Ekonomi

Rritja globale: Sërish “Made in China”

Screen Shot 2016-09-06 at 11.25.07nga Stephen S Roach

Përkundër gjithë gjërave që thuhen në idhje me ngadalësimin ekonomik të Kinës, ekonomia kineze mbetet kontribuesi i vetëm më i madh në botë, për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto. Për një ekonomi globale të çalë, e cila ndonjëherë pothuaj jep shenja ndaljeje – dhe më shumë gjasa e pamundur që të përballojë goditje të reja pa u zhytur në recesion – ky kontribut është edhe më i rëndësishëm.

Janë disa shifra që e mbështesin këtë gjë. Nëse rritja e GDP të Kinës arrin 6.7% në vitin 2016 – në një linjë me objektivin zyrtar të qeverisë dhe vetëm pak më e lartë se sa parashikimi më i fundit i FMN-së (6.6%) – atëherë Kina do të ofronte 1.6% të rritjes së GDP botëror. Në një kohë kur FMN aktualisht pret një rritje globale prej vetëm 3.1% për këtë vit, Kina do të kontribuonte me pothuaj 39% të totalit. Shumë më e lartë, në krahasim me ekonomitë e tjera të mëdha. Për shembull, ndërkohë që SHBA vlerësohet gjerësisht për një rimëkëmbje të fortë, GDP e saj pritet që të rritet me vetëm 2.2 përqind në vitin 2016 – aq sa për të kontribuar me vetëm 0.3% në rritjen tërësore të GDP-së, ose sa një e katërta e kontributit të Kinës.

Një ekonomi evropiane sklerotike pritet t’i shtojë vetëm 0.2 përqind rritjes ekonomike botërore, dhe Japonia as edhe 0.1%. Kontributi i Kinës për rritjen ekonomike globale është në fakt, 50 përqind më i madh se sa 0.8 përqindëshi që do të kontribuojnë së bashku të gjitha ekonomitë e tjera, të ashtuquajtura të përparuara.

Po kështu, asnjë vend në zhvillim nuk i afrohet kontributit të Kinës për rritjen ekonomike globale. GDP i Indisë pritet që të rritet me 7.4% këtë vit, ose 0.8% më shpejtë se sa Kina. Por ekonomia e Kinës zë plot 18 përqind të prodhimit botëror (matur mbi bazën e paritetit të fuqisë blerëse) – më shumë se dyfishi i atij të Indisë (7.6%). Kjo do të thotë që kontributi i Indisë në GDP global pritet të jetë vetëm 0.6% këtë vit – pra sa gjysma e 1.2 përqindëshit që pritet të ofrojë Kina.

Nuk ka “zgjim” të dhunshëm

Kështu që, sido që ta shikoni, Kina mbetet motorri më i madh i rritjes ekonomike botërore. Megjithatë, ekonomia kineze është ngadalësuar në mënyrë domethënëse, krahasuar me rritjen ekonomike vjetore prej 10%, që rregjistronte në periudhën 1998-2011.

Por edhe pas tranzicionit nga “normalja e dikurshme” tek ajo që udhëheqja kineze e ka pagëzuar “normalja e re”, rritja ekonomike globale mbetet shumë e varur nga Kina.

Një dinamikë rritjeje ekonomike Kinocentrike, ka tre pasoja të rëndësishme.

Së pari, dhe më e kuptueshmja, ënia e vazhdueshme e shpejtësisë së rritjes ekonomike të Kinës, do të kishte një pasojë shumë më të madhe, mbi një ekonomi përndryshe të dobët, se sa do të kishte nëse bota do të ishte duke u rritur me një tendencë afër 3.6 përqindëshit. Duke përjashtuar Kinën, rritja botërore e GDP pritet të jetë 1.9% këtë vit – shumë më poshtë se sa pragu i 2.5 përqindëshit, që shoqërohet vazhdimisht me recesionet globale.

