Analiza

Rroftë Perëndimi!

L07-444050Jacques Attali
Në këtë fillim gushti të 2014-ës, është veçanërisht e kollajtë të jesh pesimist për të ardhmen e Perëndimit. Mjafton të shohësh gjendjen e planetit tonë. Dhe të shohësh rolin dëmtues që ai, pra Perëndimi, po luan: Tërbohem kur shoh luftërat civile që përhapen në Irak, Siri, Libi dhe gjetkë, kryesisht për shkak të pandërgjegjshmërisë së Perëndimit, që u ndie i aftë të nxiste demokracitë atje, por pa u ofruar vetë, bashkë me burimet e nevojshme për këtë qëllim.
Tërbohem kur shoh një virus të frikshëm që përhapet me shpejtësi nëpër Afrikë, sepse Perëndimi, egoist siç është, beson se nuk do të preket prej tij dhe nuk bën asnjë përpjekje për t’u ofruar këtyre vendeve burimet e nevojshëm parandalues.
Tërbohem kur shoh qeverinë e Izraelit, një avanpost i perëndimit, që mbërthehet në gjithfarësoj kurthesh që ngrenë ekstremistët e Hamasit, që qëllon kot-më-kot në drejtim të civolëve palestinezë, të cilët në fakt duhet të jenë aleatët e tij kyçë. E si pasojë, shkakton përreth botës me mijëra reflekse antisionistë, antisemitë dhe antiperëndimorë.
Tërbohem kur shoh, mu brenda në Europë, rikthimin e Luftës së Ftohtë, vetëm sepse Europianët po i përmbahen një doktrine të vjetër antisovjetike, me qëllim që të shpallin kundër Rusisë, por pa paraqitur prova, një embargo që si gjithmonë do të sjellë dobi për një palë të tretë, në këtë rast Kina, duke organizuar si pasojë një aleancë të regjimeve autoritarë kundër Perëndimit.
Tërbohem kur shoh Europën të paaftë që të organizohet për t’u bërë më në fund, dhe praktikisht, fuqia më e madhe e botës, ajo që në teori ka qenë prej disa shekujsh.
Dhe në fund, tërbohem kur shoh qeverinë aktuale të Francës, ashtu si paraardhëset e saj, që vazhdojnë të shtyjnë përballjen me reformat e nevojshme, pa të cilat, të gjithë e dimë që vendi do të jetë i dënuar të ndjekë skenarin më të keq të mundshëm.
Në përgjithësi, tërbohem kur shoh qytetërimin perëndimor, një qytetërim që i ka rrënjët në takimin judeo-grek, i forcuar më pas prej kontributeve të krishtërimit dhe islamizmit, i përshkuar prej Iluminimit, i gjithi i fokusuar drejt përhapjes së lirisë, por që në këtë moment po shfaqet – për shkak të egoizmit, verbërisë dhe obsesionit pas dritëshkurtësisë – i paaftë për t’i demonstruar botës se është shumë më i mirë se sa obskurantizmi që ka përballë. Dhe ta gjejë veten në një situatë humbësi në luftën e madhe ideologjike, e cila ka nisur mes lirisë dhe fatalitetit, modernitetit dhe traditës, gëzimit të jetës dhe terrorit. Arsyes dhe obskurantizmit.
Sërish, pavarësisht gjithë këtyre, nuk duhet të dorëzohemi. Sepse vlerat perëndimore nuk kanë qenë asnjëherë më shumë të idealizuara mes të rinjve përreth botës. Sepse Historia e botës po ecën përpara përkundër të gjithë pengesave, ndonjëherë me sprapsje të vogla, drejt një lirie, mbrojtësi i vërtetë i të cilës është pikërisht Perëndimi. Sepse pikërisht në Perëndim po bëhen zbulimet më të mëdhenj shkencorë dhe shpikjet, që do të na mundësojnë kapërcimin e problemeve dhe përballjen e sfidave të të ardhmes. Sepse Perëndimi, në formën e tij më të mirë, është në gjendje të mësojë prej qytetërimeve të tjerë të mrekullueshëm të botës. Së fundi, sepse Perëndimi është dhe do të jetë, me një avantazh të madh, fuqia më e madhe ekonomike, teknologjike dhe ushtarake e botës.
Kështu që, demokratë, republikanë, të majtë e të djathtë, nuk duhet ta lënë glorifikimin e vlerave perëndimore në duart e nacionalistëve dhe populistëve. Ata nuk janë të denjë.
Kam ndjesinë që, shumë shpejt do të jetë e nevojshme ta përsërisim këtë me zë të lartë dhe në mënyrë sa më të qartë. /Huffington Post/

Linku: http://www.huffingtonpost.com/jacques-attali/long-live-the-west_b_5650034.html

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button