Analiza

Rumania/President i ri, demokraci e re

Dan Tapalaga

Hotnews.ro

Në këtë Lindje shumë gri, ku vërshojnë lajme të këqija, një popull shpalli haptazi orientimin e tij pro-perëndimor duke zgjedhur një gjerman si president. Kjo zgjedhje simbolike, midis një gjermani dhe një nacionalisti, kjo është deklarata më e fuqishme ndajt vlerave të Perëndimit që ka bërë Rumania qysh me anëtarësimin e saj në NATO dhe në BE. Planet e Rusisë kanë marrë një goditje të fortë

ROMANIA-VOTE-PROTESTDemokracia fitoi si për mrekulli. Fitore e frymës së lirisë kundra arrogancës dhe përbuzjes, e ngritur në metodë politike. Rumania përsëri bën pjesë në vendet e qytetëruara. Ishin qytetarët rumunë, të cilët e shpëtuan Rumaninë  nga diktatura e gënjeshtrës, që i kthyen asaj dinjitetin pas poshtërimit të shkaktuar.
Por fitorja më e madhe qëndron në një riekulibrim të gjithë sistemit. Të gjitha institucionet kyç kanë tani një shans të konsolidojnë punën e filluar prej disa vitesh.
Frika për eliminimin e institucioneve si Drejtoria e Antikorrupsionit, Agjencia për Integritetin apo Gjykata e Lartë e Drejtësisë, të paktën për momentin u largua. Asnjë politikan nuk do të ketë më kurajon që të përpiqet t’i dëmtojë ato, pas valës së manifestimeve që tronditi vendin (më 8 dhe 14 nëntor), dhe që i bëri njerëzit të kërkonin mbrojtjen e drejtësisë.
Kryeministri Viktor Ponta dhe Partia Social-demokrate (PSD) sot kanë kuptuar se ata nuk mund më të vazhdojnë të kompromentohen me të korruptuarit.
Rumania vetë  ka ditur të shpëtojë vetë demokracinë e saj, vlerat e saj, në një rajon ku udhëheqës si Viktor Orban, në Hungari, shpallin dështimin e demokracisë të tipit perëndimor, duke u rënë sirenave të Moskës.
Në këtë Lindje shumë gri, ku vërshojnë lajme të këqija, një popull shpalli haptazi orientimin e tij pro-perëndimor duke zgjedhur një gjerman si president.
Cunam
Kjo zgjedhje simbolike, midis një gjermani dhe një nacionalisti, kjo është deklarata më e fuqishme ndajt vlerave të Perëndimit që ka bërë Rumania qysh me anëtarësimin e saj në NATO dhe në BE. Planet e Rusisë kanë marrë një goditje të fortë. Rusia e ka humbur lojën në fushën e quajtur Rumani.
Investimi në nacionalizmin e krimbur, besimin fetar që ka pushtuar politikën  dhe përdorimi i populizmit ekstrem përfundimisht ka qenë një llogaritje e keqe..
Përveç kësaj, kjo fitore është një sinjal i një oguri shumë të mirë për investitorët. Ja për shembull si e komentoi gazeta britanike rezultatin e zgjedhjeve: “Fitorja e Iohannis është një shenjë e forcimit të demokracisë në Rumani dhe në një afat mesëm kjo mund të çojë në vendosjen e një qeverie liberale”.
Lajmi i mirë është se Rumania ka një kapacitet rigjenerimi më të madh se sa ne e kemi besuar. Cunami që u ngrit brënda por sidomos jashtë vendit, ky brez  i të rinjve të dëshpëruar, të cilët nuk mund të duronin më, duhej të ishte një sinjal alarmi për të gjitha partitë, dhe jo vetëm një shuplakë që mori PSD (parti nga ku ka dalë kryeministri).
Qytetarët nuk kanë votuar për Partinë nacional liberale (PNL, anëtare e Aleancës  kristian demokrate me Partinë demokrate liberale, kryetar i së cilës është Klaus Iohannis). Nëqoftëse PNL beson se duke sërfuar mbi valën anti- Ponta do të mund të rimarrë pushtetin me ish-krerët e saj politikë, ai do të fshihet në zgjedhjet e vitit 2016 ashtu si Partia Social demokrate (PSD). Opozita ka detyrimin gjithashtu që të gjejë njerëz të rinj dhe energji të freskëta, të dala nga brezi i ri.
Një stil i përmbajtur
Ajo që ndodhi më 16 nëntor 2014 ishte më tepër një votë  anti-Ponta dhe një deklaratë më tepër pro perëndimore. Ky është një revolucion i vogël, i krahasueshëm, dhe me të gjitha raportet siç ishin ngjarjet e dhjetorit të vitit 1989 që shkatërruan komunizmin. Rumania u ngrit në këmbë kundër një sistemi  të kalbëzuar, në integralitetin e tij, i mishëruar sot nga Viktor Ponta dhe njerëzit e tij, por opozita nuk është aq e ndryshme.
Establishmenti politik rumun duhet të bëjë një zgjedhje: ose të ndryshojë, ose të zhduket në hiçin e historisë. Një lajm tjetër i mirë është së këtë herë, ndarja midis Transilvanisë (pro-Iohannis) dhe pjesës të mbetur të vendit (pro-Ponta), e dukshme në votimin e turit të parë, u fshi në turin e dytë.
Më në fund, Rumania ka fituar një figurë të re politike. Me stilin e tij të përmbajtur, të ekuilibruar, jo agresiv, Klaus Iohannis ndoshta është lloji i personit që dëshirojnë rumunët, pas kaq kohërave të kaluara me luftëra të zhurmshme dhe me grindje shterpë.
Pritshmëritë dhe shpresat janë të mëdha, por të mos harrojmë se Iohannis ka në dorë shumë pak leva për veprim si kryetar shteti, sepse Viktor Ponta dhe partia e tij, duke qenë në qeveri, e heqin vallen.
Në këtë kontekst ata duhet të qëndrojnë për momentin me qëllim që të paguajnë deri në fund faturën e një qeverisje populiste, dhe të marrin përgjegjësitë deri në fund për shpenzimet e kota të bëra në fushatën elektorale.
Eshtë shumë herët  për të mësuar nëse Iohannis do të na zhgënjejë ose jo. Në periudhën kur ai ishte kryetar bashkie, ai administroi me efikasitet qytetin e Sibiut. Tani i mbetet që të japë provat si President i Rumanisë.
Cila do qoftë mënyra se si ai do të veprojë, ne megjithatë kemi një siguri: Rumania e ndali rrugën e së keqes absolute, ajo ka dënuar me ashpërsi një parti antidemokratike, e cila i kishte shtrirë tentakulat e saj në të gjithë shtetin.

Shqiperoi: S. Metani/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button