Analiza

RUSI-SHBA / As antagonistë, por as edhe aleatë

ANGELA STENT

Ska me rifillimeDrejtore e Qendrës për Studime Euraziatike, Ruse dhe Europiano-Lindore në Universitetin e Georgetown. Autore e “Limitet e Partneritetit: Marrëdhëniet SHBA-Rusi në Shekullin 21”

Me Ukrainën në trazirë, dhe SHBA e Rusinë që përgjojnë lëvizjet e njëra-tjetrës, bota duket të jetë në prag të një konfrontimi të zgjatur të ngjashëm me Luftën e Ftohtë? Po a është vërtetë?

Rusia, pasi ka akuzuar Perëndimin se ka mbështetur grushtin e shtetit të “fashistëve” dhe “terroristëve” në Kiev ka aneksuar Krimenë, ka testuar një raketë balistike ndërkontinentale dhe i ka rezervuar vetes të drejtën për të ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainën lindore, për të mbrojtur popullsinë ruse atje. SHBA ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe e ka quajtur të paligjshëm aneksimin e Krimesë. Por, ka bërë gjithashtu thirrje për bashkëpunim, për ta zgjidhur paqësisht situatën si dhe ka deklaruar që Ukraina duhet të ndjekë marrëdhënie produktive me Rusinë dhe Perëndimin. Deri tani, rusët kanë qenë injorues ndaj këtyre deklaratave.

Megjithatë, ky nuk është fillimi i Luftës së Ftohtë II, dhe Rusia nuk është antagonistja e Amerikës. Por nuk është as aleat. Të dy palët nuk bien dakord për një sërë cështjesh. Megjithatë, ka probleme kritikë ndërkombëtarë – si Irani dhe Siria – ku nuk ka gjasa të bëhet përparim, pa një farë bashkëpunimi. Sfida nuk është të bëhen përpjekje për të “ristartuar” marrëdhëniet dypalëshe, por të gjendet – pasi të largohet kriza ukrainase – një bazë mbi të cilën të dy palët të mund të bashkëpunojnë, atje ku interesat e tyre përputhen.

Por duhet të jemi realistë. Cdo president i SHBA, që nga viti 1992 është përpjekur të ribëjë marrëdhënien SHBA-Rusi dhe të shkojë përtej konkurrencës ideologjike dhe ushtarake të Luftës së Ftohtë. Por cdo përpjekje, ndërsa ka prodhuar disa rezultate, ka përfunduar në zhgënjim. Jë arsye kyce është se SHBA dhe Rusia kanë perceptime në thelb të ndryshëm, se si do të ishte një marrëdhënie e përmirësuar.

Në një rishikim të këtyre përpjekjeve, del në pah një konstante: SHBA ka bërë më shumë progres për cështje ku Rusia ka ndjerë se Amerika i respekton interesat e saj. “Ristartimi” i parë diplomatik, në fund të presidencës së George H. Ë. Bush, erdhi me një sei hapash drejt eleminimit të rreziqeve bërthamorë që rezultonin prej shembjes së Bashkimit Sovjetik. Si rezultat, Rusia mbeti i vetmi shtet bërthamor në hapësirën post-sovjetike, ndërkohë që legjislacioni i iniciuar prej senatorëve amerikanë Sam Nunn dhe Richard Lugar ndihmoi për sigurimin e vendndodhjeve bërthamore, shkencëtarëve dhe materialeve.

“Rifillimi” i dytë, në kohën e presidentit Bill Clinton, ishte më ambicioz: një përpjekje gjithëpërfshirëse për të krijuar një partneritet që nxiste një angazhim thelbësor të SHBA në ekonominë e Rusisë dhe sistemin politik në zhvillim atje. Përfshiu gjithashtu bindjen enjë Rusie hezituese që të mbështeste ndërhyrjet e NATO-s në Ballkan. Por lufta në Kosovë në vitin 1999 shkaktoi kolapsin e këtij “rifillimi”.

“Rifillimi” i tretë erdhi me iniciativë të presidentit rus, Vladimir Putin, kur ai ofroi ndihmën e Rusisë në fushatën në Afganistan, pas sulmeve terroristë të 11 shtatorit 2001. Por pritshmëritë e administratës së George Ë. Bush ishin shumë të ndryshme nga ato të Putinit. Rusia kërkonte “një partneritet të barabartë mes të pabarabartëve”, sidomos njohjen nga Uashingtoni të sferës ruse të influencës në fqinjësinë e saj.

