë e atyre që kishin ndihmuar, mbi të gjitha ekonomikisht Tea Party-n që të afirmohej. Tea Party është për SHBA, e ngjashme me një aleancë mes Frontit Nacional francez, Pesë Yjeve në Itali dhe ekstremistëve flamingë, gjithmonë nëse kjo aleancë do të realizohej.

Kohët e fundit, Cantor e kishte kuptuar që për të marrë vendime ishte e nevojshme të bëheshin kompromise, mbi të gjitha sa i përket imigrimit. Tea Party u hodh tërësisht kundër tij, duke e akuzuar se ishte në favor të përligjjes së fëmijëve të pashoqëruar që hyjnë fshehtësisht në SHBA. Të gjithë këta fenomene, pjesë e rrymës së gjerë dhe të rrezikshme anti-elitë që përshkon të gjithë Perëndimin, janë një manifestim i krizës që po përjetojnë sistemet tanë demokratikë, që mund të na çojë në një epokë post-demokratike, e cila mund të jetë më pak demokratike. Një krizë e dyfishtë, dhe në një farë kuptimi kontradiktore.

Me zhvillimin e teknologjive të reja, nga njëra anë asistojmë në një lloj entuziasmi të ri libertarian, pasi këto teknologj të reja sjellin praktikisht më shumë liri. Eshtë pak a shumë sikur të kenë rilindur poliset grekë, të paktën ata, në të cilët qytetarët e mbledhur në ansamble kishin mundësinë të merrnin vendime direkt dhe në mënyrë autonome.

Ky fenomen, pasoja e parë e të cilit është se askush nuk mund të çojë përpara një fushatë elektorale pa rrjetet socialë, ka të metën e tij: demokracia përfaqësuese, ajo që njohim dhe praktikojmë përmes zgjedhjes së përfaqësuesve tanë, nuk është më gjë e sigurtë. Dhe as nuk përjetohet për atë që është: një arritje. Dhe sot, në të majtë e në të djathtë, ka madje nga ata që vënë në diskutim vetë zgjedhjet. Në të kaluarën, në vitet e nazizmit dhe të fashizmit, demokracitë luftoheshin prej rrymave antiparlamentare. Sot, kudo ngrihen dyshime mbi vetë konceptim e përfaqësimit. Eshtë rasti i Beppe Grillos, i cili dëshiron që të zgjedhurit e tij të marrin pozicion vetëm pas miratimit nga mbështetësit në internet. Pra, demokracitë tona janë të themeluara mbi refuzimin e mandatit imperativ. Eshtë rikthimi i idesë që për çfarëdolloj teme duhet të mbahet një referendum, mundësisht me iniciativë popullore, me rezultate që i njohim, për shembull në Zvicër.

Ka madje edhe nga ata që kërkojnë që vendimet të merren me short…

Në të njëjtën kohë, në disa vende skenari politik radikalizohet. Kështu në Shtetet e Bashkuara, demokracia e të cilave është e themeluar pikërisht mbi parimin e kompromisit, dhe mbi nevojën e tij absolute, paraliza është gjithmonë pranë, dhe ekstremizmi edhe më pranë. Ky radikalizëm e bën Partinë Republikane të ngjajë me Frontin Nacional francez. Dhe cfarë mund të thuhet pastaj për Tea Partyn?

Mendim magjik

Në themel, ka një formë ekstremizmi demokratik që mund të dëmtojë vetë demokracinë. Dhe që na bën të druhemi se demokracia e mendimit, ajo që në të cilën kemi hyrë, të transformohet një ditë në mohim të demokracisë. Sepse sektorë të tërë të opinionit publik janë të tunduar nga spirata për autoritetin, që është një formë e refuzimit të kompleksitetit të qenësishëm në shoqëritë tona moderne.

Dhe në këtë pikë njerëzit gjejnë strehë tek mendimi magjik, i cili ka prirje drejt thjeshtësimit. Marrim shembullin e Francës: ju thonë se gjithcka shkon keq dhe fajin e kanë gjithmonë të tjerët: imigrantët (për të djathtën ekstreme), bankierët (për të majtën ekstreme), globalizimi (për pothuajse të gjithë) marrëveshja Shengen (për Nicolas Sarkozynë) dhe kush e di çfarë tjetër… Nuk flitet kurrë për të parë në sy problemet specifikë që ka vendi dhe për të reflektuar mbi zgjidhjet që, për nga natyra e tyre vënë pashmangshmërisht në diskutim interesat e një kategorie, apo një tjetre. Kushdo që përpiqet të dialogojë, të diskutojë, të bëjë një debat e bëjnë të heshtim dhe e akuzojnë për dobësi dhe tolerancë. Prej këtu buron suksesi, e dimë se sa i rrezikshëm, i modelit putinian, që josh jo vetëm të djathtën ekstreme, por edhe të majtën, shumë përtej Rusisë, deri në Europë. Përgjigja autoritare, nesër diktatoriale, mund të sjellë një ditë një rrezik edhe për ne.

Leave a Reply

Back to top button