Pasoja e dytë, e lidhur me të parën, është se “zgjimi i dhunshëm” ekonomik për Kinën, të cilit i është druajtur shumëkush, do të kishte një impakt global shkatërrimtar. Cdo ulje me 1 përqind në rritjen e GDP të Kinës, i heq direkt 0.2 përqind rritjes së GDP botëror; nëse përfshin edhe efektet mbi tregtinë e jashtme, impakti total mbi rritjen ekonomike globale do të ishte afërsisht 0.3%.

Nëse një “zgjim i dhunshëm” i Kinës do të nënkuptonte një përgjysmim të rritjes së saj aktuale prej 6.7%, bashkë me efektet direkte dhe indirekte të një gjëje të tillë, do t’i hiqnin afro 1 përqind rritjes ekonomike globale. Në një skenar të tillë, nuk ka asnjë shans që bota të shmangë një tjetër fundosje në recesion të plotë.

Së fundi (dhe kjo ka më shumë gjasa sipas këndvështrimit tim), ka pasoja globale nga një riekuilibrim i suksesshëm i ekonomisë kineze. Bota do të përfitonte shumë, nëse komponentët e ekonomisë së Kinës do të zhvendoseshin, nga eksportet e udhëhequr prej prodhimit, tek shërbimet dhe konsumi familjar.

Riekuilibrimi kinez

Në ato rrethana, kërkesa e brendshme e Kinës ka potencialin të shndërrohet në një burim gjithnjë e më të rëndësishëm të rritjes ekonomike të orientuar nga eksportet, për partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kinës – sigurisht, me kushtin që shteteve të tjerë t’u ofrohet qasje e lirë dhe e hapur në tregjet kineze në zgjerim.

Një skenar i suksesshëm i riekuilibrimit kinez ka shansin që t’i japë një shtysë të fuqishme kërkesës globale, me një burim të ri dhe të fuqishëm të kërkesës agregate – një antidot i fuqishëm ky, ndaj një bote që përndryshe është duke u hequr zvarrë. Kjo mundësi nuk duhet të injorohet, teksa trysnitë politike rëndojnë mbi debatin global për tregtinë.

Në tërësi, pavarësisht fokusit mbi SHBA, Europë apo Japoni, Kina vazhdon që të mbajë kartën nën mëngë, në ekonominë globale të dobësuar. Ndërkohë që një zgjim i dhunshëm i Kinës do të ishte shkatërrimtar, një riekuilibrim i suksesshëm do të ishte një ndihmë e madhe. Do të ishte prognoza për Kinën si faktorin vendimtar i peisazhit ekonomik global. Ndërkohë që treguesit më të fundit të përmuajshëm tregojnë se ekonomia e Kinës po stabilizohet tek një rritje ekonomike prej 6.7%, që u regjistrua në gjysmën e parë të 2016-ës, nuk mund të ketë dyshim për erërat kundër që mund të fryjnë në gjysmën e dytë të vitit.

Në mënyrë të veçantë, mundësia e një rënieje të mëtejshme në investimet në asete fikse në sektorin privat mund të përshkallëzojë trysnitë që lidhen me tkurrjen e kreditimit, kërkesën e jashtme vazhdimisht të dobët, si dhe një cikël defektoz të pronave.

Por ndryshe nga ekonomitë e mëdha të botës së përparuar, ku hapësira për politika është zvogëluar shumë, autoritetet kineze kanë hapësira të mëdha për lëvizje akomoduese, që do të mund të fuqizonin aktivitetin ekonomik.

Dhe ndryshe nga ekonomitë e mëdha të botës në zhvillim, që vazhdimisht u duhet të luftojnë me një balancë mes trysnive ciklike afatshkurtëra dhe reformave strukturore më afatgjata, Kina është përsosmërisht në gjendje që të adresojë njëkohësisht të dyja këto grupe sfidash.

Për aq sa udhëheqja kineze të jetë në gjendje të ruajë një politikë të tillë shumëdimensionale dhe fokus mbi reformat, një ekonomi globale e dobët dhe ende e brishtë, vetëm mund të përfitojë. Botës i duhet më shumë se kurrë një Kinë e suksesshme. /PROJECT SYNDICATE – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button