Në vend të kësaj, Rusisë iu desh të përballet me luftën në Irak, zgjerimin e NATO-s me vendet balltike, revolucionet properëndimorë në Ukrainë dhe Gjeorgji, dhe “Axhendën e Lirisë” të presidentit Bush që synonte demokratizimin në nivel global. Kremlini shihte me frikë të madhe shtrirjen e ndryshimit të regjimeve, sidomos në “mëhallën” e tij. Në kohën kur ky “rifillim” përfundoi në rrënojat e luftës ruso-gjeorgjiane në vitin 2008, SHBA kish nisur ta shihte tashmë Rusinë si një prishëse tërendit global.

“Rifillimi” i administratës Obama – i katërti që nga kolapsi i Bashkimit Sovjetik – ishte më i suksesshmi, të paktën gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan. Me pritshmëri më realiste, ai arriti rezultate: traktati i ri i kontrollit të armëve START, sanksione më të ashpër ndaj Iranit, bashkëpunim për transportim drejt dhe nga Afganistani, si dhe anëtarësimi i Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Por ky “rifillim” u lehtësua kryesisht nga marëdhëniet personale mes Obamës dhe Dmitri Medvedevit, i cili ishte për katër vite president, përpara se Putini të rikthehej në vitin 2012 për një mandat të tretë. Kur Putini fajësoi Amerikën për demonstratat e opozitës që shoqëruan rikthimin e tij, ajo marrëdhënie nisi të përkeqësohet. Me vendimin e Kremlinit gushtin e vitit që kaloi për t’i ofruar strehim të përkohshëm ish kontraktorit të shërbimit të fshehtë amerikan, Eduard Snouden, “rifillimi” mori fund.

Antagonizmi ideologjik i Luftës së Ftohtë mund të ketë ikur tashmë, por Rusia sot e quan veten një model alternativ qytetërimi dhe shoqërie. Rusia pretendon se ka një fuqi status quo-je, duke u vënë përballë SHBA, të cilën e quan një fuqi revizioniste që kërkon të destabilizojë botën duke nxitur ndryshime regjimesh, sidomos në botën arabe. Kremlini gjithashtu e sheh SHBA si një burim paqëndrueshmërie në ish hapësirën sovjetike dhe fajëson Perëndimin për trazirat në Ukrainë.

Megjithëkëtë, marrëdhënia SHBA-Rusi ka qenë gjithmonë e fragmentuar dhe ka shumë cështje shumëpalëshe ku SHBA duhet të punojë me Rusinë, sidomos Siria, Irani dhe Afganistani (ku SHBA do të tërheqë trupat këtë vit). Ndërkohë që SHBA dhe Rusia nuk bien dakord për mënyrën si i duhet dhënë fund luftës në Siri, ata kanë bashkëpunuar për carmatimin e Sirisë nga armët kimike. Po kështu, të dy palët nuk duan që Irani të prodhojë një bombë atomike.

Dy dekadat e fundit të mbushura me pritshmëri të mëdha dypalëshe, të pasuara prej zhgënjimeve të mëdhenj, tregojnë se pasi të marrë fund kriza e Ukrainës, do të ketë objektiva më modestë dhe realistë të SHBA ndaj Rusisë. Nëse të dy këta vende nuk kapërcejnë trashëgiminë e Luftës së Ftohtë, viteve 1990 dhe krizës së sotme, cdo “rifillim” – pavarësisht se ku e ka origjinën, në Shtëpinë e Bardhë apo në Kremlin – maksimumi mund të menaxhojë një marrëdhënie që do të jetë e kufizuar.

Për SHBA, kjo do të thotë që të pranojë Rusinë për atë që është: një vend i madh, ende i rëndësishëm me një sistem politik hibrid dhe me sfida të mëdha të brendshme, ekonomike, demografike dhe politike. Evolucioni postsovjetik i Rusisë do të kërkojë disa dekada dhe nuk do të ndodhë në mënyrë lineare. Këndvështrimi i saj për botën bie ndesh me atë të SHBA dhe kështu do të mbetet edhe për ca kohë. Por, më mirë një paqe e ftohtë, se sa një luftë e ftohtë.

Linku i artikullit origjinal: http://www.project-syndicate.org/commentary/angela-stent-highlights-the-compartmentalized-nature-of-the-us-russia-relationship#DlszEFzf6oKFsQCh.99

Leave a Reply

Back to top button