Histori

RUDOLF ANDERSON Jr. dhe misioni që shmangu luftën bërthamore

Screen Shot 2015-09-27 at 10.37.36

Dita e 12 e krizës së raketave kubane agoi me SHBA dhe BRSS në prag të përplasjes atomike. Atë mëngjes, një raketë sovjetike goditi avionin amerikan U-2 që pilotohej nga Majori Rudolf Anderson Jr, mbi qiejt sovjetikë. Vdekja e vetme e kësaj krize solli një pikë kulmore – një pikë që në fakt mund të ketë sprapsur dy palët nga jë luftë e mundshme bërthamore.

Në 27 tetor 1962, Rudolf Anderson Jr u ngjit në stratosferë, 14 milje mbi një planet të mbërthyer në krizë. 12 ditë më herët, majori i Forcës Ajrore kishte kryer një prej misioneve top-secret mbi Kubë, që konfirmoi ekzistencën e raketave sovjetike 90 milje larg Amerikës. Anderson nuk ishte planifikuar fillimisht të fluturonte në këtë ditë, por ai loboi fort për t’u ngarkuar kur misioni u fut në program. Misioni 3127, fluturimi i gjashtë i Anderson mbi Kubë si pjesë e “Operacionit Brass Knob” do të ishte më i rrezikshmi i tij, teksa raketat ruse tokë-ajër SA-2 ishin tashmë operacionale dhe lufta dukejshumë pranë.

Pak pasi Anderson hyri në hapësirën e Kubës, avioni i tij i paarmatosur U-2 u shfaq në radarët sovjetikë. Teksa ushtria sovjetike gjurmonte avionin e ndërfutur, shqetësimi i tyre nisi të rritet se mos piloti po fotografonte vendndodhje të fshehta të armëve bërthamore taktike të vendosura pranë bazës amerikane të Guantanamo Bay. “Mysafiri ynë ka qenë aty për më shumë se një orë”, i tha Lejtnant Gjenerali Stepan Grechko një zëvendësi të tij. “Mendoj se duhet të japim urdhërin për ta rrëzuar, pasi po zbulon pozicionet tanë në thelësi”. Pasi gjenerali komandues, njeriu që ishte i autorizuar të urdhëronte lëshimin e një rakete tokë-ajër nuk mund të gjendej, Grechko e dha vetë urdhërin: “Shkatërroni shënjestrën Nr 33”.

Dy raketa tokë-ajër u lëshuan pranë qytetit port të Banes. Njëra shpërtheu pranë U-2. Mendohet se pjesë të saj shkaktuan vdekjen e Anderson në cast. Shënjestra Nr 33 u shkatërrua.

Brenda pak orësh, lajmi i rrëzimit mbërriti në sallën e mbledhjeve të Shtëpisë së Bardhë, e cila gjithë ditës kish qenë mes tensionit për shkak të lajmeve që vendet e raketave bërthamore ishin pothuajse operative dhe që një tjetër avion U-2 kish fluturuar aksidentalisht mbi Bashkimin Sovjetik, duke bërë që avionë gjuajtës Mig të vihen në ndjekje të tij. Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Paul Nitze tha: “Ata gjuajtën të parët”, dhe Presidenti Kennedy ia priti: “Tani jemi në një lojë krejt tjetër”. Kryeprokurori Robert F. Kennedy do të shkruante më vonë tek “Tridhjetë Ditët”, libri i tij me kujtime se: “Kishim ndjesinë që laku po shtrëngohej për të gjithë ne, për amerikanët, njerëzimin, dhe që urat e arratisë po shembeshin”.

Udhëheqësit ushtarakë i bënë thirrje Kennedyt që të niste sulmet ajrorë ndaj Kubës mëngjesin tjetër. Presidenti, megjithatë, dyshoi dhe me të drejtë që nuk kish qenë udhëheqësi sovjetik Hrushov që kishte autorizuar rrëzimin e avionit të zbulimit pa armë, dhe ai nuk donte ende ta braktiste diplomacinë.

Për Keneddyn dhe Hrushovin, vdekja e Anderson kristalizoi idenë se kriza po u dilte me shpejtësi nga kontrolli. “Pikërisht në atë moment, babai po ndiente se situata po i rrëshkiste nga kontrolli”, do të shkruante më vonë biri i Hrushovit, Sergei. Kennedy shqetësohej se sulmi do të rezultonte pashmangshmërisht në një luftë totale. “Nuk është hapi i parë që më shqetëson, por acarimi i të dy palëve tek hapi i katërt apo i pestë, dhe që nuk do të mund të shkonim dot tek i gjashti, pasi këtu mbi tokë nuk do të jetë më askush për ta bërë”, u tha ai këshilltarëve.

Atë natë, presidenti dërgoi vëllanë të bisedonte me ambasadorin sovjetik Anatoly Dobrinin dhe t’i ofronte një marrëveshje top-secret për t’i dhënë fund tensionit në mënyrë paqësore. Sovjetikët ranë dakord të hiqnin raketat bërthamore nga Kuba, ndërsa amerikanët premtuan të tërhiqnin raketat bërthamore nga Turqia dhe të mos pushtonin Kubën. Momenti më i tensionuar i krizës së raketave kubane kish marrë fund, dhe majori Anderson ishte e vetmja viktimë në luftim në një situatë që mund të conte në vrasjen e miliona vetëve.

Kur Kennedy mësoi se Anderson kish lënë pas bashkëshortend he dy fëmijë, 5 dhe 3 vjec, ai u prek. “Kishte një djalë në moshën e John”, u tha ai këshilltarëve. “Misioni i bashkëshortit tuaj ishte i një rëndësie madhore, por unë e di se sa thellë duhet ta ndieni ju humbjen e tij”, i shkruajti ai në një letër të vesë së Anderson, e cila ishte shtatzënë dy muajshe me një vajzë. Pas vdekjes, Anderson u bë i pari që u dekorua me Kryqin e Forcave Ajrore, dekorata më elartë në shërbim pas Medaljes së Nderit.

Kujtimi i Rudolf Anderson mund të jetë zbehur, por ai nuk është harruar në shtëpinë e tij në Greenville, në Karolinën e Jugut, ku ai ndërtonte modele avionësh kur ishte fëmijë. Në 50-vjetorin e vdekjes së tij, qyteti i Greenville do të rizbulojë memorialin e Major Rudolf Anderson Jr, i cili u vendos aty në 1963.

“Vdekja e Anderson e acaroi shumë krizën”, thotë historiania Courtney Tollison. “Mund të kishte provokuar një seri ngjarjesh që nëse ndjek konkluzionet logjikë, do të sillnin një Luftë të Tretë Bërthamore. Në vend të kësaj, vdekja e tij ishte një thirrje për Kennedyn dhe Hrushovin dhe e coi krizën në një pikë ku atyre u duhej të zgjidhnin një prej dy rrugëve: pasojat për të dyja ishin të qarta”.

HT – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button