Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një veprim i parlamentit izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar do të rrezikonte planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
“Kjo nuk është diçka që mund ta mbështesim në këtë moment,” tha Rubio, pak para nisjes për në Izrael, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të forcuar marrëveshjen e brishtë të armëpushimit.
Në një përpjekje të dukshme për ta vënë në pozitë të vështirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, politikanë të ekstremit të djathtë ndërmorën një hap simbolik duke i dhënë miratim paraprak një projektligji që i jep Izraelit autoritetin për të aneksuar Bregun Perëndimor.
Palestinezët e konsiderojnë Bregun Perëndimor – të pushtuar nga Izraeli që prej vitit 1967 – pjesë të shtetit të tyre të ardhshëm të pavarur.
Vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, institucioni më i lartë gjyqësor i OKB-së, e cilësoi pushtimin izraelit si të paligjshëm.
Netanyahu është shprehur më parë në mbështetje të aneksimit të disa zonave të Bregut Perëndimor, por nuk e ka çuar përpara këtë ide për shkak të rrezikut që mund të dëmtonte marrëdhëniet me SHBA-në – aleatin më të rëndësishëm të Izraelit – dhe me vendet arabe që kanë ndërtuar marrëdhënie me Tel Avivin pas dekadash armiqësie.
Ultra-nacionalistët brenda koalicionit qeverisës të Netanyahut kanë kërkuar shpesh aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor, megjithëse projektligji i tanishëm është paraqitur nga deputetë jashtë qeverisë.
Projektligji u miratua me 25 vota pro dhe 24 kundër. Ende nuk është e qartë nëse do të arrijë të sigurojë shumicën në Kneset (parlamentin me 120 vende), ndërsa kryeministri ka mjete për ta vonuar ose bllokuar.
Ministria e Jashtme palestineze e dënoi lëvizjen e Knesetit, duke deklaruar se Izraeli “nuk ka asnjë sovranitet mbi tokat palestineze”.
Gjatë pushtimit të tij, Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime ku jetojnë 700 mijë hebrenj, ndërsa përreth tyre jetojnë rreth 3.3 milionë palestinezë. Vendbanimet konsiderohen të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare – një qëndrim i mbështetur edhe nga opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vitin e kaluar.
Duke folur për gazetarët para udhëtimit, Rubio tha se aneksimi do të ishte “kundërproduktiv” dhe “kërcënues” për procesin e paqes, duke përsëritur kundërshtimin e SHBA-së ndaj çdo mase të tillë.
Vizita e tij të enjten vjen pas udhëtimeve të Zëvendëspresidentit amerikan JD Vance dhe dy të dërguarve të posaçëm, ndërsa administrata Trump po përpiqet të nisë fazën e dytë të planit 20-pikësh të paqes për Gazën.
Faza e parë – që përfshin armëpushimin, tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite dhe futjen e ndihmave humanitare – hyri në fuqi në fillim të këtij muaji.
Pavarësisht akuzave të ndërsjella mes Izraelit dhe Hamasit për shkelje të marrëveshjes, armëpushimi deri më tani ka qëndruar në fuqi.
Rubio u shpreh optimist për ruajtjen e qetësisë: “Çdo ditë ka rreziqe që mund ta prishin, por mendoj se jemi përpara parashikimeve për mënyrën si po ecim. Fakti që e kaluam fundjavën pa përshkallëzim është një shenjë e mirë,” tha ai.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një qeverie të përkohshme në Gaza, dislokimin e një force ndërkombëtare stabilizimi, tërheqjen e trupave izraelite dhe çarmatimin e Hamasit. Lufta në Gaza filloi më 7 tetor 2023, kur Hamasi kreu një sulm të paprecedentë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe rrëmbyer 251 pengje. Në konfliktin që pasoi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza – e drejtuar nga Hamasi, por e konsideruar e besueshme nga OKB-ja – janë vrarë mbi 68,000 palestinezë. / bota.al