Analiza

Rruga e gjatë drejt Jeruzalemit

“Al Quds al Arabi”

papaNëse kërkoni në Google Maps rrugën për të shkuar nga Betlehemi në Jeruzalem, përgjigja e motorrit të kërkimit do të jetë: “Nuk është e mundur të përllogaritet itinerari mes Betlehemit dhe Jeruzalemit, Izrael”. Presja e vogël ndërmjet termave “Jeruzalem” dhe “Izrael” është sigurisht më domethënëse se sa të gjithë përshkrimet e barrierës së ndërtuar nga Izraeli në Cisjordani. Dhe është ndoshta një prej arsyeve që detyruan papën katolik Franceskun – gjatë vizitës së tij në Tokën e Shenjtë nga 24 deri në 26 maj – që të shkonte në Betlehem që nga kryeqyteti jordanez i Amanit, dhe më pas drejt Jeruzalemit duke kaluar nga Tel Avivi, në vend që të përshkonte distancën e shkurtër që ndan dy qytetet. Në këtë rast, gjeografia ndihmon për të përshkruar në mënyrë simbolike një prej konflikteve kryesorë të botës.

Papa, një argjentinas, është një forcë e rëndësishme rinovimi për kishën katolike, që falë tij mund të braktisë eurocentrizmin. Në Lindjen e Mesme janë të shumtë ata që shpresojnë se vizita e tij mund të kontribuojë për t’i dhënë fund krizës ekzistenciale që përshkon Tokën e Shenjtë, vendi i lidhur me tre fetë e mëdha monoteiste: hebraizmi, kristianizmi dhe islami. Edhe pse Papa ka deklaruar se vizita e tij ishte e një natyre kryesisht spirituale, gjithcka që ka bërë është përkthyer në sinjale të fortë politikë. Cdo variacion i vogël ndaj programit zyrtar është interpretuar si një marrje pozicioni në një drejtim apo një tjetër. Ndalesa “jashtë programi” përpara barrierës në Cisjordani pranë Betlehemit ka vendosur para syve të gjithë botës “murin e urryer të ndërtuar nga Izraeli, forca brutale që pushton tokën tonë”, siç ka deklaruar presidenti palestinez, Abu Mazen. Izraeliti Benjamin Netanjahu ka shfrytëzuar udhëtimin e papës për t’i bërë reklamë vendit të tij. Kryeministri tha se donte të shfaqte “pamjen e vërtetë të Izraelit në botë”, duke e barazuar “Tokën e shenjtë” me “tokën e Izraelit”, qeverisur nga një shtet “i përparuar, modern dhe tolerant, i vetmi që mund të garantojë liri të plotë kulti në Lindjen e Mesme”.

Prania e Papës ka qenë gjithashtu një rast i mirë për të reflektuar sërish mbi “luftën e feve” që ndodh qysh prej kohërave të kryqëzatave. Shumë historianë e krahasojnë pushtimin izraelit të sotëm me kryqëzatat. Vizita e papës ka hapur kështu plagët e shekujve mes feve monoteiste, që janë zhvilluar në Jeruzalem duke u dhënë jetë përplasjeve politike dhe ushtarake. Sot udhëheqësit e tre feve bëjnë ftesë për t’u lutur për paqen dhe viktimat e të gjithë palëve në konflikt, dhe nuk ka arsye për të dyshuar në mirëbesimin e tyre. Por mbetet fakti që asnjë mrekulli nuk mund të ndryshojë situatën në Tokën e shenjtë, sa kohë që do të vazhdojë pushtimi izraelit.

Leave a Reply

Back to top button